LAJMI I FUNDIT:

Asgjë nuk na pengon – që të bashkohemi

Ne shqiptarët jemi kombi i vetëm Ballkanik që vuajmë, prej sa e kemi jetën problem nacional. Kombi shqiptar, në këto 100 vjet, ka përjetuar ndarjen, copëtimin dhe dhunimin prej kombeve kufitare. Ky është një fakt që e di mirë Evropa dhe e gjithë bota. Kemi dy shtete shqiptare që kufizohen në katër anë prej bashkëkombësve të vetë. "Shtetas" me dhunë në shtetet përfituese të trojeve shqiptare.

Ky është tërë thelbi i kërkesës së ligjshme të cilitdo shqiptar të thjeshtë e cilitdo politikan që guxon e del para një foltoreje të çdo rangu.

Ndaj gjysmës së shqiptarëve në këtë fillim shekulli u bë kasaphana. Nacional-fashizmi ekstrem serb dhe e gjithë ortodoksia në krah të tij na ka dhënë një argument, shans të papërsëritshëm, për të folur me zë në kupë të qiellit, pa pas asnjë frikë se mos po shkasim në nacionalizëm. Jemi tërësisht në të drejtën tonë për t`i kërkuar çdo organizmi vendimmarrës botëror, hakun që na takon: një shtet që të kufizohemi me të tjerë e jo me vetveten.


Për një qeverisës, për një President e Kryeministër shqiptar, ky problem, ky hall kaq i madh e i pazgjidhur për kombin, kërkonte me kohë një strategji kombëtare, GenPlan Kombëtar, për një komb shqiptar nën një shtet shqiptar. Brenda kësaj kërkese nuk ka asnjë lloj nacionalizmi. Mirëpo, duhet t’i ndajmë disa gjëra. Në të drejta të mundshme dhe të realizueshme, si probleme që u takojnë elitave të cilat duhet të zbërthejnë GenPlanin Kombëtar në plane dhe udhëzues politikash veprimi e zbatimi. Këto diskutohen me partnerë dhe me cilindo që dëshiron të jetë realist për paqen dhe fqinjësinë në Ballkan dhe në Evropë.

Qetësimi nuk mund të jetë parakusht për sakrifikim të kombit shqiptar. Ndaj, krahas 12 kushteve, shqiptarët duhet t’i vënë Evropës vetëm një kusht: problemin e pazgjidhur nacional, të barabartë me atë të kombit gjerman. Situatat na e dhanë këtë shans. Ky shans na ka “ikur” (por ka ende shpresë) prej dore, nga kjo klasë politike e papërgjegjshme.

Problemi nacional nuk është shtruar për së mbari, pasi po veprojnë hapur në dëm të tij e në shërbim të strategjive nacionaliste të fqinjëve. Asgjë nuk na pengon që të bashkohemi, përveç mendjeve të ngushta të politikanëve shqiptarë. Në fakt, edhe presioni i ndërkombëtarëve është më tepër mit sesa një presion real.

Ja, u bashkuam nesër nën një federatë (shtet) shqiptar, e çka do të bëhet? Asgjë. Aq sa u bë kur u bashkuan dy Gjermanitë për të cilat Thaçeri dhe Miterrandi s’kishin lënë kërcënim pa bërë dhe kishin thënë që nuk ka asnjë mënyrë që të ndodhë. Ja që ndodhi dhe ata që bënin kërcënime nuk bënë asgjë, sepse nuk ishte diçka që do të bënte hatanë.

E njëjta gjë do të ndodhë edhe nëse bashkohet Shqipëria me pjesën tjetër që iu nda e që sot e quajnë Kosovë. Bashkimi fillestar mund të jetë federatë, që të mos duket si bashkim i plotë e të “kënaqë” ata që janë kundër bashkimit. Edhe po të futemi në BE, prapë kufijtë kanë vlerë administrative dhe shpërndarje fondesh e taksash. Përndryshe, Flandra dhe Katalonia nuk do kërkonin me kaq ngulm pavarësinë brenda BE-së.

Siç e thashë, pengesë për bashkimin janë trutë e politikanëve tanë, që si Hamzai e Esat Pashë Toptani preferojnë më mirë të jenë rehat në sanxhaqet e veta sesa të lënë pushtetin e tyre mediokër për të mirën e kombit.