LAJMI I FUNDIT:

Mallkimi i historisë, për ne të gjallët

Mallkimi i historisë, për ne të gjallët
Fadil Sahiti (foto: Fahredin Spahija)

Po afron momenti kur politika kosovare – dhe ne si popull – duhet t’i japim përgjigje të qartë kërkesave ndërkombëtare për atë se çfarë shteti duam të ndërtojmë. Se përse ne duhet t’i japim llogari diplomacisë ndërkombëtare, këtë e dimë të gjithë. Së pari, përkundër sakrificës sonë, vendin nuk e kemi çliruar të vetëm. Së dyti, mënyra se si e kemi qeverisur shtetin, në këto 20 vjet, lë shumë për të dëshiruar. Këtë shtet, deshëm apo s’deshëm ta pranojmë, e kemi ndërtuar me ndihmën e miqve – para se gjithash, me ndihmën e ShBA-së e të Britanisë (dhe disa shteteve të BE-së). Nëse kjo është kështu, nuk jemi në pozitë që, pa ndihmën e miqve, t’i japim zgjidhje aktit të fundit të dramës kosovare.

Jemi përbrenda një procesi politik që dikush e quan proces negociues; dikush tjetër proces bisedimesh për njohje reciproke, e madje dikush në Serbi e quan edhe si proces bisedimesh për rikthim të Kosovës brenda shtetit të tyre. Mund ta quajmë si të duam, por një gjë është e qartë: ky proces do të prodhojë një zgjidhje politike që do të bazohet në kompromis politik. Është krejtësisht infantile të thuhet – siç po thotë kryeministri ynë – se po shkojmë të bisedojmë veç për njohje reciproke. Është iluzion të mendohet se Serbia do ta njohë shtetësinë tonë, pa ndonjë kompromis.


Ata që i kanë përcjellë deklaratat politike të establishmentit serb, veçanërisht të kryetarit të tyre, Aleksandar Vuçiq, e dinë se cili është qëllimi: kërkojnë që pjesa veriore e Kosovës, e populluar me shumicë serbe, t’i bashkohet shtetit të tyre. Në të kundërtën, kërkojnë një entitet politik brenda trupit tonë, krijimi i të cilit do të kërkonte ndryshimin e rregullimit tonë kushtetues. Pavarësisht nivelit të kompetencave, ky entitet do të jetë bombë me sahat. Kjo sepse për shkak të një kulture shoviniste, serbët do ta instrumentalizojnë këtë entitet sa herë të kenë interes për ta bërë këtë. Një entitet i tillë do të mund të funksiononte në Skandinavi, por jo në Ballkan ku nacional-shovinizmi është kategori themelore e filozofisë politike.

Personalisht e mbështes zgjidhjen e bazuar në demarkim! Ka shumë arsye për këtë, por, pa u futur në histori, këto tri komuna kurrë, as politikisht, kulturalisht, apo edhe ekonomikisht nuk kanë qenë pjesë e Kosovës. Kush mund të na sigurojë që pas themelimit eventual të asociacionit, këto komuna do t’i kthehen sistemit politik dhe juridik të Kosovës?

Mendoj që zgjidhja më e mirë dhe më e qëndrueshme duhet të bazohet në demarkim kufitar. Kjo zgjidhje kërkon konsensus politik në nivel kombëtar, të cilin nuk e kemi. Zgjidhja kërkon, po ashtu, një kryeministër pro aktiv, me vizion dhe guxim politik, por edhe me qëllim për të ndikuar në formësimin e të ardhmes sonë si shtet. Një kryeministër e di që vendimet e mëdha nuk mund të merren vetëm, apo duke u udhëhequr nga inatet politike. Kosovës i duhet një kryeministër që është i vetëdijshëm se, siç thoshte mendimtari amerikan Henry Adams, politikan i mençur dhe patriot është ai që punon në zbutjen e urrejtjes politike mes njerëzve, që këtë urrejtje dhe armiqësi politike ta drejtojë drejt diçkaje që ka për qëllim të mirën e përbashkët.

Duhet të jesh dritëshkurtër të mos e kuptosh që jemi para dramave të mëdha. Secili popull, përballë këtyre dramave i mprehë mjetet mbrojtëse dhe, kryesorja, krijon mjetet e tjera për të mbrojtur veten. Në këto kushte të keqësimit të klimës se përgjithshme politike në botë, në këtë kohë pandemie, krimesh e pabesish të lemerishme, pyetja që mund të shtrohet është kjo: ç’fytyrë do të kemi ne si shtet i ri? Do të lejojmë që për shkak të mos unitetit tonë të shfytyrohemi dhe të rrezikojmë të tërheqim mbi vete zemërimin e të rënëve për liri dhe zemërimin e gjeneratave që do të vijnë? Apo, do të arrijmë që të ruajmë fytyrën tonë të vërtetë dhe të ruajmë shtetin që e kemi fituar më shumë sakrificë?
Po afron çasti i provës – i zgjedhjes midis këtyre dy fytyrave. Akti i fundit i dramës sonë për shtetformim do të ketë përfundim të mirë vetëm nëse do të gjejmë forcë dhe t’i vëmë nën fre impulset tona negative (inatin, zemërimin deri në urrejtje tribale që kemi kundër njëri -tjetrit). Në të kundërtën, neve, të gjallët e sotëm, do të na mallkojë historia!