LAJMI I FUNDIT:

Çajtorja si institucion

Çajtorja si institucion

“Menta” nuk është vetëm një lloj çaji. Njëherësh, me këtë emër njihet edhe një çajtore e spikatur në qendër të Prizrenit. Verës rrihet jashtë, përskaj mureve të xhamisë “Sinan Pasha”, e dimrit brenda, afër stufës.

Në fakt, një çajtore tjetër është në fokus të këtij shkrimi. Fjala është për “Ziko”, me lokacion në lagjen Dragoman, në rrugën që të çon për në Kurillë, pjesën më atraktive të qytetit për nga çajtoret. Fillimisht duhet të pohoj se ky shkrim nuk përmban kurrfarë qëllimi të marketingut.

Këto nuk janë vetëm ambiente ku konsumohet çaji apo salepi; ato gjithashtu janë vendtakim i banorëve të shumë lagjeve. Aty përcillet “Kurtlar Vadisi” bashkërisht, e sa për ndeshjet futbollistike as që ka nevojë të flitet. I vetmi tym që mund të haset aty është ai i duhanit (kur janë të sigurt se nuk kontrollon inspeksioni). Bile të sharat në gjendje emocionale bëhen në shumës, shpeshherë në diatezën pësore (sa për ilustrim: jo “ma hangsh”, po “na e hangsh”). Pra, ka një shpirt solidar ai komunitet. Qëndrimi kolektiv konsiston shpeshherë të jetë homogjen: të gjithë janë pro Pollatit, ta zëmë. Divergjenca është vetëm te skuadrat e zemrës, rëndom ekipet turke kur ato luajnë kundër njëra-tjetrës.


Nuk mungojnë as debatet politike. Myshteriu i rregullt i çajtoreve në qytetin tim është i kalitur që me një dorë të mbajë filxhanin për t’i shijuar gllënjkat e kafesë, me dorën tjetër të hedhë zarin në lojën “sheshbesh”, dhe të njëjtën kohë të analizojë gjeopolitikat globale dhe refleksionin e tyre në Kosovën tonë të vogël. Kjo domethënë se çajtorja është goxha njëfarë institucioni ku brumoset mendimi bashkëkohor aksiomatik i shoqërisë. Ndërlidhjet e temave shpeshherë të befasojnë; nga fitoret e Erdoganit deri te bllokada institucionale e Kuvendit të Kosovës. Më një fjalë, aty kuvendohet.

Duke i marrë në konsideratë të gjitha trajtimet që bëhen në çajtoret e Prizrenit dhe përfundimet që dalin pas bisedave që zakonisht zgjasin deri sa të ngopen së luajturi shah, letra apo diç tjetër, del silogjizmi se të brengosurit e vërtetë për këtë shtet janë po këta qytetarë. De facto, këta dhe na përfaqësuakan denjësisht duke i ngritur si çështje debati brengat tona të përditshme. Pra, këta janë deputetët tanë që s’paskëshim ditur t’i votojmë më parë. Këta e ruajnë integritetin e njëri-tjetrit, e shumta është që mund të bëjnë hile në lojë. Por jo më shumë.

Mirëpo, çajtoret kanë një disavantazh: janë të vogla për nga hapësira. Prandaj, e përmenda çajtoren “Ziko”. Është dykatëshe dhe, me tahmin, mund t’i zërë diku mbi 80 persona, pra aq sa të jetë kompatibil me mazhorancën parlamentare në Kosovë. Besoj që do të ishte më komode të vinin aty për seanca.

Kështu mendova derisa mu kujtua se Kuvendi i Republikës duhet ta ketë selinë në kryeqytet. Pra, kurrgjë nga kjo punë. Për më tepër nuk besoj që pronari i kësaj çajtoreje ka në plan të hap një të tillë edhe në Prishtinë. Po edhe në e haptë, ç’e do, kur natyra e çajtores është harmonia mes njerëzve dhe vullneti i mirë. Rrjedhimisht, deputetët e zgjedhur për Kuvend nuk mund të jenë klientë të saj.

Edicionet e lajmeve i përcolla, tash po dal n’çajtore.