LAJMI I FUNDIT:

Kosova mes politikave realiste dhe diplomacisë aktive

Dy vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosova është njohur nga 65 shtete. Ky është një ritëm i qëndrueshëm, një ritëm impresiv në rrugën e ndërtimit të shtetësisë dhe të forcimit të legjitimitetit ndërkombëtar. Pse është ritëm impresiv…? Është ritëm impresiv në raport me sfidat e ndryshme që i bëhen shtetit të Kosovës për mosnjohje nga Beogradi, por edhe nga vendet që frikësohen nga ndikimet retroakive që mund t’i ketë “çështja e Kosovës” për vendet e tyre. Qëndrimet e këtilla, dëshmojnë mungesën e pragmatizmit dhe të politikave realiste. Ndërkaq, 65% e njohjeve të deritashme, vijnë si refleksion i akteve të shteteve që politikat e brendshme dhe të jashtme, i kanë të ndërtuara mbi bazën e fortë të veprimeve realiste. Prej 17 shkurtit 2008 dhe deri më 16 janar të vitit 2009, Republika e Kosovës u njoh nga 53 shtete. Ky, ishte në fakt korpusi i vendeve që përbëjnë fuqinë globale ndërkombëtare (nëse e përjashtojmë Kinën dhe Rusinë), si në planin politik, ekonomik, kulturorë dhe veçanërisht në planin ushtarak.

Efikasiteti i politikave realiste dhe diplomacia aktive

Njohja shumë e shpejtë e Republikës së Kosovës nga SHBA-të, Gjermania, Franca, Italia, Japonia, Anglia, Turqia etj. ka qenë treguesi themelorë se në marrëdhëniet aktuale ndërkombëtare të shek. XXI, është instaluar fuqishëm shkalla e politikave realiste dhe e sistemit të diplomacisë aktive. Ky sistem, shmangë nga hapësirat e rendit modern global politikat agresive ( politika serbe, koreanoveriore, iraniane), shmangë diplomacitë sekrete (diplomacia ruse, kubaneze, siriane), shmangë politikat e forcës (politika ruse, venezueliane, kineze). Gjithashtu, ky sistem bën të mundur të shmangë “status quot” e dëmshme-rrënuese, politikat izolative pse jo, edhe politikat kriminale dhe anarkiste (rasti i Greqisë), që po zënë vend aty-këtu në rendin aktual ndërkombëtar.


Prandaj, nëse konstatojmë se njohjet e deritashme janë të pakta në numër, kjo nuk përkon me gjendjen dhe rëndësinë politike dhe trategjike që kanë njohjet e deritashme: grupshtetet e lartpërmendura paraqesin politika universale, fuqi, përkrahje etj. Mbi të gjitha, këto njohje përbëjnë siguri dhe garanci për zhvillimin, qëndrueshmërinë dhe forcimin e shtetësisë së Republikës së Kosovës.

Gjatë vitit 2009, shtetet që e kanë njohur Kosovën paraqesin korpusin e shteteve me fuqi pakrahasimisht më të vogël në raport me shtetet e grupit të lartpërmendur mirëpo, janë 12 shtete që e kanë njohur Kosovën dhe ky s’është një numër për t’u nënçmuar. Sepse, disa nga këto shtete njohëse, reflektojnë imazh të mirë në rendin politik dhe juridik ndërkombëtar (Arabia Saudite, Panamaja, Zelanda e Re). Kronologjia e “65 njohjeve” të deritashme, pasqyron grupshtete që mund të analizohen në dimensione të ndryshme.

Bazuar nga aspekti teritorial-gjeografik, Republika e Kosovës është njohur nga shumica e vendeve ballkanike ( Shqipëria, Bullgaria, Sllovenia, Kroacia etj.). Ndërkaq, ajo që është evidente dhe që reflekton pasqyrë pozitive për Kosovën është njohja e Republikës së Kosovës nga pothuajse të gjitha vendet e Unionit Evropian. Me këto njohje, pavarësia e Kosovës definitivsht kuptohet që është diçka që nuk kthehet prapa (nuk revidohet).

Gjatë një takimi me kryeministrin e Kosovës z. Hashim Thaçi, pak ditë më parë në Prishtinë, përfaqësuesja e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e UE-së, znj.Catherine Ashton, tha se “BE-ja do ta ndihmojë zhvillimin dhe integrimin e Kosovës dhe se ky rajon është një prioritet për mua. Ne dëshirojmë të sigurohemi që jemi duke ofruar bashkëpunimin dhe mbështetjen”. Njohjet nga jashtë kontinentit tonë si nga SHBA, Japonia, Australia, Kanadaja etj., dëshmojnë përparimin gradual të Kosovës në familjen e madhe ndërkombëtare të shteteve dhe legjitimitetin shtetërorë të Kosovës, për të qenë edhe pjesë e mekanizmave dhe institucioneve ndërkombëtare.

Pakthyeshmëria e statusit të Kosovës dhe vazhdimi efikas i lobimit

Shtetet që e kanë njohur tashmë Kosovën, marrin pjesë ose bëhen pjesë e zhvillimit, e sigurisë dhe e perspektivave të Kosovës në fusha të ndryshme. Resurset e shumta të këtyre vendeve, e ndihmojnë Kosovën në ngritjen dhe ndërtimin e kapaciteteve administrative-shtetërore, ekonomike-kultutrore, e ndihmojnë në shkëmbimin e përvojave koekzistente, në avancimin e sistemit dhe të qeverisjes së shtetit ligjor, në avancimin e fushave relevante (bujqësi, turizëm, teknologji industriale, xehetari etj), dhe padyshim që krijojnë kushte dhe perspektiva që Republika e Kosovës të ketë të ardhme stabile. Një pjesë e madhe e këtyre vendeve, edhe gjeografikisht janë mjaft afër Kosovës. Kosova, ka referenca ku të mbështetet për t’u zhvilluar dhe për t’u forcuar për të qenë e sigurt në të tashmen dhe në të ardhmen e saj.

Kosova ka nevojë për më shumë njohje. Efikasiteti në rritjen e numrit të shteteve njohëse, determinohet gjithnjë në politika elokuente, në diplomaci të dinamizuar. Ajo që konsiderohet lobim, është padyshim një gamë e gjerë e nevojave tona shtetërore për ta përmbyllur ciklin e shtetbërjes. Konform të gjithave, mund të forcohen edhe më shumë elementet e lobimit: interferimet në qendrat e mëdha ndërkombëtare-vendosëse, takimet diplomatike me influencë, sigurimi dhe përdorimi i instrumenteve shtetërore për lobim, përdorimi i përvojave historike-diplomatike etj. Qeveria dhe MPJ e Kosovës, është e angazhuar theksueshëm në fushën e dinamizimit të diplomacisë aktive për ta ngritur numëruesin e shteteve njohëse. Ne mund të shohim avantazhe në këtë drejtim dhe ngritje të interesit të vendeve të ndryshme qoftë duke u interesuar për ta njohur Kosovën, qoftë duke u përgatitur për ta njohur.

Njohja e Kosovës është e pakthyeshme. Pakthyeshmëria e statusit të Kosovës, do të mund të vihej në pikëpyetje eventualisht, nëse do të ndodhin ndryshime ekstreme në rendin ndërkombëtar ose ndryshime ( konfigurime) të hartës politike-teritoriale të Ballkanit. Në një ligjëratë të mbajtur ditë më parë në Universitetin e Harvardit, Ndihmëssekretari amerikan i shtetit Philip Gordon, ka thënë se “SHBA-të mbesin të përkushtuara ndaj sovranitetit dhe integritetit territorial të Kosovës, dhe se pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme”. Gordon, e ka porositur Serbinë, që të sigurojë stabilitet për Kosovën. Ambasadori i Republikës së Frances në Beograd, z. Zhan Fransoa Teral, ka thënë për gazetën serbe “Veçernji list” se, “Franca e ka njohur pavarësinë e Kosovës, dhe kjo është një situatë e pakthyeshme”.

Prishtina, logjikisht të orientohet edhe më shumë të lobojë në regjionet e vendeve që dikur i kanë takuar “Botës së Tretë”, apo në hapësirën e ish vendeve të painkuadruara. Dhe s’diskutohet, në gjirin e vendeve arabe. Janë me dhjetëra shtete që s’kanë shumë informacion, që s’kanë ndoshta as shumë interes, madje as kapacitete që të merren me problemin e njohjes së Republikës së Kosovës. Mendoj që janë të mundshme format kontaktuese-propaganduese. Pse jo: të hulumtohen edhe elementet historike, të shqyrtohen perspektivat ekonomike, të shkëmbehen informacionet dhe vizionet e bashkëpunimit në sfera të interesave të përbashkëta etj.

Do t’ishte e udhës që një mori konferencash dhe forumesh të niveleve të larta në fusha të ndryshme, përfshirë edhe ftesa për vizita të personaliteteve të larta (president, ministra, biznesmenë), të aranzhohen nga Prishtina. Kostoja e lobimit sado e lartë, mundëson lëvizje dhe hapa për njohje të shtuara, kurse njohjet nxisin perspektivë dhe qëndrueshmëri, zhvillim më të avancuar të vendit.

Në trend

Më shumë
Viktimat e aksidentit në Çubrel të Skenderajt janë nga Peja, Muhaxheri: Humbje e madhe - ngushëllime familjes Gashi

Viktimat e aksidentit në Çubrel të Skenderajt janë nga Peja, Muhaxheri: Humbje e madhe - ngushëllime familjes Gashi

Kronikë e zezë
Aksidenti me tre viktima në Çubrel të Skenderajt: Edhe pesë të lënduar, katër prej tyre zyrtarë policorë

Aksidenti me tre viktima në Çubrel të Skenderajt: Edhe pesë të lënduar, katër prej tyre zyrtarë policorë

Kronika e Zezë
Endrick plus para: Oferta e madhe e Real Madridit për transferimin e yllit kolumbian

Endrick plus para: Oferta e madhe e Real Madridit për transferimin e yllit kolumbian

Ndërkombëtare
Neymar arrin marrëveshje me klubin e ri, zyrtarizimi çështje ditësh

Neymar arrin marrëveshje me klubin e ri, zyrtarizimi çështje ditësh

Ndërkombëtare
E quajti Ramush Haradinajn “gjeneral të vetëshpallur”, OVL-UÇK në Pejë i reagon Gërvallës

E quajti Ramush Haradinajn “gjeneral të vetëshpallur”, OVL-UÇK në Pejë i reagon Gërvallës

Lajme
Gerta - Gjestit: Kë do të shpëtoje po të mos ishte Egli?, banori befason me përgjigjen

Gerta - Gjestit: Kë do të shpëtoje po të mos ishte Egli?, banori befason me përgjigjen

Magazina
Kalo në kategori