LAJMI I FUNDIT:

Një dasmë si mesazh politik

Një dasmë si mesazh politik

Konferenca e Londrës, në pranverë të vitit 1913, kishte ndaluar përkohësisht gjenocidin serb ndaj shqiptarëve dhe iu kishte dhënë fund aspiratave serbe për Durrësin dhe për portet tjera shqiptare. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se kishin ardhur ditë të mira për shqiptarët. Përkundrazi. Gjenocidi kishte vazhduar që nga viti 1912 dhe ishte ndërprerë me invadimin austro-hungarez në Luftën e Parë Botërore. Pasi kishin marr frymë nën Perandorinë që do të shuhej pak vite më pas, shqiptarët jashtë Shqipërisë Londineze, më 1918, e gjetën veten prapë nën thikën serbe.

Të trimëruar se nga Lufta e Madhe kishin dal të rreshtuar me fitimtarët, serbët vazhduan vrasjet, deportimet, dhunën, kolonizimin, shtypjen dhe dehumanizimin e shqiptarëve, sidomos në Kosovë. Por, mrekullia e Zotit: shqiptarët nuk po jepeshin. Ashti i fortë i kësaj race të vjetër nuk po thyhej. Gjeni i fortë, vullneti i hekurt për jetë, familja e madhe dhe e bashkuar, lidhja e pashkëputshme ndërmjet vete, po e habisnin zullumqarin serb. Edhe pas goditjeve – si masakrat e pandërprera, vrasja sistematike e krerëve, zullumi i përditshëm dhe, sidomos, pas goditjes së kolonizimit që do ta shembte përdhe çdo popull – shqiptari vazhdonte të gjallonte, të punonte, të ndërtonte veten nën një gur që do t’ia zinte gjithkujt frymën. Por, jo atij!

Në këtë situatë, pas kolonizimit serbët hodhën në tryezë kartën e shpërnguljes së shqiptarëve në Turqi. Edhe kjo goditje ishte e rëndë dhe do ta shkatërronte çdo racë. Sidomos se vinte e manifestohej me masa krejt të tjera. Imagjinoni, një njeri që po e ngufasin me një litar në fyt dhe, në këtë situatë, po ia ofrojnë me “zemërgjerësi” shpërnguljen për në Turqi. Eh, kjo do ta zhbënte çdo racë, çdo etni. Por, çuditërisht, jo shqiptarin. E pashpjegueshme sidomos me kutin matës të shekullit XXI. Dhe, meritat për këtë janë ekskluzivisht të krerëve të atëhershëm të shqiptarëve të Kosovës. Po, ata kishin frenuar shqiptarët që mos ta lënin Kosovën. Shpesh, edhe me mesazhe të koduara dhe interesante. Sepse, nuk kishte struktura politike, nuk kishte shkolla, nuk kishte gazeta, nuk kishte media tjera për ta transmetuar një mesazh të tillë.


Më i njohuri dhe më karizmatiku nga krerët e kishte dhënë mesazhin në mënyrë shumë origjinale. Pa asnjë nevojë, kur po refuzonte të nënshkruante vendimin për shpërnguljen e shqiptarëve – për të cilin refuzim, serbët e kishin vrarë pastaj – kishte filluar të ndërtonte në Bllacën e tij një shtëpi dykatëshe, me tulla dhe me material e plan që deri atëherë nuk ishte i zakonshëm. Kur vinin njerëzit t’ia urojnë shtëpinë e re, befasoheshin dhe e “qortonin” pse po ndërtonte gjithë atë shtëpi, kur ata po përgatiteshin ta lëshonin Kosovën. Ramë Bllaca i siguronte se nuk ka kurrfarë plani të tillë. Dhe, nuk kishte mesazh më të mirë sesa ndërtimi i një shtëpie të tillë madhështore për ta plasuar vendosmërinë e tij për të mos e lëshuar këtë vend të bekuar. Dhe, ky nuk ishte mesazhi i parë kësisoj. 4-5 vjet më parë, Ramë Bllaca e krerët e tjerë kishin dhënë një mesazh interesant për të mos u larguar nga Kosova. Mesazhi u dha – shih çudinë – me një dasmë.

Diku në fillim të korrikut të vitit 1933, njëri nga krerët karizmatik të shqiptarëve të Kosovës, Banush Sedllari, kishte thirr prijësit e tjerë për (në shikim të parë) përurimin e odës së tij, por aty u biseduan gjëra shumë më të rëndësishme. Aty Banushi propozoi organizimin e një tubimi të madh popullor, që do ta emërtojnë “Dasmë”, ku do të ftoheshin të gjithë prijësit, krerët, bajraktarët, deputetët e burrat e njohur të Kosovës. Hajrë Karaqica nga Vukoci tha se ai do ta organizonte këtë dasmë, për martesën e djalit të tij. Harxhimet do të ishin të tij, tha Hajra, ndërsa organizimi u mbetet atyre. Dhe, u caktuan krerët që do ta ftonin shqiptarinë në këtë dasmë.

Hajra paska thanë: “Ai shqiptar që merr vesh se kam dasmë e s’më vjen, mos t’i thotë vetit se jam burrë, se unë nuk kam vetëm dasmë, por edhe tubim të shqiptarëve”. Një gjë e paparë deri më atëherë, familjarisht ftohen në dasmë të gjitha fshatrat përreth. Dikush thotë se kishin marr pjesë 8,000 dasmorë, ndërsa në një libër (Fehmi Pushkolli dhe Haxhere Godeni, “Ibrahim Banush Hoxha”, Institutit të Historisë Bashkëkohor i Prishtinës, Prishtinë, 2002, f.56; këto shënime dhe disa detaje më poshtë për dasmën unë i kam marrë nga libri i Mehmet Rukiqit, “Tahir Berisha”, Prishtinë, 2008), thuhet se ishin rreth 30,000 veta.

Disa detaje të kësaj dasme legjendare: u blenë 1200 kilogramë bukë në furrat e Prishtinës; Banush Sedllari solli si dhuratë dy pendë qe (dema) dhe 60 copë bagëti të imta; shumë mysafirë të tjerë po ashtu sollën desh e dele; nga pasuria e Hajrës u prenë 25 pendë qe (dema); tenda që u ndërtua për mysafirët zinte një hektarë (10,000 metra katrorë); vetëm për shërbime, pritje e përcjellje dhe për dhuratat e dasmorëve ishin caktuar mbi 1,000 vetë; aty ishin rapsodët e gjithë rajonit të prirë Bajram Sadiku e Ali Paci të Drenocit të Malishevës; kishte valle popullore, humor, lojëra humoristike e binxhinjtë luajtën atllarët edhe brenda tendës gjigante; dy bunarë ishin mbushur me sheqer për të nxjerrë sherbet me kova; mysafirët u shpërndanë për të fjetur në një rreze prej 10 kilometrash; kur Ramë Bllaca, Shaban Polluzha, Iljaz Agushi e krerët e tjerë po u prinin dasmorëve dhe kishin mbërri te miku në Komoran (nga Kishnareka), afër 12 kilometra, dasmorët e tjerë ende s’ishin nisur nga tenda në Vukoc; kishte 50 magjetore; disiplina ishte në nivel të lartë; asnjë nuk u hidhërua; asnjë fëmijë nuk u dëgjua duke qarë. (“Tahir Berisha”, Prishtinë, 2008)

Kur e pyetën Hajrë Karaqicën për arsyen pse e kishte bërë këtë dasmë të madhe për martesën e djalit të tij, Ilazit, me nusen Sala Ferati, të bijën e Dah Feratit nga Komarani, Hajra iu përgjigj: “Sepse Banush Sedllari, Ramë Bllaca, unë e shumë dashamirë dëshiruam të gjejmë një mënyrë si t’i bashkojmë shqiptarët. Për ata, ia ngjitëm emrin ‘Dasma e Madhe’! (po aty)

Kjo dasmë pati jehonë të madhe; për të kishin shkruar gazetat e Shkodrës dhe aty pati edhe gazetarë të huaj. Njerëzit e trajtuan atë si një miting të madh popullor, që kishte qëllimin të jap një mesazh. Një mesazh politik, një mesazh për t’u treguar shqiptarëve se ky ishte vendi i tyre dhe, pavarësisht dhunës, programeve, nxitjeve dhe presioneve të serbëve, shqiptarët duhet të mos lëvizin nga Kosova e bekuar. Dhe, pranohet botërisht se ky mesazh, bashkë me shumë të tjera – shtëpia e Ramë Bllacës, mes tjerash – ia ka arritur të ndalojë në masë të madhe shpërnguljen e shqiptarëve të Kosovës për në Turqi. Lagjet e Vukocit, sipas deklarimit dhënë autorit të librit që citova, paskan thënë se para dasmës së Hajrës e kishin qitë tokën në Pazar për të shkuar në Turqi.

Sa keq që sot, edhe pse në kushte shumë më të favorshme, nuk kemi krerë të tillë; përkundrazi sot e kemi një pari që me veprimet e veta po e zbraz Kosovën, tash në një drejtim tjetër – në Perëndim.
Sa keq që sot të rinjtë e Kosovës dinë për çdo detaj për dasmat e martesat glamuroze të familjeve botërore, por nuk dinë se në një fshat në qendër të Kosovës ka pasë një dasmë që për nga madhështia ka qenë mbretërore dhe për nga rëndësia, mobilizimi, organizimi e, sidomos, mesazhi, ka qenë pasuri kombëtare.

Pasuri kombëtare, prej sojit të të cilave kemi hequr dorë moti, vullnetarisht…