LAJMI I FUNDIT:

Reforma e arsimit të lartë dhe sistemi i kuponëve

Kohëve të fundit zgjerimi i numrit dhe fuqisë së universiteteve private është shoqëruar nga një nismë lobimi për të aplikuar në vendin tonë të sistemit të kuponëve (voucher) që nënkupton dhënien nga qeveria drejtpërdrejt të një kuponi që përmban një shume të parapërcaktuar në dorën e një studenti për ta shpenzuar atë në institucionin e preferuar prej tij. Ky sistem i propozuar prej Milton Friedman synon të sjellë shumë dobi në fakt sepse shton mundësinë e zgjedhjeve, duke ia lënë në dorë studentit shkollën ku do të shkojë. Nxit diversifikimin e shkollimit dhe të fondeve që financojnë arsimin. Sistemi i kuponëve nxit konkurrencën duke rritur efikasitetin e sektorit publik i cili gjithashtu duhet të garojë për të bindur studentë që kuponët e qeverisë t’i harxhojnë në shkollën e tyre duke e transformuar në mënyrë radikale ofertën.

Në parim ky sistem duket goxha i vlefshëm mirëpo ka disa rrethana konkrete që e bëjnë të mendohet se aplikimi në Shqipëri është i papërshtatshëm. Pikësëpari duhet bërë e qartë që ky sistem kur është propozuar si fillim ka pasur kryesisht si qëllim arsimin para-universitar, e jo atë universitar sikurse po promovohet tani. Pra synimi kryesor ka qenë që të mirëadministrohen fonde që qeveria jep për shkollimin në nivelin fillor dhe të mesëm duke dashur që ta shkund sistemin publik dhe ta ballafaqojë me sektorin privat duke e detyruar të rrisë përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien dhe duke e nënshtruar ndaj konkurrencës së lirë. Duhet vënë në dukje se ka një dallim të jashtëzakonshëm mes arsimit para-universitar dhe atij universitar. Qeveria ka një përgjegjësi të drejtpërdrejtë për individin deri në moshën 18 vjeçare. Më pas, kur i bie të jetë edhe mosha universitare, individi duhet të eci me këmbët e veta, është krejtësisht i përgjegjshëm para ligjit e për rrjedhojë moralisht për një liberal financimi i arsimit universitar në vetëvete nuk është edhe aq i pranueshëm. Domethënë për një liberal të vërtetë individi pasi bëhet 18 duhet ta mbajë vetë në kurriz koston e arsimit universitar meqenëse në atë moshë është bërë një individ i lirë dhe i pavarur që ka vetë në dorë fatin e jetës së tij.

Për këtë arsye sistemi i kuponëve nëpër botë është aplikuar kryesisht në sistemin e arsimit para-universitar. Përjashtim bëjnë ndonjë rast si shteti i Kolorados në SHBA ose ndonjë propozim i viteve të fundit për ta aplikuar edhe nëpër universitete në Australi apo Hong Kong. Madje në disa raste qëllimi kryesor i propozimit dhe aplikimit të sistemit të kuponëve nuk ka qenë thjesht futja e konkurrencës dhe rritja e efikasitetit të sektori publik, por edhe përpjekja për të eliminuar segregimin e minoriteteve racore. Kështu për shembull në Washington DC apo territore të tjera ku është aplikuar sistemi, është synuar që prindërit të mund të merrnin prej qeverisë kuponët e shkollimit e t’i çonin fëmijët në shkolla jashtë lagjes së tyre (duke përdorur sistemin e autobusëve për shkolla) në mënyrë që ata të largoheshin nga kriminaliteti që pllakoste në shkollat e lagjeve të zezakëve dhe të mund të rriteshin në një ambient shkollor më të shëndetshëm.


Në rastin e Shqipërisë nga një liberal i kulluar do të kërkohej që fillimisht sistemi i kuponëve të aplikohej tek arsimi para-universitar. Fundja e gjithë shoqëria paguan taksa por pothuaj të gjithë anëtarët e shoqërisë në një moment të jetës e kanë bërë apo do e bëjnë arsimin para-universitar kështu që duket edhe më e moralshme që shoqëria të paguajë për të subvencionuar arsimimin me instrumente të tregut sikurse ofron sistemi i kuponëve. Fundja një gjë e ngjashme është duke u aplikuar me sukses me subvencionime të teksteve shkollore duke bërë që subvencionimi të shkoj direkt tek përdoruesi dhe jo tek ofruesi i shërbimit apo produktit. Në rastin e arsimit universitar në përgjithësi tingëllon e pamoralshme nga prizmi liberal që shoqëria të paguajë taksa për më pak se 2% të studentëve që venë në shkolla të larta shqiptare. është edhe një tjetër element që e bën të papërshtatshëm aplikimin e sistemit të kuponëve në Shqipëri e që ka të bëjë me frikën që mundësia e këtyre kuponëve do të sillte një inflacion akoma më të madh se ky ekzistuesi për të rendur pas diplomave universitare duke braktisur shkollat profesionale apo aktivitete tradicionale si bujqësia e blegtoria. Madje në kushtet e këtij masivizimi në kurriz të cilësisë që po haset në Shqipëri duhet menduar se si të shtohen filtrat e jo të inkurajohen qytetarët që të vendosin të shkojnë e ta shfrytëzojnë me zor mundësinë që jep kuponi për të përmbytur shkollat e larta ndërkohë që në të tjera rrethana s’do të kishin shkuar në universitet. Për mos të folur pastaj për faktin që në kushtet aktuale sistemi i kuponit nuk do të ishte gjë tjetër përveçse një tjetër formë e sofistikuar për të rrjepur taksapaguesit.

Që tani janë vënë re se shumë universitete private po i ofrojnë diplomat fiktive vetëm në këmbim të pagesës pa u kujdesur për rigorozitetin e mësimdhënies dhe për përmbushjen e detyrimeve minimale të studentëve. Një pjesë e madhe e universiteteve e mban të hapur regjistrimin për programe bachelor apo master deri në pranverë të vitit akademik pa e vrarë mendjen për mungesat nga programi për të mos folur pastaj për rastet e shumta ku lihen enkas vende bosh në regjistrat e amzës për të shitur diploma pa u bërë frekuentim shkollor për ata që ofrojnë pagesa të majme. Tregu shqiptar karakterizohet nga një përpjekje për të siguruar diplomën pa frekuentim e mundim dhe nëse ofrohet edhe mundësia që ky veprim të bëhet pa nxjerrë gjë nga xhepi, situata do të shndërrohet katastrofale. Në fakt ky është edhe një ndër burimet kryesore të shpërdorimit të ofertës universitare publike. Studentët e universiteteve publike nuk e kanë për gjë të ngelin dhe përsërisin pafundësisht provime dhe vite shkollore sepse nuk mbartin kosto për shpërdorimin që janë duke i bërë një shërbimi të mbuluar nga fondet e taksapaguesve. Me pak fjalë sot shteti është i paaftë dhe i papërgatitur që të sigurojë që këto kuponë të taksapaguesve të shndërrohen në arsim të mirëfilltë dhe jo në një marrëveshje të ndyrë mes një pseudo-studenti që do veç të çertifikojë injorancën e vetë më një pseudo-diplomë shkollore dhe pronarëve pa integritet të universiteteve private. Kjo gjë ka ndodhur tashmë në mënyrë masive me subvencionimin e barnave shëndetësore sepse dihet mirë që dhjetra miliona euro të taksapaguesve vidhen prej farmacive nëpërmjet sistemit të kuponëve që në rastin e shëndetësisë quhen receta të siguruara nga shteti.

Zgjidhja liberale në arsimin e lartë shqiptar do të ishte me arsyeshme të vinte në një formë tjetër, në atë të kredive. Domethënë duke patur parasysh rëndësinë që ka cilësia e burimeve njerëzore për një vend si dhe duke e marrë të mirëqenë që qeveria duhet të shpenzojë për arsimin universitar, atëherë më e përshtatshme do të ishte që studentët e interesuar të merrnin kredi me interesa të ulëta dhe të fillonin ti shlyenin këto kredi në mënyrë graduale pa shumë presion atëherë kur të fillonin të siguronin të ardhura të mjaftueshme sikurse ndodh dendur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që të rritej konkurrenca mes universiteteve publike dhe atyre private duhet që në universitetet publike studentët të detyrohen të bëjnë pagesa që mbulojnë sa më shumë koston e arsimimit të tyre dhe në këtë mënyrë universitetet private nuk do kenë një dizavantazh të madh konkurrimi për sa i përket çmimit në treg. Vendosja e sistemit të kredive të buta do të rrisë ndjeshëm edhe përgjegjësinë dhe përkushtimin e vetë studentëve të cilët do të maten shumë herë para se t’i futen universitetit publik duke patur parasysh që herët a vonë kanë për të paguar kosto të madhe. Gjithashtu kur ata të futen në universitete publike nuk kanë për t’u treguar moskokëçarës ndaj ngeljes nëpër provime apo zvarritjes pafund të studimeve sepse çdo shpërdorim rrit koston që do t’iu duhet të paguajnë.

Mbi të gjitha do të ishte e nevojshme që jo vetëm tregu shqiptar i arsimit të lartë të përfshihej nga konkurrenca e lirë intensive por edhe vetë tregu shqiptar të futej në konkurrencë në tregun botëror. Që do të thotë se do të ishte e domosdoshme që studentët që marrin subvencione apo kredi të kenë mundësinë të zgjedhin edhe universitete jashtë vendit. Sot universitetet shqiptare janë duke i ngjarë gjithnjë e më shumë njeri tjetrit dhe janë duke bërë një garë drejt fundit. Ato po përpiqen t’i tërheqin studentët nëpërmjet garës se kush e kush ofron një diplomë më të lehtë e me më pak mundime e jo duke garuar se kush ofron shkollimin më cilësor dhe rigoroz. Logjistikisht është tmerrësisht e vështirë që të krijohej një sistem kuponësh që të lejojë studentët të shpenzojnë kuponin jashtë vendit kështu që dhënia e kredive afatgjate më kushte të buta ngelet mënyra e vetme për të siguruar mobilitetin e studentëve shqiptarë dhe daljen nga pellgu i arsimit të lartë që po kalbet në Shqipëri.

Në trend

Më shumë
Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Drenusha Latifi pranon në takim Atillën, vendosin të 'pajtohen' për hatër të fëmijëve

Magazina
Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Publikohen pamjet tronditëse të momenteve të fundit të Liam Payne sa ishte gjallë - stafi i hotelit kryen lëvizje të çuditshme dhe ka mospërputhje të kohës

Magazina
Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3

Ana lë shtëpinë e Big Brother VIP Kosova 3

Magazina
Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së

Një epokë e re në bashkëpunimin ushtarak: Ja se si vendet anëtare të BE-së "po bashkohen për një mbrojtje të avancuar”

Evropa
Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane

Angela Merkel shpreh 'shqetësim të madh' për rolin e Elon Musk në qeverinë amerikane

Botë
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë paund, burg pas zbulimit të “fabrikës” së drogës në Angli

Lajme
Kalo në kategori