Alban Krasniqi
Në imagjinatën kolektive, ushtria e një shteti shihet si funksion mbrojtjeje dhe sulmi: mbrojtjeje për të garantuar sovranitetin e shtetit, sulmi për t’i arritur qëllimet ekspansioniste të ndonjë shteti a pushteti. Historia na dëshmon paraqitjen e ushtrive të mëdha e të vogla, të lavdishme e të turpshme; na njeh me ekzistimin e gjeneralëve fitimtarë dhe të dështuar. Po ashtu, historia sjell dëshmi edhe për ushtrinë tonë, për atë ushtri që u formua në dhjetëvjetëshin e fundit të shekullit të kaluar, e që në literaturën e përbotshme njihet si UÇK. Kjo ushtri ishte shumë modeste, si në numër ushtarësh, ashtu edhe në arsenal armësh. Gjithçka kishte të paktë, përveç idealit dhe komandantëve. Lufta e kësaj ushtrie, përballë një armiku shumë herë më të fuqishëm, ishte si lufta e Davidit të leckosur përballë Goliatit të mbërthyer në hekur. Çfarë krenarie për këtë ushtri!
Menjëherë pas përfundimit të luftës, edhe pse ende kishim një tokë me varre të hapura e me mundësi të mbyllura; një tokë me ninulla të thara e me vaje të njoma, disa komandantë hodhën tej idealin, kapën lakminë; përbuzën virtytin, përqafuan vesin. Lakmia e tyre shkoi deri aty sa që e vunë në dyshim të ardhmen e vendit.
Me pushtetin autoritar, kjo oligarki pushtoi të gjitha instancat shtetërore, vetëm e vetëm t’i kënaqë apetitet e veta dhe të vartësve të tyre. Në pamundësi të hapjes së vendeve të reja të punës, për shkak se e rrënuan tërë ekonominë, u desh që të shpikin metoda tjera të përfitimeve financiare e politike. Morën vendim që t’i kompensojnë me pensione të gjithë veteranët e luftës. Statusin e veteranit luftëtar të UÇK-së e meriton personi fizik konform Ligjit nr. 04/L -261, i cili person do të duhet të përfshihet në listë.
Mynxyra fillon pikërisht me përpilimin e këtyre listave, të cilat lista u bënë sipas pikëpamjeve emocionale në vend të pikëpamjeve racionale; u bënë sipas vullnetit politik e jo sipas pjesëmarrjes në luftë. E tërë kjo ndodhi me bekimin e triumviratit Thaçi-Veseli-Haradinaj, i cili u kujdes që çdo gjë të funksionojë sipas vullnetit të tyre.
Listat përfundimtare rezultuan me zatetjen e ireales me realen, si dy skaje të një litari. Ironia edhe më e madhe është se shumica e “veteranëve” e pranuan me shumë kënaqësi e me shumë krenari statusin e veteranit luftëtar. Dhe, numri i tyre u shtua e u rishtua aq shumë, sa që me atë numër ushtarësh, nuk do t’i kishim gjithë ato masakra, gjithë ato zhdukje e gjithë ato dhunime. Komandantët harruan se pikërisht një fitore e një ushtrie me numër të vogël ushtarësh përballë një ushtrie shumëfish më të madhe është më e vlefshme sesa anasjelltas. Edhe Leonidas kishte vetëm treqind ushtarë, por kurrë nuk e rriti numrin e ushtarëve të tij; edhe Pirroja e fitoi betejën me numër të vogël ushtarësh, edhe Skënderbeu po ashtu, dhe kurrë nuk denjuan që ta rritin atë numër.
Madhështia qëndron pikërisht në faktin se me ushtri të vogla korrën fitore të mëdha. Pse ishin ushtri të vogla, i bënë ballë harresës së shekujve dhe na vijnë të freskëta nëpër kohë; pse ishin ushtri me numër të vogël ushtarësh, kanë vlerë Termopilet, ka vlerë Heraklea, ka vlerë Kruja; pse kishin ushtri të vogla dhe fitore të mëdha konsiderohen heronj dhe gjeneralë të famshëm Leonidas, Pirroja, edhe Skënderbeu. Ata patën sukses, se kurrë nuk e tradhtuan idealin e tyre.
Kurse, këta komandantët e sotëm u zhveshën nga heroizmi i së djeshmes dhe u veshën me përbuzjen e përhershme. Paslufta ua eklipsoi luftën. Çdo gjë e zhveshën nga morali dhe nga dinjiteti. Emëruan prokurorë e kryeprokuror njerëzit e tyre, vetëm e vetëm që t’i përligjin veprimet e veta dhe t’ua mbulojnë gjurmët e hajnisë dhe të tradhtisë. Njëri, që e emëruan për verifikim të listave, pasi që shpërfaqi majën e ajsbergut, iu desh të ikte matanë oqeanit, ku përballë kishte mjegullën e prapa kërcënimin. Ai kërcënim që i vinte nga klasa politike dhe nga një kryeprokuror, që vërshoi si gjiriz, mu ashtu si mbiemri i tij që i vjen prej një togfjalëshi Lumë i zi; ai kërcënim që i vinte nga ajo klasë politike e përbërë nga një president si faktor përçarës, që gurët e kufirit i luan si gurë zari; nga një kryetar kuvendi si intrigant, që thur intriga nën tokë e mbi tokë; nga një kryeministër skandalesh jashtë çdo logjike të shëndoshë, që i pëlqen më shumë të mbjellë frikë se respekt. Këtyre të treve u takon mallkimi për katandisjen e shtetit dhe të shoqërisë në anarki sociale, morale e patriotike.
Fodullëku i tyre, gllabërimi i shtetit në të gjitha instancat, aktrimi i rolit të akuzuesit, prokurorit, avokatit e gjykatësit krijojnë bindjen se këta janë shteti. Harrojnë se në pushtet erdhën prej nesh, dhe po ashtu ne i hedhim tutje qoftë sipas motit, qoftë edhe sipas rrëfenjës së Herodotit, se shteti jemi ne.
Që gjërat të fillojnë të ecin rrugës së drejtë, duhet që përveç largimit nga pushteti të këtij Triumvirati, edhe të gjithë luftëtarët të shpërfaqin sinqeritetin e tyre dhe atdhedashurinë, si element bazë e përcaktues për një luftëtar, duke u prezantuar dhe regjistruar nëpër ato lista ashtu siç ishin në të vërtetë qofshin pjesëtarë, qofshin pjesëmarrës, qofshin veteranë.
O njeri, mos u thirr në emrin që nuk e ke, se ai është emër i huaj për ty! Si mund ta fshehësh para gruas e fëmijëve tu identitetin e vërtetë e të sillesh si veteran kur në të vërtetë nuk je as pjesëtar; si mund të shtiresh si hero, kur në të vërtetë je frikacak?
Përulje për dëshmorët, respekt për ushtarët, neveri për “veteranët”.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëErjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime
Këngëtari i famshëm britanik bën publike lidhjen me bukuroshen shqiptare, Xhoana Xheneti
Femrat në këto vende janë krenare për të pasmet e tyre!
Gjeti trupin e 9-vjeçares në Bunë, peshkatari: Pashë me dritë telefoni, dukej si kukull
Vrima e akullit në Antarktidë sa madhësia e Zvicrës vazhdon e rritet - shkencëtarët e zbulojnë pse
VAR sinjalizoi për kartonin e kuq "më të keq në histori" në ligën e Francës, ndërsa tifozët thonë 'ne menduam se Liga Premier ishte keq'
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Krijo hapësirën tënde të biznesit – zyre me qira te 4 Llulat – 300€/muaj ID-252
Më të lexuarat
Laporta shumë nervoz pas humbjes me Gironan – ai bërtiti vetëm me pesë fjalë, humbja mund t'i kushtojë miliona euro Barcelonës
Buleshkaj: Vitin e kaluar jemi njoftuar për një politikan që i ka pasë 5 milionë euro në një bankë në Zvicer
Erjolën e hedhin në mes të natës në pishinë, i ekspozohen pjesët intime
Vinicius ironizon me Araujon: Publikon trofetë e fituar nga gjenerata e re e Real Madridit
Tjetër fitore për Ukrainën: Rusia tërheq nga vijat e frontit dhjetëra aeroplanë luftarak
Këto janë vendet ku TikTok tashmë është i ndaluar – dhe nuk janë pak