LAJMI I FUNDIT:

Armëpushim…

Armëpushim…
Ilustrim

1.

Paqja ndër shekuj do të ketë formulë, prapahije, aktorë e parime të ndryshme dhe, natyrisht, fitimtarë e humbës të saj.

Dëgjoj shpesh shefin e serbëve, Vuçiq, tek thotë: do bëjmë paqe me shqiptarë për 100 vjet. Ndonjëherë, në shestimet fantazmagorike, shfaqet më fin, i mëshirshëm e pajtestar dhe i fal paqes edhe 100 të tjerë.


E me vete thoshja: përse ky nuk shprehet, qoftë dhe si takt diplomatik, me fjalët “paqe të përhershme”?

2.

Kultshkrimtarin e ekziluar frëng, Houellebecq (romani “Nënshtrimi”), e sëmbon një dhimbje: qytetnia e shplarë që ka braktisur gurrën e vet. Ndaj dhe pledon kthimin në vlerat e vjetra konservative. Të kulturës së kulluar kur “Pater familias” siguronte bukën e Zonja edukatën dhe, që këtej, ka një fjalë gjithë pezm për gjermanët. Askush më shumë se ata, revoltohet ai, nuk i është dorëzuar prirjes së shfytyrimit vullnetar.

Në librin e tij nguctar, “Gjermania po vetëzhbëhet”, Thilo Sarrazin (ashtu si Oriana Fallaci me “Eurabinë”), do të shprehte qysh para tij drojën nga shpërbërja identitare e Europës. Dhe fajin do t’a gjejë krejt lehtësisht: idiotizimi i saj vjen nga turko-arabët inferiorë që godasin sistemin social, rëgjojnë inteligjencën dhe, me shoqëritë e getoizuara paralele, shprishin Leit-kulturën gjermane…

Anipse nuk bën retorikë lufte, diku në shënimet përmbyllëse thotë:”… ne nuk e dimë se ç’luftëra do zhvillohen në të ardhmen…”! Por se ato do ndodhin, ai s’ka as më të voglin dyshim.

Ndoshta kësaj here, si do të deshte Houellebecq, ajo do ishte një e totale: një rezistencë mbarëeuropiane kundër shndërrimit të saj në defekt natyre. E kjo dmth. pa familje, pa përtrirje, pa energji sociale e pa ardhmëri kulture që zvetnohet vazhdimisht.

Sepse, si për t’i dalë zot, August Everding (lexuar te “Matanë Brukselit”), do të shkruaj: më shumë se gjeografi heterogjene – Europa është kulturë.

3.

Mirëpo nëse të tjerë, kaq dijemëdhenj, nuk e përceptojnë dot kur dhe ç’luftëra do zhvillohen në motlargëtat që vijnë, një prijës politik i zvargur diku poshtë, në Ballkanin e zymtë, rreket të parashohë: edhe pragun e tyre edhe kundërshtarët në logbetejë.

Dhe nuk është yshtje, vegim a frikë. Është testament i vulosur në alfabetin e krimit. E pra, ja skena e njohur në fushëluftë, në art dhe epos: sërish fusha e mëllenjave dhe sërish shqiptarët, këta armiq të përjetshëm. Armiq – për dashurinë ndaj Dhéut të tyre dhe armiq – për të drejtën hyjnore të kësaj dashurie të përgjakur.

I munduar në kërkim të një përskajimi, pyesja: ç’është kjo paqe e përkohshme. Me afat. Orë e kurdisur…Pastaj, njëj pasdite të bukur mesdimnore, do t’më ndihte mikja e shkrimtarja e nderuar Eva Gjoni. Formulimi i saj do ishte i saktë deri në ligjshmëri historie.

Dhe Ajo më shkroi: zotni, kjo nuk s’është tjetër veçse armpushim!

I gjatë 100 vjet!

Në trend

Më shumë
Besim Dina në një rrëfim të rrallë: Kam dëshirë të kem fëmijë, uroj të m'i sjell Zoti - i kam gjetur edhe emrat që do ia vendosja djalit e çikës

Besim Dina në një rrëfim të rrallë: Kam dëshirë të kem fëmijë, uroj të m'i sjell Zoti - i kam gjetur edhe emrat që do ia vendosja djalit e çikës

Magazina
Mbrëmë u eliminua nga Big Brother VIP Kosova, të nesërmen Rovena Stefa shfaqet duke pastruar borën nga shtëpia e saj në Bërnicë

Mbrëmë u eliminua nga Big Brother VIP Kosova, të nesërmen Rovena Stefa shfaqet duke pastruar borën nga shtëpia e saj në Bërnicë

Magazina
Xhavit Haliti thirret të dëshmojë në procesin gjyqësor kundër Vukotiqit dhe Drashkoviqit, vrasësit e Enver Hadrit

Xhavit Haliti thirret të dëshmojë në procesin gjyqësor kundër Vukotiqit dhe Drashkoviqit, vrasësit e Enver Hadrit

Lajme
Gramosi i drejtohet ashpër Gjestit në BBVA: Pse po merr vëmendje ti e mua po më lë në hije, unë jam që disa javë këtu

Gramosi i drejtohet ashpër Gjestit në BBVA: Pse po merr vëmendje ti e mua po më lë në hije, unë jam që disa javë këtu

Magazina
Pensionistët kërkojnë rritje pensioni dhe heqjen e kërkesës për paraqitje çdo gjashtë muaj

Pensionistët kërkojnë rritje pensioni dhe heqjen e kërkesës për paraqitje çdo gjashtë muaj

Lajme
Juventusi konsideron rritjen e ofertës për Araujon pas interesimit nga Arsenali

Juventusi konsideron rritjen e ofertës për Araujon pas interesimit nga Arsenali

Ndërkombëtare
Kalo në kategori