LAJMI I FUNDIT:

Shpërthen gazi në minierë, gruaja humb jetën, burri plagoset

Shpërthen gazi në minierë, gruaja humb jetën, burri  plagoset

Një 41 vjeçare humbi jetën mbrëmjen e të enjtes si pasojë e shpërthimit të gazit në një prej galerive të minierës së kromit në Kam të Tropojës, ndërsa bashkëshorti i saj mbeti i plagosur.

Policia lokale tha se shtetasi Basri Jahelezi, 42 vjeç dhe gruaja e tij, Hajrie Jahelezi, 41 vjeç, po mblidhnin krom në një prej galerive të minierës së vjetër të kromit, kur një shpërthim i papritur gazi ka bërë që të dy bashkëshortët të humbin ndjenjat. Punëtorët e tjerë që punonin po në këtë galeri i kanë nisur të dy bashkëshortët drejt spitalit të Krumës, por rrugës shtetësja Hajrie Jahelezi ka humbur jetën.

Nëndrejtori i Policisë së Qarkut, Xhaferr Elezi, tha se grupi hetimor shkoi menjëherë në vendngjarje dhe e bllokoi atë duke mos lejuar punëtorë të tjerë të hynin në galeri.

Policia u bëri thirrje banorëve të zonës të mos hyjnë në këto galeri të braktisura prej dy dekadash, pasi rreziku eshtë i madh, raportoi BW.


Shfrytëzimi i galerive të kromit nga persona privatë e pa asnjë kontroll është i përhapur në këtë zonë nga banorë të cilët, përmes kësaj pune, nxjerrin të ardhura për të mbajtur familjen./Telegrafi/