LAJMI I FUNDIT:

Vrasja e taksistit, prokuroria: Burg përjetë autorit

Vrasja e taksistit, prokuroria: Burg përjetë autorit

Prokuroria e Korçës tha të premten pretencën për gjashtë të pandehurit e akuzuar për vrasjen e taksistit, që ndodhi më 21 nëntor të vitit të kaluar.

Pretenca dha dënim me “burg të përjetshëm” për Elkjero Revanin, 22 vjeç nga Bilishti, dënim me “25 vjet burg” për 17- vjeçarin Arnest Xhaxhka, po nga Bilishti. Ata akuzohen si autorët kryesorë të “vjedhjes në bashkëpunim me pasojë vdekjen” e taksistit Fredi Talelli.

Për katër të pandehurit e tjerë, që kanë penguar zbulimin e së vërtetës apo kanë përkrahur autorët pas kryerjes së krimit, organi i akuzës ka kërkuar dënime më të ulëta, që shkuan nga 10 vjet, që ishte masa më e madhe e kërkesës për dënim, deri në 1 vit burg.

Sipas Prokurorisë, Fredi Talelli nga fshati Pilur i Devollit u vra në afërsi të fshatit Koritë të Pogradecit. Pasi e kanë vrarë, të pandehurit e kanë hedhur trupin e tij anës rrugës në një kanal. Ngjarja u zbulua vetëm pasi mjeti i taksistit u gjet në një përrua në Elbasan, të cilën e kishte hedhur Domeniko Kumria, raportoi Panorama./Telegrafi/