LAJMI I FUNDIT:

Interesi strategjik perëndimor: Largimi i Turqisë prej krahëve të Rusisë

Interesi strategjik perëndimor: Largimi i Turqisë prej krahëve të Rusisë

Nga pikëvështrimi evropian dhe transatlantik, ky fakt është sa shqetësues aq edhe kundër intuitës: mes Rusisë dhe Turqisë është zhvilluar de facto një partneritet. Sado paradoksal, trendi tashmë është i qartë dhe përfaqëson halë në sy për interesat evropiane dhe transatlantike.

Paradoksi qëndron te fakti se Turqia dhe Rusia janë rivalë historikë. Që prej luftërave osmano-ruse e deri te anëtarësia e Turqisë në NATO si mburojë për ekspansionizmin sovjetik, marrëdhëniet turko-ruse nuk kanë qenë kurrë të mira. Periudha pas Luftës së Ftohtë nuk bën përjashtim, dhe gati sa çoi në ballafaqim të hapur ushtarak vetëm para pesë vitesh, kur aeroplani ushtarak turk F-16 rrëzoi një aeroplan rus afër kufirit turko-sirian.

Në përgjithësi, nuk ka rajon në Evropë e përreth saj ku Turqia dhe Rusia shihen sy më sy. Si në Azinë Qendrore ku Moska ka ngulfatur ëndrrat pan-turke të Ankarasë; në Ballkan ku të dy palët kanë mbajtur anë të ndryshme si gjatë luftës ashtu edhe gjatë paqes; si në Afrikën Veriore dhe në Lindjen e Mesme ku janë përplasur rreth islamit politik; apo në Kaukaz ku përkrahja e Turqisë për Azerbajxhanin ka pasqyruar afërsinë fetare dhe lidhjet e sigurisë së Rusisë me Armeninë. Ankaraja dhe Moska, rrallë – për të mos thënë asnjëherë – kanë qenë në të njëjtën linjë.


Modeli është i qartë: në çdo konflikt të hapur, Turqia dhe Rusia kanë arritur të gjejnë mirëkuptim, sa të vështirë aq edhe real. Në Siri, përplasja mund të kishte shpërthyer në konfrontim të hapur, por pas një dështimi gati të plotë më 2015, Moska dhe Ankaraja u rikthyen në skenë me nisjen e procesit të Astanës në të cilin kanë qenë thellësisht të përfshira. Tensionet janë ngritur prapë, kohë pas kohe. Pas sulmit të Bashar al-Assadit në Idlib, më 2019, Turqia e ka dënuar Rusinë, por me kohë u rivendos mirëkuptimi turko-rus. Gjithashtu, në Sirinë verilindore, ku Turqia ka ndërhyrë ushtarakisht kundër kurdëve sirianë më 2016 dhe përsëri më 2019, Moska mund ta kishte parandaluar ofensivën e Turqisë meqë e kishte mundësinë e ndalimit të qasjes në hapësirën ajrore siriane (A2/AD). Por, zgjodhi të mos e bënte një gjë të tillë.

Në Libi, Turqia dhe Rusia kanë mbështetur palët e kundërta të luftës civile. Vlen të përmendet se Rusia, me mercenarët e tyre Wagner, i ofroi mbështetje të fuqishme ofensivës ushtarake të Khalifa Haftarit ndaj Qeverisë së Ujdisë Kombëtare (GNA). Duke marrë pjesë përkrah Emirateve të Bashkuara Arabe, Egjiptit dhe Francës, futja e grupit të Wagner-it në moçalin libian gati sa përmbysi pushtetin ku përparimi i Haftarit drejt Tripolit u bë gjithnjë më i afërt më 2020.

Kur GNA-ja gati dështoi, Ankaraja ndërhyri duke i ofruar mbështetje ushtarake një qeverie për të cilën komuniteti ndërkombëtar nuk kurseu fjalë përkrahjeje, por për të cilën punuan fare pak në praktikë. Ndërhyrja ushtarake e Turqisë përmbysi fatet ushtarake dhe krijoi ngërçin e dhimbshëm për të dyja palët që solli armëpushimin e vështirë në verën e vitit 2020. Turqia mbetet e përfshirë ushtarakisht në Libi dhe prania ushtarake e Rusisë në lindje (nga të qenit vegël “e mirë po jo e domosdoshme” për t’u shfrytëzuar) tash është fortifikuar. Pa marrë parasysh procesin e vazhdueshëm të dialogut politik, Libia rrezikon të ndahet ushtarakisht përgjatë vijës Sirte-Jufra, ku si prania ushtarake turke ashtu edhe ajo ruse po konsolidohen brenda vendit.

Rifillimi i luftës mes Armenisë dhe Azerbajxhanit, pas 26 vjetëve armëpushimi të paqëndrueshëm për Nagorno-Karabakun dhe territoret përreth, u bë pikëndezja e tretë potenciale turko-ruse, por që nuk shpërtheu. Kur Azerbajxhani nisi luftën për të rimarrë territoret që i kishte humbur në luftën 1992-94, vëmendja mediatike ndërkombëtare u kthye kah Ankaraja.

Në fakt, Turqia qe e vetmja fuqi e jashtme që nuk bëri thirrje për armëpushim, por që nxiti Bakunë për fushatë ushtarake. U fol mjaft për dronët turq dhe xhihadistët sirianë roli i të cilëve qe i rëndësishëm, por me gjasë i ekzagjeruar. Nga ana saj, Rusia u aktivizua në ndërmjetësimin e armëpushimit. Ndërkohë që ndërhynte për të ndërmjetësuar armëpushimin humanitar, ajo lejoi që lufta të bënte kërdinë për gjashtë javë, me ç’rast Azerbajxhani rimerr shumicën prej shtatë rajoneve përreth Nagorno-Karabakut. Vetëm kur forcat azere u nisën drejt Karabakut, Moska vendosi t’i bjerë bilbilit.

Marrëveshja e paqes e ndërmjetësuar nga Moska, ishte fitore e madhe për Rusinë, gjithashtu edhe për Azerbajxhanin. Përgjatë vijës së kontaktit në Nagorno-Karabak dhe korridorit të Laçinit, një kontingjent prej gati 2000 trupash ruse po dërgohen për herë të parë që prej përfundimit të Luftës së Ftohtë. Kjo i jep Rusisë jo vetëm pushtet të paprecedentë mbi fatin kushtetues të Nagorno-Karabakut, por gjithashtu mbi politikën vendore në Azerbajxhan dhe mbi të gjitha Armeni. Sidoqoftë, në një masë më të vogël, Turqia përfitoi gjithashtu. Ankaraja ka për herë të parë mundësinë që të dërgojë vëzhgues në rajon, dhe, ç’është me e rëndësishmja, me rihapjen e lidhjes direkte mes Azerbajxhanit dhe eksklavës Niakiçevan, Turqia përfitoi qasje të drejtpërdrejtë në Azerbajxhan dhe në Detin Kaspik.

Në secilin prej këtyre konflikteve, Turqia, aleate e NATO-s, dhe të paktën teorikisht vend kandidat i BE-së, ka ndjekur pa diskutim interesat e saj kombëtare dhe shpesh nacionaliste. Këtë e ka bërë në mënyrat që nuk përkojnë me ato të Bashkimit Evropian ose të Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, do të ishte gabim të thuhet se interesat e Turqisë kanë qenë diametralisht të kundërta me ato të Perëndimit.

Sulmet e Turqisë ndaj kurdëve sirianë shkaktuan reagime në Perëndim – me fjalë më shumë, sesa me vepra – përderisa dyanshmëria përsa i përket përkrahjes së trupave të ndryshme të opozitës islamike ndaj regjimit sirian mbolli mosbesim, posaçërisht gjatë kohës kur kërcënim më të madh shfaqte ISIS-i në Lindjen e Mesme, në Evropë dhe në botë. Megjithatë, Turqia, ndryshe nga Rusia dhe nga Irani, përkrah Perëndimit ka qenë armike e përbetuar e regjimit sirian, qëkur protestat degjeneruan në luftë civile në fund të vitit 2011. Në fazën e rindërtimit dhe kthimit të refugjatëve të konfliktit sirian, BE-ja dhe Turqia do të përleshen për sfida të ngjashme përsa i përket politikave.

Në Libi, po ashtu, Turqia ka ndjekur interesat e saj dhe tash po konsolidon praninë ushtarake, politike dhe ekonomike në vend. Turqia nuk e ka mendjen të largohet nga Libia. Prapëseprapë, edhe aty interesat perëndimore dhe turke nuk janë tërësisht të papërputhshme. Ankaraja ndërhyri në luftë për të parandaluar rënien e GNA-së së Sarrajit të cilën Evropa dhe ShBA-ja e mbështetën në teori. Edhe Turqia edhe BE-ja kanë interes në stabilizimin e Libisë dhe parandalimin e ndarjes të saj de facto në dy blloqe.

Në fund, në Nagorno-Karabak, Turqia ka kënduar një këngë tjetër nga kërkesa e Perëndimit për armëpushim të menjëhershëm. Sidoqoftë, asnjë vend evropian, as ShBA-ja nuk ka kundërshtuar ndonjëherë integritetin territorial të Azerbajxhanit. Për më tepër, përfshirja e Turqisë mes vëzhguesve në Nagorno-Karabak duhet të shihet me sy të mirë nga evropianët në kontekstin që Grupi i Minskit i OSBE-së është anashkaluar e ku Rusia do ta monopolizonte situatën.

Pavarësisht faktit se ndarjet mes Turqisë dhe Rusisë janë më të prekshme dhe akute sesa ato mes Turqisë dhe Perëndimit, marrëdhëniet mes Turqisë dhe Rusisë po konsolidohen në një partneritet, de facto, ndërsa ato mes Turqisë dhe Perëndimit po shkojnë drejt sanksioneve. Pse?

Pjesa më e lehtë e përgjigjes ka të bëjë me politikat e brendshme në Rusi dhe në Turqi. Rusia e Vladimir Putinit ka kohë që ka braktisur narrativën e demokracisë, duke u vetëshpallur si një prej liderëve të botës post-liberale. Presidenti rus e ka përdorur politikën e jashtme për të pasë përparësi strategjike ndaj Perëndimit dhe për të nxitur nacionalizmin në vend, duke e shpërqendruar vëmendjen publike nga dështimet e brendshme. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, ka marrë shembull nga Putini dhe gjatë vitit të kaluar ka rifituar mbështetje të brendshme politike – pas vitit të tmerrshëm zgjedhor të Partisë Drejtësi dhe Zhvillim më 2019.

Me ndërhyrjen ushtarake në Libi, me eskalimin e tensioneve në Mesdheun Lindor dhe rifutjen në Kaukaz, Erdogani ka bërë atë që shumë turq, për të mos thënë shumica prej tyre, do ta perceptojnë si ripohim të interesave kombëtare me korrigjimin e gabimeve të së kaluarës. Në këtë mënyrë, Erdogani ka shpërqendruar opinionin publik nga dështimet e brendshme në ekonomi. Me fjalë të tjera, liderët rusë dhe turq ndjekin taktika të ngjashme: ata “e kuptojnë njëri tjetrin” dhe ky mirëkuptim sjell një nivel të respektit të ndërsjellë edhe atëherë kur ka interesa të kundërta.

Sigurisht se ka të vërteta në këtë shpjegim që dëgjohet vazhdimisht në Perëndim. Megjithatë, është një e vërtetë për Perëndimin, duke lënë në hije një realitet tjetër komplementar, por shumë më të parehatshëm.

Një tjetër shpjegim është se Rusia dhe Turqia kanë gjetur mirëkuptim pragmatik meqë kanë qenë ashtu të detyruara. Të dyja janë të përfshira në secilin prej këtyre konflikteve, ku evropianët dhe amerikanët nuk shihen gjëkundi. Turqia dhe Rusia janë shumë më të prira që të ndërhyjnë ushtarakisht në konflikte sesa ka qenë ndonjëherë evropianët dhe sesa po bëhen amerikanët.

Qoftë në Siri, në Libi a nëKaukaz, ShBA-ja dhe BE-ja kanë hequr dorë prej përgjegjësive dhe i janë shmangur rreziqeve. Në këtë vakum ka ndërhyrë Rusia, Turqia dhe të tjerë akterë rajonalë, duke mësuar të punojnë me njëri-tjetrin. Nga ana e saj, ShBA-ja ka arsye të distancohet duke thënë se kjo nuk është pjesa e botës ku ajo duhet t’i marrë përgjegjësitë më të mëdha. Duhet të presim se në forma dhe në mënyra të ndryshme kjo do të jetë qasja e administratës së Bidenit.

Evropianëve nuk iu ka kush faj. Edhe mund të jetë shumë vonë për Sirinë, dhe mbase edhe për Kaukazin. Megjithatë, kur është puna te Libia, evropianët duhet të bëjnë më shumë. Gjermania ka investuar mjaft në procesin e Berlinit dhe sigurisht se diplomacia luan rol të rëndësishëm në procesin e ndërtimit të paqes. Por, për sa kohë që evropianët nuk ndërmarrin rreziqe për të konsoliduar paqen në terren, në Libi – dhe jo thjesht vetëm në det – ata do të vazhdojnë të jenë kalimtarë rasti të kontrollit de facto të jashtëm të vendit nga Turqia dhe nga Rusia. Me shpalosjen e dialogut politik në Libi, evropianët duhet të angazhohen më shumë në ndërtimin e paqes, duke shfaqur më shumë gatishmëri për të qenë të pranishëm në terren.

Teksa marrin më shumë rrezike dhe përgjegjësi, evropianët duhet të përpilojnë një strategji që e bën dallimin e duhur mes Turqisë dhe Rusisë, duke shmangur thellimin e mëtejmë të partneritetit të panatyrshëm mes të dyjave vendeve, prej të cilit partneritet evropianët dhe amerikanët kanë vetëm humbje. Në veçanti, nuk duhet të mbyllim sytë para të përbashkëtave që shohim mes Rusisë së Putinit dhe Turqisë së Erdoganit, në planin e brendshëm, dhe të bëhemi më të aftë për të dalluar sjelljet e tyre në politikën e jashtme.

Në politikën e jashtme, pozicionet dhe ambiciet ruse dhe turke dallojnë në disa pika të rëndësishme. Përtej aneksimit të Krimesë dhe përmbysjes së arkitekturës së sigurisë evropiane, Rusia e Putinit promovon lidershipin e një bote sovraniste. Në asnjë mënyre nuk e sheh veten si pjesë të Perëndimit dhe shpesh është e ashpër ndaj joefektivitetit, qyqarllëkut, arrogancës dhe bankrotimit moral të demokracive liberale perëndimore. Rusia ka vepruar drejtpërdrejt në dëm të demokracive perëndimore duke ndërhyrë në proceset zgjedhore, duke shpërndarë dezinformata dhe duku u përfshirë në sulme kibernetike. Patjetër që duhet të “angazhohemi” ndaj Rusisë, por me sytë hapur ndaj kontekstit ku ndodh angazhimi ynë.

Turqia, me gjithë të metat e saj, jo vetëm se është dhe mbetet aleat i NATO-s, por vazhdon të shpreh interesin e saj për marrëdhënie më të afërta me Bashkimin Evropian, duke filluar me bashkimin e modernizuar doganor. Sinqeriteti i Ankarasë duhet të vërtetohet, por për ta arritur këtë është BE-ja që duhet të bëjë hapin e parë. Po ashtu, BE-ja dhe SHBA-ja duhet që aktivisht të kërkojnë mundësi për të punuar me Turqinë në çështje të politikës së jashtme, aty ku nuk ka dallime të mëdha interesash. Me Sirinë dhe Nagorno-Karabakun larg ndikimit Perëndimor, Libia do të ishte vend i duhur për të filluar. Edhe këtu, hapësira për të manovruar shpejt po zvogëlohet. Me nisjen e dialogut politik në Libi, koha ka rëndësi të madhe.

E gjithë kjo nuk nënkupton se BE-ja dhe ShBA-ja duhet të rrinë cuc dhe të mos e përdorin shkopin ndaj Turqisë, kur është nevoja. Qoftë lidhur me debaklin S400 me NATO-n apo veprimet e Turqisë në Mesdheun Lindor, kërcënimi me masa restriktive mbetet në tavolinë. Aq më pak nënkupton se BE-ja dhe ShBA-ja duhet të rrinë të heshtur përball korozionit demokratik në Turqi. Me një administratë në Uashington që do të shfaqte interes për të ripërtërirë demokracinë, të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit, fokusi transatlantik ndaj dinamikës së brendshme në Turqi do të jetë i domosdoshëm.

Sido që të jetë, për të kuptuar se kur dhe si të reagohet ndaj lëvizjeve të Turqisë në politikën e jashtme, Evropa dhe SHBA-ja duhet të marrin parasysh kontekstin më të gjerë strategjik në të cilin operojmë. Qëllimi i veprimeve tona duhet të jetë largimi i Ankarasë nga Moska, e jo shtyrja e Turqisë në krahët e Rusisë. /Burimi: Instituto Affari Internazionali/Në shqip nga: sbunker.net/