LAJMI I FUNDIT:

Shqiptarët duhet të vetëvendosin!

Nëse nuk e pranojmë bashkimin kombëtar si një projekt që na përket neve sot, atëherë le të mos quhemi një komb. Kombi është një bashkësi e qëndrueshme njerëzish, e formuar historikisht në bazë të bashkësisë së gjuhës, të territorit, të jetës ekonomike dhe të formimit psikik, që shfaqet në bashkësinë e kulturës.

Kombi është bashkësia e gjithë individëve që kanë origjinë, gjuhë dhe kulturë të përbashkët, pavarësisht, nëse janë ose jo të organizuar politikisht. Kombi nënkupton një projekt politik për të qenë bashkë dhe për të vetëvendosur, sepse vetëvendosja është shprehje e lirisë së tij.

Një ndër klasikët e shkencave shoqërore, Maks Weber, shkruan se “kombi është një bashkësi e ndjenjave që në mënyrë të përshtatshme e shfaq vetveten në shtetin e vet”. “Pra, kombi është një bashkësi që ka tendencë të krijojë shtetin e vet”. Kurse, në librin “Kombet dhe nacionalizmi”, të Ernest Gellnerit. shkruhet se në epokën e nacionalizmit, kombet përkufizohen si nga vullneti, po ashtu edhe kultura, por kanë si parim rregullues përputhjen e të dyjave në njësinë politike. Studiuesi bashkëkohor i nacionalizmit, Anthony D. Smith, argumenton se edhe në një epokë globale në Evropë mbizotëron dëshira për të njësuar shtetin me kombin. Historianët gjermanë, Shtrausi dhe Momzeni, e bazonin idenë e tyre të kombit te kushtet që përcaktojnë njeriun, te forcat që e komandojnë njeriun pa qenë i ndërgjegjshëm: gjuha, kultura, tradita historike… Emëruesi i përbashkët i përkufizimeve të kombit është lidhja e tij me një shtet, ose, në mungesë të shtetit, me kërkesën për të themeluar shtetin kombëtar.


Prandaj, pohimi se kombi shqiptar ekziston, automatikisht sjell me vete edhe kërkesën për një shtet kombëtar të shqiptarëve. Kjo do të thotë që logjika e artikulimit të kombit nuk të lejon që të thuash se jemi një komb, e megjithatë pranojmë të jetojmë të ndarë, apo se bashkimi është i dëmshëm për kombin. Për të parë, si për çdo veprim tjetër, duhet vullnet dhe veprim. E njëjta vlen edhe për bashkimin shqiptar. Ai nuk do të ndodhë pa vullnet dhe pa veprime.

Nëse demokracia është vullnet i lirë, le t’i lenë shqiptarët të thonë duam apo nuk duam të jemi një komb.