LAJMI I FUNDIT:

Përjet Abazi u vra nga një klient i kazinosë

Përjet Abazi u vra nga një klient i kazinosë

Policia njoftoi të enjten se vrasësi i Perjet Abazit, vëllait të deputetit të PS-së për qarkun e Dibrës, Sadri Abazi, është drejt identifikimit.

Idyshuari kryesor është një i ri, banues në një qytet në afërsi të Kurbinit, i cili ashtu sikurse edhe viktima, ishte frekuentues i rregullt i së njëjtës kazino. Dyshohet se 45-vjeçari Abazi dhe i riu i dyshuar si autor i ekzekutimit, kanë pasur mosmarrëveshje për shkak të lojës dhe fitimit të një shume të konsiderueshme parash, nga ana e autorit të dyshuar.

Kamerat e sigurisë të një banke, që ndodhej pak metra larg vendit ku u ekzekutua me breshëri Abazi, janë një provë që duket se ka ndihmuar së tepërmi grupin e hetimit. Ekspertimi i mëtejshëm i pamjeve filmike po kryhet në laboratorët përkatës të Ministrisë së Brendshme nga ekspertët e saj.

Mungesa e një maske në mbulimin total të fytyrës ka ndihmuar grupin e hetimit për të rënë në gjurmët e një të dyshuari, i cili ishte mjaft i rregullt në kazinonë ku viktima ndodhej pak para se të vritej. Ai e ka qëlluar për rreth 20 metra, që nga dalja e kazinosë e deri kur Abazi ka mbetur i shtrirë afër mjetit të tij. Ndonëse ka qëlluar me breshëri, viktimën e kanë kapur vetëm dy plumba në kokë, të cilët kanë qenë vdekjeprurës.


Autori i krimit, sipas policisë, ka qenë me kapuç në kokë, i veshur me xhup dhe i ri në moshë. Pasi ka qëlluar viktimën, ai është larguar me shpejtësi bashkë me armën e krimit në drejtim të rrugës së vjetër që lidh Laçin me Tiranën. Ai është larguar me hapa, pa nxitim, për të mos rënë në sy të kalimtarëve, raportoi Panorama./Telegrafi/