LAJMI I FUNDIT:

Shoqata e Bjeshkatarisë “Gjeravica”, mbush 90 vjet, me 6 korrik manifestimi qendror në Boge të Rugovës (Video)

Shoqata e Bjeshkatarisë “Gjeravica”, mbush 90 vjet, me 6 korrik manifestimi qendror në Boge të Rugovës (Video)

Në vigjilje të 90 vjetorit të themelimit të Shoqatës së Bjeshkatarisë “Gjeravica”, anëtarët e saj kanë vendosur që ta shënojnë këtë datë me një manifestim që do të jetë në Boge të Rugovës.

Hajrullah Gruda, është njëri nga virtuozët e bjeshkatarisë, i cili është bërë pjesë e shoqatës qysh në vitin 1950.


Ai ka treguar se aso kohe si fëmijë improvizonin për të bërë ski, sepse mungonin ato.

“Ne i merrnim dërrasat që i gjenim dhe lëshoheshim në pjesë e njohur si tabje dhe aty kemi rrëshqitur”, ka shtuar Gruda.

Një anëtar tjetër i “Gjeravicës” dhe pasionant i bjeshkatarisë është Zija Dresha, transmeton RTV Dukagjini.

Ai ka treguar se është pjesë e kësaj shoqate që nga viti 1956, duke shtuar se ka udhëhequr ekipin shpëtimtar.

“E kemi gjetur së bashku me ekpin tim një person i cili ka humbur. Atë e kemi gjetur pas pesë ditëve. Ai sot jeton dhe është bashkëmoshatar i imi”, ka theksuar Dresha.

Arben Lila, kryetar i Federatës së Bjeshkatarisë së Kosovës, ka thënë se ka një rritje të madhe të vetëdijesimit të njerëzve për natyrën.

Sipas tij, ajo çka është më rëndësi në këtë 90 vjetor është t’i kujtojmë të gjithë ata që kanë kontribuar në këtë drejtim.

Raif Gjikolli, udhëheqës i organizimit të manifestimit të 90 vjetorit të ekzistencës së Gjeravicës, ka thënë se manifestimi qendror do të mbahet me 6 korrik në Boge të Rugovës.

Ai i ka ftuar të gjithë dashamirët e natyrës që të jenë pjesëmarrës i cili sipas tij, do të jetë një ngjarje madhështore.

Në këtë manifestim do të kujtohen shumë anëtarë të Gjeravicës, numri i të cilëve nga viti i themelimit 1928 ka shkuar në 12 mijë e 800 anëtarë. /Telegrafi/