LAJMI I FUNDIT:

Familja Çollaku: Nuk kemi ç’të hamë

Familja Çollaku: Nuk kemi ç’të hamë

Familja e Bajram Çollakut, nga fshati Batërr i Matit, bën apel për ndihmë pasi jetojnë në kushte shumë të vështira ekonomike.

Kryefamiljari tregon se jeton në një banesë vetem prej 9 m2, ku katër pjesëtarët e familjes bëjnë gjithçka, gatuajnë, presin mikun, flenë dhe për më tepër në këtë dhomë nuk gjendet asnjë orendi jetike.

“Kushtet familjare siç e shihni dhe vetë janë aq të vështira sa nuk mund të ekzistojë familje tjetër kështu si ne. Uroj që të mos ketë si puna ime…jam deri në atë shkallë sa fëmijët hanë mëngjesin, drekën deri diku dhe darkën fare, se nuk mund ta përballoj me 40 mijë lekë të vjetra që më jep komuna. Vetë jam i sëmurë, më kanë thënë për operim, por nuk kam ku t’i gjej lekët. Shpresoj të më ndihmojë ndonjë biznesmen që nuk i ka harruar sakrificat e veta…të vërë dorën në zemër dhe të më ndihmojë”, tha kryefamiljari Bajram Çollaku.

Dy fëmijët e Bajram Çollakut, Hygerti dhe Xhiljola, përkatësisht në klasën e 8-të dhe klasën e 5-të të shkollës 9-vjeçare “Hasan Kala”, rrëfejnë se konsumojnë vetëm mëngjesin dhe drekën nga ushqimet e falura ndërsa darkën asnjëherë.


“Ne hamë vetëm pak mëngjesin kur shkojmë tek shkolla, drekën me hurdhra dhe qepë, ndërsa bukën kur na e falin…nuk kemi kushte për ta blerë…darkën nuk e hamë fare”, tha Hygert Çollaku.

Hygertin dhe Xhiliolën i shikon gjithmonë të vetmuar, me rroba të vjetra në trup. Edhe një dollap buke që ia kanë falur Bajram Çollakut, e ka mbushur me rroba, pasi siç thotë ai bukë e ushqime nuk kam që ta mbush këtë dollap, raportoi BW./Telegrafi/