LAJMI I FUNDIT:

Hajnat në aksion

Hajnat në aksion

Statistikat e përgjithshme të Policisë së shtetit tregojnë se numri vjedhjeve ordinere në Kosovë po shtohet nga viti në vit, ndërsa hajat “sikurse kërpudhat pas shiut” po shtohen përditë. Forcat e rendit, ndërkaq po tregohen të ngathëta karshi kësaj “armate” kriminale, e cila në vijimësi po “rekruton” vjedhës të xhepave, stolive, laptopave, e deri te veturat dhe grabitjet me armë.

Të paktën statistikat e policisë flasin se vetëm brenda tre muajve të parë të këtij viti janë regjistruar mbi 5 mijë raste të vjedhjeve dhe grabitjeve, duke bërë që qytetarët të ndjehen të pambrojtur ndaj këtij kriminaliteti. Policia e Kosovës vazhdimisht merr thirrje për vjedhje në banesa, lokale, në rrugë, vetura, por rrallë herë arrin t’i arrestojë hajdutët.

Shumica e atyre që kapen në flagrancë, i takojnë moshës së re dhe janë recidivistë, përkatësisht grabitës, të cilët kanë kryer një serë vjedhjesh. Ata arrestohen, mirëpo pas pak ditësh mund t’i shohësh duke shëtitur të lirë, pasi që gjykata vendos për lirimin e tyre, të cilët nuk kalojnë nëpër trajtime të veçanta, që do të mundësonte risocializimin e tyre.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Brahim Sadiru, ka thënë se pjesa më e madhe e të dëmtuarve të këtyre vjedhjeve të dhunshme janë femrat, përderisa çantat, telefonat dhe stolitë e arit në trup, janë caku kryesor i grabitësve. Sipas tij, vendet më të shpeshta që raportohen vjedhjet janë ato që ngjajnë nëpër tregje dhe rrugë, por edhe në banesa.


Policia konfirmon se brenda tre muajve të parë të këtij viti ka arritur t’i regjistrojë 2 mijë e 678 raste të vjedhjeve të rënda, ndërkaq 2 mijë e 860 të tjera si vjedhje në tentativë. Krahasuar me vitin e kaluar del se numri i rasteve po shënon rritje, kur kihet parasysh fakti se brenda vitit 2010 janë shënuar 6 mijë e 845 raste të vjedhjeve të rënda, prej tyre 338 në tentativë. Rajoni i Prishtinës prin për numrin më të madh të rasteve të raportuara të vjedhjeve dhe grabitjeve.

Ndërkohë, gjyqtarët që trajtojnë rastet e vjedhjeve grabitçare, mohojnë të shqiptojnë masa të ulëta të dënimit, në momentet që konstatohet se kryerësi i veprës penale ka kryer vjedhje të rëndë.
Madje, gjyqtarja e Gjykatës të Qarkut në Prishtinë, Fllanza Kadiu, e cila ka trajtuar raste të vjedhjeve të rënda, dhe në këtë mes edhe për të mitur, tregon se masat ndëshkimore për këta të fundit janë llojllojshme, varësisht nga vjedhja dhe mënyra e kryerjes së veprës penale.

“Janë masat sanksionuese që shqiptohen për të miturit, konform Kodit Penal për të Mitur. Ka raste kur shqiptohet masa e dënimit me burgim, dënimi alternativ dhe i hapur”, ka thënë Kadiu, duke shtuar se ekzistojnë raste kur i mituri për shkak të kryerjes së veprës penale të vjedhjes grabitqare dërgohet për mbikëqyrjen e organit të kujdestarisë.
Sipas saj, në momentet që konstatohet se një i mitur ka kryer disa herë veprën e njëjtë penale, atëherë normalisht se masa e dënimit është më e lartë.

Ligji Penal për të Mitur i Kosovës parasheh që Gjykata mund të shqiptojë dënimin me burgim për të mitur, i cili e ka arritur moshën gjashtëmbëdhjetëvjeçare dhe ka kryer vepër penale të dënueshme me burgim prej më shumë se pesë vjetësh.

Burgimi për të mitur nuk mund të shqiptohet në kohëzgjatje më pak se gjashtë muaj, as më shume se pesë vjet dhe shqiptohet në muaj dhe vite të plota. Maksimumi i burgimit për të mitur është dhjetë vjet për vepra të rënda penale të dënueshme me burgim afatgjatë, ose kur i mituri ka kryer së paku dy vepra penale në bashkim, ku secila është e dënueshme me burgim prej më shumë se dhjetë vjet.

Mirëpo, sociologu Fadil Maloku përmend disa faktorë që shtyjnë sidomos të rinjtë të “rekrutohen” nëpër grupet e ndryshme kriminale që merren me “biznesin” profitabil të vjedhjes.

Sipas tij, varfëria dhe papunësia e madhe është faktori kryesor që shtyn të rinjtë të merren me këtë sjellje devijante. Sipas tij, edhe shqiptimi i ulët i dënimit për kryerësit e veprave penale është një nga indikatorët që ndikon në rritjen e numrit të rasteve të vjedhjeve dhe grabitjeve./Zëri//Telegrafi/