LAJMI I FUNDIT:

Si po e transformon Gjermaninë, lufta në Ukrainë

Si po e transformon Gjermaninë, lufta në Ukrainë
Ilustrim

Nga: Joseph C. Sternberg / The Wall Street Journal
Përkthimi: Telegrafi.com

Kancelari gjerman, Olaf Scholz, në shkurt premtoi se do t’i analizojë politikat e vendit si kundërpërgjigje ndaj pushtimit rus të Ukrainës. Gjashtë muaj pas kësaj “Zeitenwende” – pike kthese – gjërat po shkojnë më mirë se sa prisnin shumica, edhe pse më keq se sa kanë mundur të shpresojnë disa.

Më 27 shkurt – tri ditë pas fillimit të pushtimit të Vladimir Putinit në Ukrainë – në fjalimin e tij befasues para ligjvënësve z. Scholz njoftoi për tri transformime. Së pari, Berlini do t’i shtonte investimet në ushtri për ta përmbushur kështu objektivin e Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut për të shpenzuar dy për qind të prodhimit të brendshëm bruto për mbrojtjen – dhe në mënyrë specifike do ta përdorte këtë për t’i përmirësuar pajisjet, si aeroplanët luftarakë. Së dyti, Gjermania do ta trajtonte politikën energjetike si çështje të sigurisë kombëtare dhe do të largohej nga gazi natyror rus. Së treti, Berlini nuk do të ndiqte më diplomaci të pamend për hir të diplomacisë, veçanërisht ndaj autokratëve të botës.


Sado thelbësore që ishin këto premtime, zbatimi i tyre do të kërkonte ndryshime shumë më të mëdha në kulturën publike, në biznesin dhe në politikën gjermane. Realizimi i mbështetjes së votuesve për ndryshime të tilla radikale kërkon rivlerësim të plotë të interesave të Gjermanisë dhe të rolit të saj në botë. Çuditërisht, Gjermania ka filluar ta ndërmarrë këtë hap.

Zhvillimi më i rëndësishëm është për diçka që nuk ka ndodhur. Çmimet e larta të energjisë – si rezultat i shantazhit me energji ruse – dhe perspektiva e një dimri të ftohtë dhe të errët nuk po i shtynë më gjermanët të pyesin nëse ia vlen mjerimi përkitazi me bujën për Ukrainën. Rreth 70 për qind e të anketuarve – në një sondazh të muajit të kaluar të kryer nga transmetuesi publik ZDF – kanë thënë se Gjermania duhet të vazhdojë të mbështesë Ukrainën. Kjo mbështetje mund të zbehet kur të vijë dimri, por është më pak e mundshme që z. Putin do t’ia dalë mbanë.

Momenti përshpejtues ishte publikimi – në fillim të prillit – i fotografive që të shtyjnë të vjellësh nga përshkrimi i mizorive ruse në qytetin Buça. Ardhja e luftës në tokën evropiane, ndjekur kjo nga dëshmitë grafike të brutalitetit të konfliktit, duket se i ka nxitur votuesit gjermanë që të bëjnë llogaritje të reja për çmimin për rolin e tyre në botë.

Në kuadër të kësaj, Gjermania duket se po vlerëson seriozisht se si do t’i peshojë interesat e veta tregtare. Varësia energjetike nga Rusia nuk është gjysma e kësaj. Duke lënë mënjanë karburantin, marrëdhënia tregtare e Gjermanisë me Rusinë nuk është thelbësore. Vendosja e sanksioneve ndaj Moskës ende e dëmton ekonomikisht Gjermaninë, por me vetëm 26.6 miliardë euro gjatë vitit të kaluar, eksportet gjermane në Rusi barazohen me dërgesat e saja në Suedi.

Çështja më e madhe përfshin Kinën, e cila përbën 104 miliardë euro të eksporteve vjetore dhe 142 miliardë euro të importeve. Këtu nis të duket sikur se, për pazaret me autokratë, pushtimi i Ukrainës shkaktoi një ndryshim konceptual në Gjermani.

Për dekada të tëra, Gjermania e shihte tregtinë si mjet diplomatik nën moton Wandel durch Handel – “ndryshimi përmes tregtisë”. Megjithatë, gjithnjë e më shumë është vetëdija se tregtia mund të bëhet cenueshmëri strategjike nëse kompanitë dhe politikanët janë të pakujdesshëm. Nuk ka oreks për t’u tërhequr menjëherë nga Kina dhe as nuk duhet të ketë. Por, gjermanët kanë filluar të kuptojnë se ata duhet të përgatiten që tani për t’u larguar, në vend që të habiten më vonë nëse rrethanat këtë e kërkojnë – siç është pushtimi kinez i Tajvanit.

Për sa i përket politikës, një tipar i dukshëm i kthesës së z. Scholz është se sa kancelari po mungon. Ai nuk u zgjodh vitin e kaluar për të qenë udhëheqës i kohës së luftës dhe nuk është rritur në një të tillë. Stili i tij, i drejtuar nga konsensusi, e ka lënë një vakum aty ku duhet të jetë një kancelar. Mungon në debatet kryesore të politikave, veçanërisht për energjinë dhe të ardhmen e centraleve të diskutueshme atomike të vendit, duke e lënë Berlinin pa timonier.

Pastaj, era kulturore dhe ekonomike që përfshin Gjermaninë është aq e fortë saqë një transformim politik është duke u zhvilluar edhe pa lidership. Dy politikanët më të njohur në qeverinë e koalicionit të z. Scholz janë gjithashtu më të ashprit ndaj Rusisë, Kinës dhe çështje tjera të jashtme – ministrja e Jashtme Annalena Baerbock dhe ministri i Çështjeve Ekonomike dhe të Veprimit Klimatik, Robert Habeck, që të dy nga Partia e Gjelbër. Vlerësimi i qëndrueshëm miratues i z. Habeck është një sukses i jashtëzakonshëm, duke qenë se atij i bie detyra e mjerë për t’ua shpjeguar votuesve se si mungesa e energjisë ruse do t’i dëmtojë që të gjithë në këtë dimër.

Kjo u ndihmon votuesve që janë mësuar me një sërë skandalesh ftilluese e që përfshijnë ndikimin rus në politikën e Gjermanisë. Kjo përfshin ripërtëritjen e lidhjeve biznesore të ish-kancelarit Gerhard Schröder me Kremlinin dhe një skandal financimi në lidhje me lidhjet e supozuara mes pronarëve rusë të tubacionit të gazit natyror Nord Stream 2 dhe të qeverisë së shtetit verilindor të landit Mecklenburg-West Pomerania. Çështjet e reja të politikës janë gjithashtu gati për debat, të tillat nëse Gjermania duhet më në fund të bëjë frakturimin hidraulik të gazit argjilor.

Ndërkohë, Bashkimi Kristian-Demokratik (CDU) i opozitës ka parë se ka përfitim politik në heqjen e trashëgimisë së ish-kancelares Angela Merkel, e cila ishte përgjegjëse për shumë nga politikat katastrofike ekonomike, energjetike dhe të jashtme – që tani po shpërbëhen. Nën liderin e saj të ri, Friedrich Merz, CDU-ja i është rikthyer ashpërsisë tradicionale. Z. Merz ishte veçanërisht agresiv duke këmbëngulur se buxheti i shtuar ushtarak i z. Scholz po shpenzohet për pajisje ushtarake dhe jo për marrëzitë e pushtetit të butë, siç është ndihma e huaj. Votuesit po përgjigjen në mënyrë të favorshme. Në sondazhet e opinionit, CDU-ja shpesh është para socialdemokratëve të z. Scholz dhe duke zgjeruar diferencat.

Z. Scholz mbase nuk ishte nuk i kishte parashikuar si duhet forcat që i vuri në lëvizje më 27 shkurt – shumë prej të cilave tani mund të jenë të pakthyeshme dhe disa prej të cilave rrezikojnë të ardhmen e tij politike. S’ka rëndësi. Premtoi një pikë kthese, dhe kjo është ajo që merr Gjermania edhe nëse do të duhen vite të tëra për të ditur saktësisht se çfarë forme ka marrë përfundimisht kjo kthesë. /Telegrafi/