LAJMI I FUNDIT:

Zgjedhjet, drejtësia dhe “patriotët” e vonuar

Mllefi i madh, që me të drejtë është mbledhur mes shumë shqiptarëve ndaj dy partive politike kryesore dhe kastën e kalbur politike që ka uzurpuar drejtimin e vendit dhe e ka dënuar Shqipërinë me renditjen në fund të listës së vendeve europiane në çdo proces zhvillimi, bën që t’i bëjnë bisht përgjegjësisë së madhe shumë aktorë të tjerë publikë të cilët përfitojnë nga ky fokus tek PD-ja e PS-ja. Ndërkohë që kaluan dy dekada nga nisja e rrugëtimit për në BE, duket qartë që ne do të mbetemi serish humbës historikë të kontinentit, sikurse na ndodhi me të qenit të fundit që u larguam nga Perandoria Osmane dhe nga regjimi komunist. Jo vetëm Mali i Zi, por sipas të gjitha gjasave edhe Serbia ka për të na parakaluar, ndërkohë që politikanët justifikohen duke ia hedhur fajin njeri-tjetrit, paçka se që të dyja palët janë shkaktarët kryesorë në përmasa të ndryshme për katandisjen e vendit tonë. Mirëpo, nuk janë vetëm ata përgjegjës, por padyshim përgjegjësi shumë të madhe në gjithë këtë katrahurë dhe regres të theksuar të vendit tonë në procesin e demokratizimit ka edhe sistemi i drejtësisë.

Trysnia, konfliktualiteti, manipulimi dhe përplasja gjatë fushatës, procesit zgjedhor dhe numërimit, nuk ka ndodhur vetëm për faj të drejtuesve të dy partive politike kryesore, që së bashku në harmoni të rrallë gatuan këtë çorbë të ndyrë të pseudo demokracisë shqiptare që përsëritet periodikisht. Ka të tjerë fajtorë për këtë dramë shqiptare përtej politikanëve kryesorë dhe ushtarëve të bindur e të verbër militantë, që ndjekin me saktësi e zell udhëzimet e liderëve të tyre për të futur duart ku dhe kur të mundin në kutitë e votimit duke menduar vetëm sot për nesër, pa e kuptuar që me këtë veprim marrin një shpërblim meskin nga shefi sot, por dënojnë me prapambetje të ardhmen e tyre dhe të fëmijëve të tyre. Përgjegjësi të jashtëzakonshme në gjithë çfarë ka ndodhur ka padyshim sistemi i drejtësisë, për të mos thënë më mirë, sistemi i padrejtësisë, i cili me apatinë dhe korrupsionin që e karakterizon ka instaluar në vendin tonë institutin e pandëshkueshmërisë. E ka bërë të qartë që askush nuk preket për çfarëdo paudhësie për sa kohë mbrohet nga mburoja e njërës prej dy partive kryesore. Është ky institucion pandëshkueshmërie ai që u ka dhënë dritën jeshile, e madje ka inkurajuar të gjithë militantët politikë që të vjedhin sa më shumë vota sapo t’u jepet mundësia, duke na shndërruar në një njollë të zezë të demokracisë në mbarë Europën, duke bërë që të na tregojnë të gjithë me gisht e përçmim për pamundësinë tonë për të organizuar zgjedhje të lira e të ndershme.

Por ajo që është më ironike dhe me të vërtetë e pagëlltitshme, është që dy ndër personazhet kryesore, që drejtpërsëdrejti janë përgjegjës për paaftësinë e sistemit të drejtësisë për të garantuar zbatimin e ligjit në procesin zgjedhor, sillen sikur s’kanë lidhje fare me këto probleme e dalin me deklarata distante patetike, si me pas qenë ndërkombëtarë predikues moralistë e jo individë që janë kryekëput të lidhur deri në fyt me atë që po e mundon atdheun tonë të gjorë. Këtu bëhet fjalë jo vetëm për presidentin, por edhe për njeriun e tij në krye të sistemit të drejtësisë, të cilët në vend që të bëjnë çmos të jenë në lartësinë e detyrës së tyre, janë duke ndërtuar gradualisht gomonen e shpëtimit të quajtur “Aleanca Kuq e Zi” për të qëndruar në qarkullim në jetën publike shqiptare gjatë vitit të ardhshëm, kur Topit t’i mbarojë mandati si president dhe kur padyshim, presidenti-ushtar që do të emërohet në krye të presidencës prej PD-së ka për ta zëvendësuar Spahiun. Pasi të dy e kanë dëshmuar veten boll “të aftë dhe të kulluar” në vënien në vend të sistemit të drejtësisë në Shqipëri, po duket se kanë ndërmend që përvojën e tyre ta transferojnë në “zgjidhjen” e padrejtësive tona kombëtare, duke marrë me të madhe në mënyrë të beftë flamurin kombëtar.


Nga një anë po shohim presidentin që del hera herës me deklarata të tipi, populli është lënë pa alternative, aktorët aktualë politikë nuk bëjnë, këto parti janë përgjegjëse etj., etj., që lënë të kuptohet se po përgatit terrenin publik për të justifikuar krijimin e partisë së tij të re sapo t’i ketë ardhur fundi mandatit të tij në presidencë. Dhe meqë dimensioni patriotik është ende vakum në garën politike shqiptare, e ka gjykuar që një parti konservatore e djathtë me dimension patriotik mund të shitet lehtë në publik, ndërkohë që ai si person ka mbi një dekadë e gjysmë në qarkullim në parinë politike shqiptare dhe kurrë, qoftë në një rast të vetëm, s’ka treguar nuancën më të zbehtë të patriotizmit apo të ndjeshmërisë për çështjen dhe identitetin tonë kombëtar. Rasti më flagrant i kësaj mospërfilljeje ndaj krenarisë dhe dinjitetit tonë kombëtar ishte padyshim ai i marrëveshjes detare me Greqinë, kur jo vetëm që presidenti nuk bëri detyrën e vet për ta ndalur, por përkundrazi doli në mbrojtje të hapur në intervistën e tij dhënë në ‘Top Story’, duke u shprehur që qytetarët të kenë më shumë besim tek institucionet dhe duke i konsideruar arkaike kundërshtimet e atyre që iu kundërvunë këtij pakti.
Mirëpo, edhe kur Gjykata Kushtetuese e rrëzoi në mënyrë unanime këtë pakt detar, presidenti, që hamendësohet të jetë njeriu numër një për sigurinë e integritetit territorial të shtetit, nuk pati kurajën që të bënte një akt simbolik refuzimi, por e dekretoi një ndër përgjegjësit kryesor të asaj marrëveshje, kundër-admiral Gervenin si përfaqësues të Shqipërisë në NATO. Normalisht, pas rënies së paktit, gjëja më e ndershme që mund të kishte bërë do ishte që të njihte në emër të shqiptarëve veprën e Myslim Pashajt, një ndër të paktëve heronj të gjallë shqiptarë, dhe në morinë e atyre medaljeve e titujve që i jep pa hesap kujtdo, përfshi edhe të vëllait të vet, kësaj radhe ta jepte një medalje me të vërtetë të merituar.

Nga ana tjetër, presidenti dhe zoti Spahiu do të mund të na bënin krenarë duke vënë në punë sistemin e drejtësisë, i cili e ka besueshmërinë të fikur në sytë e shtetit shqiptar pas dështimeve të çështjes së Gërdecit, të abuzimeve të rrugës Durrës-Morinë dhe zvarritjes së çështjes së 21 janarit. Shqiptarët do të ishin shumë më tepër krenarë nëse do të vinin re që zyrtarët e lartë të drejtësisë punonin me këmbëngulje për ta bërë Shqipërinë një vend ku sundon ligji e jo Maliqi, e ku të gjithë janë të barabartë para ligjit e asnjë sipër tij, sikurse kanë dalë gjithnjë e më shumë këto vitet e fundit. Po ashtu, nëse do i dhimbsej sadopak fati i vendit tonë si pasojë e zgjedhjeve, sikurse po deklaron, atëherë do të duhej që t’i kishte parandaluar abuzimet me procesin zgjedhor, duke e vënë sistemin në funksion e jo duke bërë fushatë parapërgatitore e rekrutimi për partinë e re. Plus, meqenëse qenka kaq i ndjeshëm ndaj influencës greke në Shqipëri, si shpjegohet që ka toleruar që gjyqet ndaj Bollanos, me akuza goxha të rënda, janë zvarritur për tre vite nga Gjykata e Vlorës dhe KLD-ja s’ka lëvizur gishtin për këtë çështje? Dështimi i çështjes gjyqësore të Ruzhdies apo ai i Shkodrës, i demaskuar në televizion nga përfaqësues të PDK-së, ishin një garanci për militantët e partive se ata do vazhdonin të ishin të paprekshëm e sipër ligjit për sa kohë vepronin për partinë. Nëse drejtësia do të kishte funksionuar me profesionalizëm dhe integritet që me zgjedhjet e kaluara, ne nuk do të gjendeshim në këtë udhëkryq për fatet e vendit. Nejse, është e vështirë të pritet që të merreshin masa të tilla nga njerëz me kusure në të kaluarën, sikurse është z. Spahiu, që ka qenë eksponent i spikatur i dikurshëm i Shkollës së Plepave dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në zgjedhjet famëkeqe të vitit 1996. Për të mos folur pastaj se sa e ligjshme është që një ndër funksionarët kryesorë të drejtësisë të merret haptazi me veprimtari politike, ndërkohë që është ende në detyrë.

Patriot i mirë është ai që bën detyrën e vet në shërbim të shtetit e qytetarëve me përkushtim, ndershmëri e kurajë, e jo ai që s’e tregon patriotizmin nëpërmjet kryerjes së detyrës, por thjesht merret me deklarata patetike ksenofobe e ngjyhet kuq e zi në çdo ndeshje sportive apo ngjarje historike. Fatkeqësisht, patriotë të vërtetë shqiptarë që e dëshmojnë me vepra idealin janë të paktë dhe thjesht ngelet për të thënë, gjynah për ata naivë të sinqertë që ndjekin kësilloj lëvizjesh, se me kësilloj pseudopatriotësh që marrin flamurin e çështjes kombëtare në momente të caktuara për interesa të ngushta meskine, historia jonë është e mbushur plot e përplot.

Në trend

Më shumë
Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Magazina
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Magazina
Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3

Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3

Magazina
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së

Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Evropa

"Nuk mund të bërtasësh Serbi, Serbi në një stadium përballë një populli të masakruar" - gazetari rumun shumë kritikues ndaj tifozëve

Përfaqësuesja e Kosovës
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Kalo në kategori