LAJMI I FUNDIT:

VAR-i poli(e)tik: Hapja e arkivave të UÇK-së dhe arkivimi i opozitës

VAR-i poli(e)tik: Hapja e arkivave të UÇK-së dhe arkivimi i opozitës

“Kur vijnë të këqijat të gjitha bashkë, hapu derën”, është një shprehje nga thesari i ynë i fjalëve popullore, përmes së cilës mund të përshkruhet situata aktuale te ne.

Viktima gjithandej. Edhe një javë duke numëruar dhjetëra viktima në ditë nga koronavirusi … Dhe, sikur të mos mjaftonte kjo.

Në ditën kur sërish kishim mbi 20 viktima nga virusi, ndodhën edhe raste të tjera tragjike me shumë viktima. Dy fëmijë u dogjën në një shtëpi në një fshat të Gjakovës. Dy viktima në një përleshje të armatosur në Pejë, mes zyrtarëve të njëjtit subjekt politik (njëri ish kandidat për kryetar komune e tjetri kandidat për kryetar në zgjedhjet e 17 tetorit).


Kulmi i një dite tragjike u arrit me tragjedinë e madhe në Spitalin e Tetovës, ku flakët e zjarrit ua morën jetën 14 pacientëve, që po kërkonin shërim e shpëtim nga koronavirusi.

Të gjitha këto ndodhën një ditë pasi në Prishtinë erdhi kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, e cila njoftoi se Specialja do të jetë funksionale deri atëherë kur Këshilli i Evropës do të njoftojë se të gjitha procedurat hetimore para Dhomave të Specializuara të Kosovës do të kenë përfunduar.

Trendafilova nuk u prit me dashamirësi nga një subjekti politik. Në ambientet ku ajo po mbante konferencë shtypi u vërshëllye me filikaqa aktivistët e PSD-së. Ndërsa jashtë hotelit, ku po mbahej konferenca për shtyp, po zhvillohej drama e shkarravitjes përtokë të aktivistëve dhe përgjakjes së kreut të PSD-së nga policia, të cilët po kundërshtonin ardhjen e Trendafiloves edhe me parullën “non grata”.

Në ditën kur kryetarja e Speciales në Prishtinë po fliste për mandatin e këtij organi të drejtësisë së Kosovës, por jashtë Kosovës, nuk u pa ta kundërshtonin e as protestonin për ardhjen e saj, ata që deri dje ishin më të zëshmit e zhurmshmit kundër Speciales.

Nuk u panë duke protestuar as ish bashkëluftëtarët e komandantëve të UÇK-së, që po mbahen të arrestuar në Hagë, e as bashkëpartiakët e ish-presidentit Thaçi e ish-krerëve të Parlamentit, Krasniqi e Veseli.

Nuk doli ta kundërshtonte ardhjen e Trendafiloves as kreu në detyrë i OVL të UÇK-së, Faton Klinaku, më i zëshmi dhe më agresivi në deklarata kundër Speciales, e cila po i mban të arrestuar krerët e OVL.

E tërë këtë më së miri e ilustroi një profesor i filozofisë, me një fjali: “E pritëm edhe kët’ ditë: Dardan Molliqaj me protestu për Hashim Thaçin, ndërsa aktivistët e PDK-së e marrin vesh lajmin nga portalet”.

Jo vetëm PDK-ja, por edhe LDK-ja, AAK-ja dhe parti të tjera, nga portalet e televizionet po informohen edhe për opozitarizmin e vetëm të mirëfilltë të PSD-së së Molliqajt, ish bashkëpartiakëve të Albin Kurtit.

Mbase, Molliqaj me shokë ka mbetur i vetmi pa hipotekë nga e kaluara e keq qeverisjes, që ende ka kurajë dhe fytyrë t’i kundërshtojë veprimet dhe mos veprimet e Qeverisë Kurti.

Krejt kjo çfarë bën opozita parlamentare më shumë është si një improvizim i luajtjes të kinse rolit të opozitës. Çfarë është opozita, është edhe pushteti. Opozita po e akuzon pushtetin për arrogancën e numrave. Pushtet abuzues e arrogant Kosova kishte me ose pa numra.

Në tërë këtë mozaik të këqijash vjen edhe një tjetër e keqe.

Udhëheqësi i delegacionit të Kosovës në dialogun me Serbinë, Besnik Bislimi, pas një takimi në Bruksel me shefin e delegacionit të Serbisë, tha se me palën serbe u pajtua që Serbia të ketë qasje në arkivat shtetërore për UÇK-në në Kosovë.

Kjo deklaratë e Bislimit nxiti reagime dhe kundërshtime të mëdha në skenën politike, organizatave të dala nga lufta, por edhe personave nga jeta publike.

Kjo kërkesë e Serbisë vjen si një përpjekje për të justifikuar krimet dhe gjenocidin serb në Kosovë, andaj edhe përgjigjja e Bislimit duhej të ishte konform me krimet serbe.

Serbia mban të mbyllura arkivat e krimeve dhe gjenocidit të kryer mbi shqiptarët në Kosovë, siç vazhdon t’i mbajë të pazbuluara varrezat masive me 1,630 trupa të shqiptarëve të zhdukur gjatë luftës.

Arkivat e luftës së UÇK-së në Kosovë janë të hapura që nga viti 1998. E, ato janë në fushëbetejat e UÇK-së anekënd Kosovës – nga beteja e komandantit legjendar Adem Jashari e 5,6, 7 marsit 1998 në Prekaz dhe shumë betejave të lavdishme – deri te Beteja e Koshares.

Në Kosovë janë të shumta edhe “arkivat” – varrezat e komplekset memoriale, si dëshmi e krimeve, masakrave dhe vrasjeve masive nga forcat serbe gjithandej – me mbi 13,500 civilë shqiptarë të vrarë.

Praj, Kosova e tëra është një muze arkiv, dëshmi e një lufte të egër dhe shfarosëse të Serbisë ndaj një populli të tërë.

Të këqijat mund të vijnë bashkë, por duhet forcë përbashkët për t’i ndalur e parandaluar një nga një.

Nejse. Nuk ishte krejt zi e keq këtë javë.

Presidentja Osmani për të hënën ka ftuar në një takim konsultativ partitë politike për të diskutuar lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend. Ndërsa, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës paskësh rekomanduar shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit.

IKSHPK në këtë rast veç ka rekomanduar atë që e paralajmëroi kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, gjatë kësaj jave.

Ky paralajmërimi hasi në reagime e kundërshtime nga opozita, por edhe shoqëria civile. Çuditërisht ndaj këtij paralajmërimi i pari reagoi kreu i LDK-së, duke thënë se “askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet”. Dhe reagimi i tij “i ashpër” sikur ishte sinjali më i mirë se shtyrja do të ndodhë. Lumiri mbase e dinte këtë, para se ta thoshte Glauku!

E dimë gjithashtu se Presidentja ka ftuar përfaqësuesit e pozitës dhe opozitës, jo për t’u konsultuar, por për t’ua bërë me dije se zgjedhjet do të mbahen kur thotë “IKSHPK”, respektivisht shefi i saj [Presidentes], pronar i “tapisë” së pushtetit nga 52 përqindëshi.

Deri të hënën, por edhe pas të hënës, do të ketë reagime e përplot kundërshtime të opozitës së arkivuar, për shtyrjen e zgjedhjeve. Por, asgjë nuk e ndryshon vendimin e “arrogancës së numrave”.

Njerëzit do të vazhdojnë të vdesin nga koronavirusi edhe pas të hënës, por duhet pranuar se Qeveria Kurti, më shumë se asnjë qeveri tjetër e pasluftës, me vendimin e fundit për mbështetje financiare për lehonat dhe shtesat për fëmijë, do të stimulojë shtimin e popullsisë në vend.

Për fund, pak kampanjë sensibilizuese në emër të Qeverisë: Prindër, mos hezitoni, bëhuni përfitues të shtesave! Mirëpo, para se të aplikoni, duhet të bëni fëmijë!

Në trend

Më shumë
“Të vij në mes të Prishtinës edhe të tregoj” – Gerti kërcënon Gjestin gjatë një debati të tensionuar në Big Brother VIP Albania

“Të vij në mes të Prishtinës edhe të tregoj” – Gerti kërcënon Gjestin gjatë një debati të tensionuar në Big Brother VIP Albania

Magazina
Qeveria aprovon rritjen e pensioneve për invalidët, veteranët dhe pjesëtarët e UÇK-së

Qeveria aprovon rritjen e pensioneve për invalidët, veteranët dhe pjesëtarët e UÇK-së

Lajme
Rriten pensionet për kategoritë e dala nga lufta, Murati: Ekzekutimi do të fillojë që nga ky muaj

Rriten pensionet për kategoritë e dala nga lufta, Murati: Ekzekutimi do të fillojë që nga ky muaj

Ekonomi
Qeveria emëron Lyra Osmanin Inspektore të Përgjithshme, kurse Avni Kastratin drejtor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës

Qeveria emëron Lyra Osmanin Inspektore të Përgjithshme, kurse Avni Kastratin drejtor të Agjencisë së Statistikave të Kosovës

Lajme
Fluturimi më i shkurtër në botë që zgjat vetëm një minutë e gjysmë

Fluturimi më i shkurtër në botë që zgjat vetëm një minutë e gjysmë

A e dini se...
Zjarri masiv i Los Angelesit shumë pranë shtëpive të familjes Kardashian, enklava e tyre është në rrezik potencial për t'u përfshirë nga flakët

Zjarri masiv i Los Angelesit shumë pranë shtëpive të familjes Kardashian, enklava e tyre është në rrezik potencial për t'u përfshirë nga flakët

Magazina
Kalo në kategori