Lorenc Vangjeli
Diku nga fundi i janarit 1999, atëherë kur Kosova ishte në flakë, një djalë i ri, me flokë të gjatë e të zinj, po tentonte të vinte me karficë në xhaketën e tij një bexh me mbishkrimin “Vizitor”. E printuar në letër formati A4, e prerë shtrembër me gërshërë dhe e plastifikuar po shtrembër, ajo përdorej për t’i dhënë seriozitet hyrje-daljes nga godina që kishte ende në muret e jashtme e të brendshme të zyrave, gjurmë plumbash nga grushti i shtetit të shtatorit 1998.
Nëpunësi i përgjumur, roja e Gardës së Republikës, që rrinte te hyrja, pa ndaluar përtypjen e farave të lulediellit, ia kishte zgjatur me dorën e majtë bexhinn, me të njëjtën mënyrë siç bënte me çdo vizitor tjetër në godinën më të rëndësishme të shtetit shqiptar. Nuk e njihte dhe askush nuk i kishte thënë se njeriu që po vinte atë mbrëmje të diele në Kryeministri, ishte një emër që do ta dominonte për dy dekada politikën shqiptare të përtej asaj vijëzës së kufirit, që atëherë ndante dy botë në luftë.
As protokolli i Kryeministrisë nuk ishte lajmëruar për ta pritur në hyrje. Takimi ishte informal, gjysmë i fshehtë dhe shumë pak njerëz në Tiranë dinin se çfarë po ndodhte. Vizitori dhe katër-pesë burrat që e shoqëronin, dukeshin të ndrojtur në atë përballje me kryeministrin tashmë të thinjur shqiptar, Pandeli Majko, të cilit fati mbret dhe rasti perandor, i kishin dhënë mundësinë që vjen një herë në jetë, për të qenë në vendin e duhur dhe në kohën e duhur.
Në pritje të kafes së Lushit, njeriu në krah të Majkos, luante me bexhin e bardhë në xhaketë. Heshtja po zgjatej përtej çastit kur ajo nis e bëhet e zhurmshme, e bezdisshme dhe koha ngec për të gjithë si krehër në flokë të shpupurishur. Dialogu i parë në atë zyrë ishte pothuaj absurd:
– Çfarë e ke atë në xhaketë?
– Ma dha ai zotnia poshtë te dera.
– Hiqe!
– Pse?
– Nuk mund të mbash mbishkrimin vizitor në shtëpinë tënde!
Më pas gjithë çfarë u tha aty vazhdon të jetë në kujtesën e shumë pak dëshmitarëve, nga të cilët deri më tani, askush nuk e ka përmendur kurrë publikisht atë takim që nisi me ngrirje bisede dhe përfundoi me një bisedë që nuk shkoi mbarë e mirë.
Së paku, pati një mëri të dukshme mes palëve, që pavarësisht përqafimit të ndarjes, kuptonin se nuk ishin pranë në ide e logjikë. Ndoshta të kushtëzuara këto edhe nga rrethanat e veçanta dhe nga mosnjohja totale e njëri-tjetrit, mes shqiptarit Majko që fliste me tonin e sekretarit amerikan të Shtetit dhe “vizitorit” nga Kosova që përgjigjej si komandant i zbarkimit aleat në Normandi, në D-Day e 1944-s.
Por, 21 vjet e gjysmë më parë askush nuk mund të vinte bast për njeriun që quhej Hashim Thaçi, komandant i UÇK-së. Ai rikthehej në vendin amë gati gjysmë-ilegalisht. Pa automatik, por me kravatë. Nuk dinte çfarë do të bëhej me jetën e tij, por ishte nisur të vdiste.
Në dhjetorin e 1998-s, Shqipëria kishte një rol thelbësor në unifikimin e qëndrimit të aktorëve politikë e ushtarakë të Prishtinës. Përpara luftës që pritej të vinte, amerikanët, por dhe disa pak drejtues qeverish evropiane, kishin vendosur të bisedohej për paqen. Serbët kishin shtetin e tyre, kurse Kosova nuk kishte një grup njerëzish që të bëheshin bashkë, me autoritetin e duhur në Kosovë dhe që t’u rrinin përballë serbëve në bisedimet që do të bëheshin në shkurt në Rambuje.
Me përjashtim të Ibrahim Rugovës, të gjithë emrat e rëndësishëm të Prishtinës kishin ardhur në atë zyrë. Shpesh, kush vinte më pas, shante atë që kishte ikur më parë nga zyra dhe kush kishte ardhur në fillim, do të shante të gjithë ata që pritej të vinin më pas në atë zyrë. Të gjithë silleshin sikur ishin në takim me historinë dhe të gjithë flisnin sikur historia mbante shënime mbas shpinës së tyre. Me përjashtim të Thaçit, që nuk e fshihte bindjen se ai vetë do ta bënte historinë të shkruante për të.
Akti i madh i Thaçit dhe gjithë shqiptarëve që firmosën në mënyrë të njëanshme vullnetin euroatlantik, përkundër refuzimit serb në Rambuje, i vendosi ata në krah të këtij fronti. Lufta ishte çështje ditësh dhe rezultati i saj ishte i paracaktuar.
Nga ai moment dhe me gjasë, edhe shumë më pas, me emrin dhe vullnetin e Hashim Thaçit, do të ndikohen, modifikohen e rishkruhen ende shumë vullnete në Kosovë. I duartrokitur dhe i urryer, me plot dritëhije pushteti, me shumë kontraste, kundërshti e kompromise, duke ua dorëzuar vit mbas viti flokët thinjave, Thaçi u shndërrua në personazhin më të rëndësishëm të Kosovës së pasluftës.
I veshur, i sjellur dhe dialogues si evropian nga Uashingtoni në Bruksel, por pa lënë pas edhe sjelljen dinake të një princi oriental në Prishtinë e Tiranë, Thaçi u dëshmua më i mençur se shumë nga ish-miqtë e tij dhe më i zoti se shumica dërrmuese e ish-kundërshtarëve. Tani president i Republikës dhe nën akuzë penale nga Gjykata Speciale, është mister se ç’do të bëjë nesër Hashim Thaçi, por është e sigurt se historia ka shkruar një kapitull ende pa epilog me emrin e tij. Edhe Majko përmendet në atë kapitull, bashkë me të shkuarën e thinjave të tij të parakohshme të ‘99-s, pa u bërë dot kurrë siç donte, një nga 99-shat e politikës shqiptare.
Kjo javë e trazuar po ridëshmon mallkimin tragjik ndaj shqiptarëve për të humbur marrëzisht në paqe atë që fitojnë me gjak në luftë!
Kjo javë dramatike për shqiptarët, po grish të mendohet se sido që të jetë e vërteta, ka raste kur ia vlen më mirë të mos bëhet drejtësia, sesa të përmbyset bota jonë e vogël!
Kjo javë frymëmarrëse kujton për shqiptarët se dhe historia sillet me individin sipas një skeme dëshpëruese që përsëritet gjithmonë. Nga bronzi i monumentit që Hashim Thaçi e meritoi me kallashnikov në dorë, te prangat në duar që i premton Gjykata Speciale, ky është një film i parë shumë herë më parë: Heronjtë që i mbijetojnë luftës, paqja i vret gjithmonë pak nga pak.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëMomenti kur në finalen e Big Brother VIP Kosova publiku brohoriste emrin e Gjestit
Më në fund bëhen bashkë Edi dhe Driloni, pas fitores së këtij të fundit në Big Brother VIP Kosova 3
Letra të shkruara nga produksioni? Në rrjetet sociale po qarkullon një video ku Driloni shihet duke ushtruar dhe nuk i kupton fjalët në letrën e vet
Trump ngrin ndihmat për shtetet e huaja - si preket Kosova nga ky vendim?
Bëhet publike përmbajtja e letrës që Biden i la Trumpit në zyrë
Eskalon situata mes Laertit dhe G Banit - banorët e tjerë ndërhyjnë për t'i ndarë
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Befasia e këtij fillim viti: Nga Spanja raportojnë se Messi po rikthehet te Barcelona
Surpriza tejet e veçantë për Vullnetin: Niset për në Negroc për t'i takuar familjarët e tij
Musk po shkakton telashe në Evropë - çfarë përfiton ai nga kjo?
Olta Gixhari shkëlqen në finalen e Big Brother VIP Kosova me një pamje mahnitëse
100 milionë euro? As kjo nuk e bindi yllin e Real Madridit të braktiste Bernabeun për Chelsean e Abramovichit
Xuxi surprizohet nga familja e tij në finalen e Big Brother VIP Kosova