LAJMI I FUNDIT:

Politika e qorrsokakut në Maqedoni

Baskët në Spanjë i gëzojnë të gjitha të drejtat në nivel të shtetit, ndërsa në nivel lokal ata janë zot të shtëpisë së tyre. Megjithatë, ata nuk janë të kënaqur dhe vazhdojnë luftën e tyre për pavarësi të plotë. Duan shtetin e tyre dhe luftojnë me një Spanjë të fuqishme që është anëtare e NATO-së dhe e Bashkimit Evropian.

Valonët dhe flamanët në Belgjikë gëzojnë të gjitha të drejtat dhe thuajse funksionojnë si Konfederatë, por megjithatë ata duan të ndahen. Kuebeki në Kanada gëzon autonomi të plotë, por megjithatë edhe ata duan të ndahen.

Shqiptarët në Ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë, akoma merren me flamurin, gjuhën, me kuota shtetërore, me disa njëzet përqindje e me muze të alfabetit apo të lirisë (kjo e fundit absurd në vete, sepse nuk e di për çfarë lirie e kanë fjalën). Por, ja që dekada e dytë e shekullit XXI po fillon dhe ata akoma kërkojnë gjuhën, flamurin, punësim dhe bukë. Kjo ndodh kur kanë politikanë apo funksionarë politikë me hipoteka të mëdha, dhe një participues shqiptar në vendimmarrje që në fakt nuk ka asnjë lloj ndikimi, sepse kanë pranuar të bëhet pjesë e Qeverisë pa platformë politike, pa agjendë politike, pa kushte dhe në vend që të ishin konstruktiv kur ishin në opozitë ata bënin sabotazhe dhe komplote me Gruevskin (siç ishte marrëveshja e majit 2009).


Është një rregull e pashkruar që thotë: nëse luan me zjarrin do të digjesh vetë. Tani ndodhi që nuk dinë çfarë të votojnë, çfarë të propozojnë, as të rrinë në Qeveri e as të dalin, sepse edhe njëra e edhe tjetra e ka çmimin e vet, që siç duket zotërinjtë e BDI-së nuk janë në gjendje ta paguajnë. Andaj kanë zgjedhur heshtjen totale dhe nuk e dinë çfarë do t’u sjell mëngjesi e çfarë mbrëmja. Nuk janë në gjendje as t’ia përmendin emrin Gruevskit nga trishtimi se po i dëgjon, e lëre më të kërkojnë ndonjë të "drejtë" natyrale që do t’ju takonte.

Fjala e urtë thotë: "Nëse ia bënë varrin tjetrit, mund të ndodh vetë të hysh aty".