LAJMI I FUNDIT:

Kosova taksën, po Serbia çfarë?

Kosova taksën, po Serbia çfarë?

Miqtë perëndimorë po dërgojnë porosi të arsyeshme, e janë gjithnjë e më zëshëm ndaj Qeverisë Kurti – ndër të tjera për ta hequr taksën 100 për qind për prodhimet e Serbisë dhe ato të Bosnje-Hercegovinës, ndërkaq për baraspeshë të kësaj, Serbia do ta ndal propagandën për mosnjohjet e Kosovës.

Ky është fillimi i parë që hap rrugën drejt dialogut të mirëfilltë Kosovë-Serbi.


Kjo është barrë e rëndë, një mision i rëndësishëm diplomatik, madje-madje historik për të vendosur paqe e qetësi të qëndrueshme në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor!

Por, vallë, a do t’i përjetojmë momentet aq shumë të pritura që Kosova të shtrojë kërkesa konkrete tek Beogradi, siç janë:

– Kërkimfalja nga ana e Beogradit zyrtar për gjenocidin e kryer mbi popullin e pafajshëm të Kosovës?

– A do të pasojë zotimi i Serbisë se do ta zbardhë fatin e mbi 1,600 të zhdukurve nga Kosova?

– A do të dëmshpërblejë Beogradi të gjitha ato dëmet që u kryen në Kosovë në vitet 1990?

– A do ta kthejnë fondin e grabitur pensionalo-invalidor të mijëra pensionistëve të Kosovës?

– A do t’i kthejnë dokumentacionet origjinale – që nga gjendja civile e deri te artefaktet historiko-kulturore?

– Kur do ta zbatojnë kushtin reciprok – lëvizjen e lirë të njerëzve nga Kosova e të mos arrestohen pa bazë si “kriminelë të luftës”?

– Kur do të heqin dorë që të përzihen në punët e brendshme të Kosovës, duke organizuar, stimuluar e financuar strukturat paralele (madje të armatosura)?

Janë shumë e shumë kërkesa që duhet të shtrojë ekipi negociator i shtetit të Kosovës, qoftë në Berlin apo në Bruksel, që më në fund të marrë rolin që i takon; jo më pa asnjë çantë e pa asnjë dokument me vete përballe palës serbe që në bisedime ka shkuar me gjysmë të vërteta, me çerek argumente, e me rrena siç e kanë traditë tash e një shekull!?

Kosova ka dëshmuar se angazhohet për një paqe të qëndrueshme. Sepse, ka perënduar koha e armiqësive. Shpresojmë dhe shumë besojmë se do të na inkurajojnë në këtë qasje edhe miqtë tanë ndërkombëtarë, pa të cilët Kosova nuk do të ishte këtu ku është sot.