LAJMI I FUNDIT:

Shteti u krijua të komandohet nga populli

Dikur njerëzit nuk kishin shtet, nuk kishin qeveri, nuk kishin burokraci, burokratë e as demokrat. Një ditë këta njerëz donin të bënin një rrugë, një urë dhe një vend ku do të mblidheshin e të bisedonin për problemet e tyre. Për realizimin e saj, secili prej tyre vuri në dispozicion një shumë që u caktua sipas fitimeve dhe mundësisë së secilit. Pastaj caktuan disa prej tyre që të përdornin këto të ardhura për realizimin e këtij projekti. Projekti u realizua me sukses dhe ata panë se të gjithë së bashku mund të bënin shumë gjëra të mira. Kështu, vendosën ta vazhdojnë këtë praktikë me projekte tjera që i propozonin gjithmonë ata.

Por, ç’ndodhi? Projekti i fundit ngeli në mes, sepse mbaruan fondet kështu dhe punën e lanë për vitin tjetër. Por, në ndërkohë, u doli një problem tjetër: me njerëzit që merreshin me realizimin e këtyre projekteve, të cilët ngelen pa punë dhe pa të ardhura. Për të punuar nuk kishte më kohë – as për të mbjellë e as për të korrur – kështu që vendosën të paguanin secili një taksë për rrogën e tyre. Dhe, që nga ajo ditë, lindi shteti i vogël, lindi burokrati, burokracia dhe zanati që paguhet pa punuar ose më mirë të themi që për ta paguajnë ata që punojnë në prodhim.

Zyrtarët punojnë, por ajo punë nuk prodhon asgjë, pra nuk nxjerr të mira materiale, por merr prej tyre. Sa më shumë shtoheshin projektet, aq më shumë shtoheshin edhe ata që nuk punonin. Për të jetuar, filluan t’i vinin taksa popullit, të bënin projekte, të krijonin policinë, ushtrinë etj. Pra, një shtet në kuptimin e plotë të fjalës. E, për ta mbajtur gjithë këtë ushtri të papunësh, shumëfishuan taksat e atyre që punojnë duke ulur ndjeshëm fitimin e tyre.


Në këtë kohë nuk ishin njerëzit e punës, pra taksapaguesit, që merrnin vendime për projekte, por shteti. Individi u zhvesh nga roli i tij kryesor si motor i shoqërisë dhe u kthye thjesht në një transmision. Sidomos në sistemin komunist dhe fashist ai humbi edhe vlerën e të qenit njeri që mendon dhe kthehet në atë njeri që vetëm zbaton.

Këta njerëz që sot rrinë me kravate e xhaketa, kanë krijuar grupime që i quajnë parti dhe i vënë nga pas disa emra të bukur për të gënjyer ata që punojnë – popullin e thjeshtë – se ata janë në atë detyrë pikërisht për ta, “për të zbatuar projekte të mëdha në të mirën e të gjithëve”. Dhe, një herë në katër vjet kërkojnë që të votojnë për ta.

Problemi këtu qëndron se sot në çdo komb dhe nacionalitet ka brenda tij dy “popuj”: një që punon gjithë ditën dhe një që rri gjithë ditën në karrige. Problemi më i madh për të gjithë është se ata që rrinë e hanë në kurriz të atyre që punojnë, janë më shumë dhe shfrytëzojnë akoma më shumë atë popull që ka ngelur duke punuar. Rrinë nëpër zyra e nxjerrin ligje çdo ditë se si të vjelin më shumë popullin. Midis këtyre dy lloj “popujsh” nuk do të ketë kurrë barazi sociale, ligjore, të pushtetit, e si rrjedhim as demokraci.

Mënyra e vetme është shkatërrimi i kësaj forme shtetërore dhe ngritja e një shteti më të thjeshtë nga ana strukturale qendrore, duke i çuar të gjithë të tjerët të punojnë për të prodhuar. Shkrirja e çdo lloj grupimi partiak duke mos i votuar më dhe ngritja e një sistemi jopartiak për rregullimin dhe përparimin e shoqërisë. Sepse, të gjitha grupimet partiake, në të gjithë botën, qëllimin kryesor kanë ekzistencën e tyre e jo atë të popullit: populli do jetë gjithmonë, e ata jo nëse nuk kujdesen për veten.

Por, neve, popullit, kjo gjë nuk na intereson dhe dëshirojmë t’i shohim të gjithë me kazmë e lopatë në dorë. Këtë nuk arrijmë ta bëjmë dot, sepse ata e kanë në dorë edhe gurin edhe arrën. Kjo kontradiktë është një nga shkaqet kryesore të krizës botërore dhe kjo krizë do thellohet më tej nëse kjo kontradiktë nuk shuhet.

Meqenëse ata vetë nuk e kuptojnë dhe kur e kuptojnë nuk duan ta shuajnë paqësisht këtë supremaci, mund të ketë edhe trazira sociale. Kjo kontradiktë do të përfshijë gjithë shoqërinë dhe shtetet, sepse do krijohen kushtet sociale shumë të vështira për popullin.

Si përfundim, mund të them se populli e krijoi shtetin që ta komandoj për interes të tij, ndërsa tani shteti komandon popullin për interes të tij. Shteti është diçka abstrakte, por i përbërë nga njerëz konkretë që kanë interesa të ndryshme nga ato të popullit.

Kjo nuk vlen vetëm për popullin dhe shtetin tonë, por për çdo popull dhe për çdo shtet.