LAJMI I FUNDIT:

Dështimet e Perëndimit për të penguar masakrat e Srebrenicës

Dështimet e Perëndimit për të penguar masakrat e Srebrenicës

Arkiva e Sigurimit Kombëtar në ShBA publikoi dokumente të detajuar në lidhje me mënyrën se si OKB-ja dhe komuniteti ndërkombëtar dështoi në marrjen e masave për të parandaluar masakrat e Srebrenicës në korrik 1995.

Arkiva e Sigurimit Kombëtar tha se dokumentet e publikuara të hënën treguan se "pasiviteti ndërkombëtar dhe mungesa e mbështetjes për paqeruajtësit ishte ajo që dënoi Srebrenicën 20 vjet më parë".

Sipas ASK-së, dokumentet tregonin se mungesa e përgjigjes nga OKB-ja dhe komuniteti ndërkombëtar ndaj sulmit fillestar të Ushtrisë Serbe të Bosnjës në “zonën e sigurt” të Srebrenicës, e deklaruar e tillë nga OKB-ja, ishte një nga faktorët kryesorë që mundësuan vrasjen e mijëra burrave dhe djemve boshnjakë në ditët pas rënies së enklavës më 11 korrik 1995.

"Dokumentet që tregojnë gjenocidin e Srebrenicës paraqisnin diçka ndryshe për paqeruajtjen ndërkombëtare dhe një pikë kthese në drejtim të një ndërhyrje më me forcë, duke kulmuar në marrëveshjen e Dejtonit që u dha fund luftërave në Ballkan".


Dokumentet tregojnë se edhe pse komandanti i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq, më 2 korrik kërkoi t’i nxirrte paqeruajtësit e OKB-së dhe boshnjakët nga Srebrenica – brenda një jave u dha urdhër që enklava të zaptohej sepse nuk u has asnjë kundërshtim, sipas Arkivit të Sigurimit Kombëtar.

Dokumentet e arkivit gjithashtu vërtetuan se zyrtarë të OKB-së, siç ishte përfaqësuesi i Sekretarit të Përgjithshëm, Yasushi Akashi, dhe gjeneralë nga shtetet anëtare të OKB-së, refuzuan të përballeshin me sulmet e serbëve të Bosnjës dhe u rezistuan duke përdorur sulme nga ajri për më shumë se një vit para Srebrenicës.

Dokumentet tregojnë se komanda e OKB-së gjithashtu refuzoi kërkesat e paqeruajtësve holandezë për sulme ajrore më 6 korrik 1995, para se enklava të merrej dhe miratoi vetëm një sulm të vogël më 11 korrik, i cili nuk e ndali Ushtrinë Serbe të Bosnjës.

Pjesë e arsyes për mosveprim, sugjeron dokumenti, është se midis ShBA-ve, Britanisë dhe Francës ka pasur ndarje të qarta strategjike mbi atë se çfarë duhet të bënin në lidhje me konfliktin në Bosnjë dhe Hercegovinë.

Dokumentet vijnë kryesisht nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, edhe pse disa janë nga Universiteti i Mbrojtjes Kombëtare në SHBA, Biblioteka Klinton dhe raporte të parlamentit francez.

Ka gjithashtu edhe plane të serbëve të Bosnjës, si edhe dokumente të OKB-së që tregojnë komunikim nga terreni në qendrat e komandës.

Ato janë pjesë e një libri informues të hartuar për një konferencë që u mbajt nga Muzeu Memorial i Holokaustit në ShBA dhe Instituti Global për Drejtësi në Hagë në qershor.

Këtë vit gazetarja Florence Hartmann botoi edhe një libër në të cilin ajo pretendonte se qeveritë amerikanë dhe evropiane e dinin që forcat serbe të Bosnjës planifikonin të pushtonin Srebrenicën, por nuk bënë asgjë për të parandaluar këtë.

Hartmann tha për BIRN-in në një intervistë në korrik se hulumtimi i saj ka treguar se zyrtarët francezë, britanikë dhe amerikanë e dinin disa javë para masakrave të Srebrenicës që trupat serbe të Bosnjës planifikonin të sulmonin ‘zonën e sigurt’.

Qeveritë perëndimore vendosën të mos e ndalonin sulmin e serbëve të Bosnjës, por ta përdornin atë për të mbledhur vrull për përpjekjet për paqe të cilat deri atëherë nuk kishin arritur t’i jepnin fund luftës trevjeçare, pretendoi ajo.

“Srebrenica pagoi çmimin për paqen”, tha ajo.

Pasi forcat serbe të Bosnjës sulmuan Srebrenicën në korrik 1995, ata vranë më shumë se 7,000 burra dhe djem boshnjakë dhe dëbuan më shumë se 40,000 gra, fëmijë dhe të moshuar. Krimet janë përkufizuar si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare dhe ato vendase.
Ratko Mlladiq aktualisht është në gjyq në Hagë për gjenocid dhe krime të tjera.