Viti që po lëmë pas, 2013-a, mund të lexohet si një tekst në disa mënyra. Një prej tyre është lidhja që ky vit krijon me vitin e largët 1913. I vështruar në raport me të, ky vit që po largohet është viti i 100-të. Mirëpo, sapo ti vendos që ta lidhësh këtë vit me vitin e largët 1913, je i detyruar të sjellësh në vështrim atë vit të largët dhe kur e bën një gjë të tillë, ty të vijnë ndër sy imazhet e një katastrofe apokaliptike.
Një vit pasi Shqipëria kishte shpallur pavarësinë, ajo u gjend në udhëkryq dhe u bë një mishmash ambiciesh, oreksesh dhe gjaku i shqiptarëve të gjorë derdhej nëpër të katër viset e këtij vendi. Kadareja e ka quajtur “Viti i mbrapshtë” novelën që i merr ngjarjet nga ky vit. Marrëzia evropiane do të niste një vit më vonë Luftën e Parë Botërore, një nga më të përgjakshmet në histori, çmenduria ballkanike e kishte ndezur flakë Ballkanin dhe Shqipëria ishte në gjendjen e saj më kritike. Pa asnjë institucion që t’i dilte zot, e zhytur në errësirë, varfëri e orientalizëm, vendi ynë vetëm falë rezistencës gjenuine të shqiptarëve që nuk janë nënshtruar e asimiluar nga asnjë pushtim i huaj dhe diplomacisë austro-hungareze dhe bijve të saj në emigrim, arriti të shpëtojë nga zhdukja tërësore.
Ndërsa, viti 2013 është gjithashtu fundi i marrëzisë shqiptare. Ne sapo jemi ndarë nga një regjim barbar që e qeverisi këtë vend me metodat e egra të plaçkitjes dhe shënoi parametra të padëgjuara ndonjëherë të korrupsionit dhe krimit ekonomik. Viti 2013 shënoi kështu fundin e marrëzisë dhe të të marrëve që rrethana të pakuptueshme dhe rastësi të papërfytyrueshme i sjellin ata në pushtet. Në vitin 2013 shqiptarët kuptuan se fati i tyre nuk mund të lihej peng në tryezat politike dhe në zgjedhjet e 23 qershorit e zgjidhën vetë enigmën e vazhdimësisë demokratike të Shqipërisë.
Viti 2013 do të përmendet në historinë e Shqipërisë si viti që shënoi përmbylljen e administrimit të pushtetit me pasionin e bajraktarit provincial që e sheh Shqipërinë si plaçkë që mund ta grabisë dhe ta ndajë me familjen e farefisin e tij. Shqiptarët në vitin 2013 treguan se janë një popull kurajoz dhe sqimatar gjithashtu. Ata u ngritën në masë dhe u drejtuan në kutitë e votimit për të larguar njëherë e mirë nga qeverisja një të marrë që të kujtonte Haxhi Qamilin dhe kauzën e tij të mbrapshtë që synonte ta kthente Shqipërinë në një çiflig të një bande familjare. Viti 2013 do të mbahet mend dhe do të kujtohet si viti kur shqiptarët më në fund, pas 100 vjetësh, zgjodhën një qeveri normale, ashtu siç ndodh në të gjitha vendet normale evropiane.
Kanë kaluar më shumë se 100 ditë nga ardhja e kësaj qeverie dhe shqiptarët po shohin më në fund se kanë një kryeministër normal, që nuk ka emëruar qoftë edhe një njeri të vetëm për të cilin opinioni apo kritikët më të rreptë të tij të thonë se ai ka pasur një histori të dyshimtë apo një perceptim publik jo të mirë. Për herë të parë kemi një qeveri që ka ulur tonet në komunikimin me publikun dhe opozitën, që po artikulon një ligjërim normal me këta aktorë. Natyrisht, kjo qeveri, ashtu si të gjitha qeveritë në ndërrimet demokratike ka lënë shumë gjëra pezull. Mirëpo të gjithë e shohin se ajo po sillet si një trupë normale dhe po mundohet që të jetë transparente me publikun. Në këtë kuptim, unë dua ta nxis këtë qeveri që të ketë përgjegjshmërinë që ka treguar deri tani edhe në të ardhmen dhe të ketë si model qeverinë e kancelares Merkel, të cilën gjermanët e votojnë tash tri legjislatura.
Është hera e parë në këta 100 vjet që një qeveri shqiptare bën atë që thotë dhe nuk bën të tjera nga ato që thotë e në këtë kuptim, viti 2013 shënon fundin e marrëzisë së mashtrimit. Mirëpo shqiptarët me të drejtë pyesin se si do të vijojë demokracia në Shqipëri. Dëgjojnë një të marrë që tregon përralla nga një ekran në tjetrin duke përmendur protesta, revolta popullore etj. Në fakt ky i marrë alucinant, kjo tepricë haxhiqamiliste në Shqipëri nuk e kupton se koha e tij ka perënduar. Ai e di shumë mirë se në një shtet normal demokratik, vendi i deklaratave për shtyp apo i takimit me gazetarët do të ishte dera e gjykatës. Ky njeri, ashtu si të gjithë të marrët e tjerë të Evropës Lindore, por edhe kryeministrat e tjerë normalë, vitet e fundit të jetës duhet të përgatitet që do t’i kalojë në gjykatë. Viti 2013 ishte viti që shënoi edhe fundin e diktatorëve dhe njerëzve që kanë larë duart me gjak shqiptari dhe kanë ndyrë duart me paratë e shqiptarëve. Ndaj, prokuroria shqiptare, natyrisht jo kjo e sotmja e Llallës dhe e Fushës së Tiranës, por ajo që do të ristrukturohet nesër, do të duhet të dërgojë në gjykatë dosjen e rëndë të abuzimit me ëndrrat e shqiptarëve. Ndaj viti 2013 është edhe viti i fundit i marrëzisë.
(Marrë nga: Gazeta Shqip)
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë
Harta e paparë që premtonte të sillte paqe në Lindjen e Mesme

Takimi Trump-Macron, presidenti francez korrigjon deklaratën e homologut amerikan

Ish komandanti i UÇK-së, Ismet Tara, reagon pas deklarimit në Hagë

Pyetet për Xhenetën, Gjesti: Nuk do t’ia ktheja me të keq siç më ka bërë mua, por nuk do të doja që të hynte në shtëpi

Analistët komentojnë "ofertën" e Limajt për Kurtin: Vetfaktorizim apo hapje e lojës politike?

Ramadani: Shpresim Uka ka dhënë deklarata të pavërteta, kam incizuar një bisedë katërorëshe me të në Merdar

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!

25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Më të lexuarat

Pyetet për Xhenetën, Gjesti: Nuk do t’ia ktheja me të keq siç më ka bërë mua, por nuk do të doja që të hynte në shtëpi

Harta e paparë që premtonte të sillte paqe në Lindjen e Mesme

Takimi Trump-Macron, presidenti francez korrigjon deklaratën e homologut amerikan

Ish komandanti i UÇK-së, Ismet Tara, reagon pas deklarimit në Hagë

E konfirmojnë nga Google, nuk ka më verifikim me SMS për Gmail – zëvendësohet me kodin QR

Krisa reagon pas deklaratës së Tirit se i pëlqen një vajzë në Big Brother VIP Albania