LAJMI I FUNDIT:

Open Balkan dhe Kosova

Open Balkan dhe Kosova

Çdo ditë e më tepër lexojmë shkrime pro dhe kundër një marrëveshjeje mes tri shteteve të Ballkanit – Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja që në nismë u quajt Mini-Schengen, e tani Open Balkan, në aspektin ekonomik Shqipërisë do t’i sjellë përfitime vetëm në rrafshin e turizmit. Ndërsa, synimet e Serbisë janë që t’i dominojë, në aspektin ekonomik, shtetet që e kanë nënshtruar e do ta nënshkruajnë marrëveshjen, kur dihet mirë fuqia e saj prodhuese. Por, nuk përjashtohet as dalja në det, përkatësisht shfrytëzimi i portit të Durrësit për interesat ekonomike serbe. Për Maqedoninë e Veriut, kjo marrëveshje nuk do të sjellë diçka të madhe pos që do ta rrisë pak eksportin e disa prodhimeve të saj në Kosovë, në Mal të Zi dhe në Bosnje e Hercegovinë.

Në aspektin politik, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, përmes Open Balkan-it po mundohet që para Perëndimit të duket si një prej liderëve kryesorë të Ballkanit. Por, qëllim e ka që të tingëllojë edhe si zëri i të gjithë shqiptarëve në Ballkan e më gjerë, sidomos tash kur i ka ftohur raportet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, i cili po ashtu mundohet që me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, ta shtrijë ndikimin në Shqipëri. Presidenti serb, Aleksandar Vuqiq, është duke e shfrytëzuar këtë çarje të Ramës me Kurtin duke u munduar që në sy të ndërkombëtarëve të paraqitet si politikan që nuk dëshiron probleme dhe që nuk paraqet rrezik për rajonin. Ndërkaq, kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, mundohet ta sigurojë përkrahjen e shqiptarëve – duke e fituar simpatinë e Ramës – e t’i shfrytëzojë ata për zgjedhjet e ardhme në vend.

Si duhet të veprojë Kosova kur i bëhet presion që t’i bashkohet nismës Rama-Zaev-Vuçiq?


Kosova së pari duhet të kërkojë vendosjen e marrëdhënieve me Serbinë, si mes dy shteteve të pavarura. Në raport me Shqipërinë, Kosova nuk duhet të pranojë të bëhen më mbledhjet e përbashkëta pa zbatimin e të gjitha marrëveshjeve ekonomike të cilat janë nënshkruar më parë (e që nuk po zbatohen). Ndërkaq, në raport me Maqedoninë e Veriut, shteti ynë duhet të kërkojë që të drejtat e shqiptarëve të zbatohen në tërësi.

Por, mbi të gjitha, Kosova duhet ta luftojë informalitetin përmes fiskalizimit të bizneseve dhe vetëdijesimit të popullatës për këtë. Gjithashtu duhet të investohet në rritjen e prodhimit vendor që do ta mbushte tregun e brendshëm e do ta lironte nga importi tejskajshëm. Nuk duhet përjashtuar edhe rritja e cilësisë në arsim dhe në shëndetësi. Madje, këto dyja duhet të jenë primare kur dihet se sa kohë humbet në debatet nëse duhet të jemi apo jo pjesë e Open Balkan-it.