LAJMI I FUNDIT:

Makthi i politologëve: Mobokracia, ose sundimi nga turmat

Makthi i politologëve: Mobokracia, ose sundimi nga turmat

“The Economist”

Liberalët bëhen “dembelë” kur mendojnë për turmat. Ata kanë brohoritur për “fuqinë e popullit” kur ajo kërcënon regjimet që ata nuk i aprovojnë, si për shembull në Lindjen e Mesme, ndërsa nga ana tjetër bëjnë një sy qorr ndaj teprimeve nga protestuesit që ata mendojnë se janë në anën e djathtë të historisë.

Në gushtin e vitit 2020, një botues i çështjeve publike botoi librin “Në mbrojtje të plaçkitjes: Një histori e trazuar e veprimit jocivil” nga Vicky Osterweil. Pushtimi i Kapitolit nga turma e mbështetësve të presidentit Donald Trump, më 6 janar, ishte një kujtesë e rreziqeve që vijnë nga luajtja me zjarrin.


Është naive të supozohet se turmat do të kufizohen vetëm në anën “e bukur” të spektrit politik; nga natyra e tij, lloji i turmave të krahut të majtë gjeneron llojin e turmave në të djathtë. Dhe, është dyfish naive të presësh që turmat do t’i vendosin kufij vetes; dalja jashtë kontrollit është në natyrën e tyre.

Filozofët politikë e kanë thënë këtë gjë vazhdimisht për më shumë se dymijë vjet. Teoricienët politikë para-modernë nuk u lodhën asnjëherë të paralajmëronin se sa herë që do të përfitojë nga rasti, “përbindëshi me shumë kokë” do të shkelë rendin në fuqi.

Edhe mendimtarët liberalë shqetësoheshin se demokracia mund të krijonte “mobokraci” (sundim të turmave). Ata argumentuan se vullneti i njerëzve duhej të frenohej nga një kombinim i ligjeve të Kushtetutës (të drejtat individuale, bashkë me kontrollet dhe ekuilibrat) dhe i kulturës qytetare. Më i mençuri midis tyre shtoi se prishja e kufizimeve të tilla mund ta shndërrojë demokracinë në sundimin e turmës.

Vepra e parë e madhe e filozofisë politike, “Republika” e Platonit, ishte, pjesërisht, një meditim mbi të këqijat që vijnë nga sundimi i turmës. Platoni e konsideronte demokracinë si më shumë sesa sundimi i turmës me një emër tjetër, ndoshta jo të dhunshme, të paktën në fillim, por me të njëjtën mungesë të kontrollit të impulsit. Ai krahasoi qytetarët e demokracive me blerësit që shohin në treg një “pallto me shumë ngjyra” dhe e blejnë atë vetëm për të zbuluar se shqepet kur është veshur vetëm dy herë. Ai vuri në dukje se demokracitë janë të vështira për t’ua provuar kufijtë.

Gjithashtu, Platoni argumentoi se demokracitë degradojnë në mënyrë të pashmangshme në anarki, pasi të varfrit plaçkitnin të pasurit, dhe kaosi prodhon kolaps. Anarkia çon në sundimin e tiranëve: një lider autoritar, mund t’u drejtohet instinkteve më të këqija të turmës, pasi ai vetëdrejtohet nga instinktet e tij më të këqija. Ai është në një farë mënyre turma në formën e një personi të vetëm. Për Platonin, e vetmja alternativë e zbatueshme për sundimin e turmës ishte sundimi i një kaste gardianësh: mbretër-filozofë, të stërvitur që në foshnjëri për të kontrolluar emocionet e tyre dhe për ta vendosur mençurinë përpara instinktit.

Aristoteli, nxënësi i madh i Platonit, bëri dallimin midis tre formave të ligjshme të qeverisjes: mbretërimit, aristokracisë dhe demokracisë. Ai argumentoi se secila prej tyre ka hijet e saj të errëta: tiraninë, oligarkinë dhe sundimin e turmës. Pastaj, ai i përshkroi mënyrat në të cilat këto forma të virtytshme të qeverisjes evoluojnë në të kundërtat e tyre: demokracia bëhet sundim i turmës, ku të pasurit rrëmbejnë pasurinë e shoqërisë. Duke qenë një mendimtar më praktik se Platoni, Aristoteli argumentoi se kishte dy mënyra për të parandaluar degradimin e demokracisë në një mobokraci: përzierja e saj me elemente të mbretërisë dhe aristokracisë për të frenuar vullnetin e njerëzve; dhe krijimi i një klase të madhe të mesme që ka për interes stabilitetin e vendit.

Shekujt vijues sollën disa risi në të menduarit mbi turmën. Makiaveli spekuloi se princat e zgjuar mund të ishin në gjendje të përfitonin nga kaosi, nëse ata mund ta përdornin turmën kundër një regjimi në shpërbërje e sipër.

Ndërkohë, elitat kënaqeshin me demonizimin e saj. Ata shpikën një mori emrash të frikshëm për popullin -“kafshë me shumë kokë”, “turmë e vrazhdë”, “vulgu i lëvizshëm”, ose një turmë e ndryshueshme e cila dha shkas për termin anglisht mob – “turmë”. Ata gjithashtu shpikën mënyra cinike për të devijuar energjitë e saj anarkike, veçanërisht “bukën dhe cirkun” në kohën e Perandorisë Romake.

Por, qasja ndryshoi me revolucionet franceze dhe amerikane të cilat bazoheshin në qasje të kundërta për sundimin e turmës. Në fillim, shumë njerëz e lavdëruan “fuqinë e popullit” gjatë revolucionit francez. Por, po shumë prej tyre ndryshuan mendje kur zbuluan se larg nga çlirimi i mirësisë natyrore të njeriut, revolucioni kishte liruar demonët e tij të brendshëm. Pra, Revolucioni Francez prodhoi një kritikë të fuqishme konservatore ndaj sundimit të turmës. Në librin e tij “Reflektime mbi Revolucionin në Francë”, Edmund Burke thotë se turma ka një psikologji kolektive që e bën të rrezikshme në një mënyrë unike. Ai parashikoi shumë saktë se revolucioni do të përfundonte me masakrimin e mijëra njerëzve (përfshirë mbretin, mbretëreshën dhe priftërinjtë) dhe ngjitjen në pushtet të një diktatori që mund të rivendoste rendin dhe ligjin.

Revolucioni Amerikan pati sukses atje ku dështoi Revolucioni Francez dhe pasardhësit e tij, pasi u bazua në frikën ndaj “kaosit dhe neverisë e padurimit të turmës”. Etërit themelues të ShBA-së, argumentuan se demokracia mund të shmangte shndërrimin në mobokraci vetëm nëse ajo ishte e mbrojtur nga një seri kufizimesh që kontrollojnë fuqinë e njerëzve. Ajo u nda midis degëve të qeverisë, në një mënyrë të tillë që askush të mos e përdorte më shumë sesa duhej. Qytetarëve iu dhanë të drejta të gjëra kushtetuese. Senatorëve mandate gjashtëvjeçare për të mos qenë të ndërvarur nga zgjedhjet presidenciale. Gjyqtarët e Gjykatës së Lartë u emëruan për gjithë jetën, për t’u siguruar që ata të mos shkarkohen nga njerëzit e degëve të tjera të pushtetit.

Lufta e Dytë Botërore dhe disfata e nazizmit sollën një epokë të vetëbesimit demokratik, ndërsa rënia e Murit të Berlinit një eufori demokratike. Por, disa pesimistë vazhduan të paralajmëronin se demokracitë mund të degjeneronin në sundimin e turmës nëse ata neglizhonin shëndetin e institucioneve të tyre politike dhe kulturën qytetare. Dhe, vitet e fundit, pesimistët janë shtuar. Përvoja e vendeve të tilla si Egjipti gjatë Pranverës Arabe, i konfirmoi paralajmërimet se pa institucione të forta, demokracia do t’i nënshtrohej sundimit të turmës. Zgjedhja e Donald Trumpit, një yll i spektakleve televizive, ngriti pyetje të mëdha rreth shëndetit të regjimit politik të Amerikës.

Por, epoka e naivitetit demokratik vdiq më 6 janar. Tani ka ardhur koha për një epokë të sofistikimit demokratik. Demokracitë mund të jenë mbrojtja më e mirë kundër sundimit të turmës, por ato mund të jenë të suksesshme vetëm nëse vendet bëjnë përpjekjet e nevojshme për të ushqyer institucionet demokratike: duke u mbrojtur nga pabarazia e tepruar, duke siguruar që votuesit të kenë qasje në informacione objektive, në reduktimin e fluksit të parave në politikë, si dhe në forcimin e kontrolleve dhe ekuilibrave.

Përndryshe, sundimi i popullit do të bëhet vërtet sundimi  i turmës, dhe rendi i qëndrueshëm demokratik që lulëzoi nga Lufta e Dytë Botërore e tutje, do të duket vetëm si një kuriozitet i shkurtër historik. /Në shqip nga: Bota.al/