LAJMI I FUNDIT:

17 vjeçari vret aksidentalisht nënën?

17 vjeçari vret aksidentalisht nënën?

Një grua 45 vjeçare nga fshati Mikushincë e Skenderajt ka gjetur vdekjen si rezultat i plagëve të marra nga armë zjarri, ndërkaq hetimet e deritashme policore nuk kanë zbardhur në tërësi rastin, por dyshohet se djali i viktimës, një 17 vjeçar, aksidentalisht ka shkrepur armën dhe plumbi ka goditur të ëmën e tij.

Policia ka bërë të ditur se rasti tragjik ka ndodhur të enjten pasdite dhe Njësitë e para reaguese të policisë kanë kontaktuar me mjekun kujdestar në spitalin Vushtrrisë, ku edhe ishte dërguar viktima, që më vonë edhe ka ndërruar jetë.

Hetuesit policor së bashku me prokurorin publik, kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërsa dyshohet se djali i viktimës, një 17 vjeçar, aksidentalisht ka shkrepur armën, një revole, kurse plumbi i shkrepur ka goditur të ëmën e tij në pjesën e sipërme të këmbës.

Po ashtu, raportohet se në vendngjarje, hetuesit policor kanë gjetur dhe marrë si pjesë të provave materiale një armë, pistoletë të kalibrit 7.62mm, e cila besohet të ketë qenë e përfshirë në këtë rast.


Me autorizim të prokurorit publik, masa e ndalimit policor në bazë të ligjit për të mitur të Kosovës, është caktuar ndaj të dyshuarit të këtij rasti.

Rasti në fjalë është kualifikuar si vrasje nën rrethana aksidentale, kurse trupi i pajetë është dërguar në institutin e mjekësisë ligjore në Prishtinë për obduksion. Hetuesit rajonal të Policisë së Kosovës, janë duke udhëhequr hetimet, për të sqaruar rrethanat e paraqitura në rast. /Telegrafi/