LAJMI I FUNDIT:

Humb jetën një nxënës, bie në pus

Humb jetën një nxënës, bie në pus

Albion Shala, nxënës i klasës së pestë në SHMU “Beqir Gashi” në Mleçan, ka humbur jetën të enjten në orët e pasdites pasi kishte rënë në një pus të hapur në këtë fshat. Fëmija 10-vjeçar është mbytur në pus derisa po ruante bagëtinë pas përfundimit të mësimit.

Sipas Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:50 kur fëmija ka rënë në një pus të hapur në fushë të fshatit Mleçan, kurse vdekjen e tij e ka konstatuar mjeku i Shtëpisë së Shëndetit në Malishevë pasi trupi i pajetë ishte sjellë nga familjarët.

Policia me këtë rast u ka bërë thirrje të gjithë atyre që kanë hapur puse ose ndonjë gropë që rrezikon jetën e fëmijëve, t’i mbyllin ato ose t’i sigurojnë me rrethoja, në mënyrë që të mos përsëriten raste të tilla tragjike.

Të premten në këtë shkollë është pritur të ketë aktivitete në kuadër të “Javës së Arsimit”, ku pritej të merrte pjesë edhe ministri i Arsimit Ramë Buja, por aktivitetet janë pezulluar për shkak të vdekjes tragjike të Albionit. /Telegrafi/