LAJMI I FUNDIT:

Euro 2008: Cyrihu, Zvicër

Euro 2008: Cyrihu, Zvicër

Cyrihu është qyteti më i madh në Zvicër me popullatë mbi 370 mijë banorë dhe është qendër ekonomike dhe kulturore e këtij vendi, me pretendime të bëhet një prej qendrave globale botërore.

Në vitin 2006 dhe 2007, ky qytet u zgjodh si qytet me kualitetin më të mirë të jetës në botë, kjo falë zhvillimit të lartë bankar dhe ekonomik, si dhe shkallës së ulët të papunësisë.

Nëse keni mundësi të arrini deri atje, do të keni në disponim të gjithë mjetet e transportit, përfshirë edhe trenat e shpejtë TGV, ndërsa nëse jeni në të, do të jeni pjesë e njërit prej mjeteve më të shpejta transportuese në botë.


Popullata

Gjuhë zyrtare në Cyrih është gjuha gjermane, edhe pse në pjesën më të madhe, flitet në një dialekti e veçantë i këtij qyteti. Pas gjuhës gjermane, e dyta më e folur është ajo italiane, ndërsa interesante është se edhe gjuha shqipe flitet mjaft në këtë qytet, falë shumë emigrantëve shqiptarë që jetojnë atje (po ashtu edhe gjuha serbe).

Popullatën e përbëjnë kryesisht katolikë, ndërsa gjatë viteve të kaluara gjithnjë e më shumë rritet numri myslimanëve.

Për të vizituar

Në Cyrih ekzistojnë një numër i madh muzesh dhe kishash të cilat janë pjesë e pasurisë kulturore të qytetit, në mes tyre mund të veçohet kisha St. Peter. Haus Konstruktiv Muzeum është po ashtu vendi të cilin duhet ta vizitoni, nëse jeni adhurues i artit, si edhe Opernhaus që është një prej shtëpive më të njohura të operës në Evropë. Parada e rrugëve e cila tradicionalisht zhvillohet çdo vit në muajin gusht, është edhe një prej ngjarjeve që tregon shpirtin e këtij qyteti.

Stadiumi

Letzigrund është emri i stadiumit të Cyrihut ku do të zhvillohen disa prej ndeshjeve të kampionatit evropian. Ky stadium është shtëpi e klubit futbollistik Cyrih. Është i rrethuar nga shumë tribuna të mëdha, për shkak se në përbërjen e saj hyjnë edhe disa zona për atletikë, andaj ky ndërtim i mundëson që stadiumi të mund të shfrytëzohet edhe si vend për zhvillimin e garave atletike si dhe koncerteve të mëdha.

Stadiumi ekziston që nga viti 1925, por me kalimin e kohës dhe ngjarjeve historike, ai ka pësuar shumë ndryshime në ndërtimin e tij edhe atë në vitet 1947, 1958, 1973 dhe 1984. Për herë të parë është ndriçuar në vitin 1973, ndërsa koncerti i parë i hapur është zhvilluar në vitin 1996.

Në vitin 2005, FIFA pranoi planin për ta rindërtuar këtë stadium, gjë që bëri që ai t’i plotësonte nevojat për Euro 2008. Pamja e re e stadiumit ka qenë e hapur në mënyrë solemne më 30 gusht të vitit të kaluar, ndërsa ndeshja e parë që është zhvilluar aty ka qenë ajo në mes ekipeve Cyrih dhe Grasshopers. Kapaciteti i ulëseve me ndërtimin e ri është zmadhuar në 30 mijë dhe është paraparë për tri ndeshje të grupit C.

Ndeshjet që do të zhvillohen në këtë stadium gjatë kampionatit Euro 2008 janë ato të grupit C:

Rumania – Franca (09 qershor 2008 – 18:00)
Italia – Rumania (13 qershor 2008 – 18:00
Franca – Italia (17 qershor 2008 – 18:00)