LAJMI I FUNDIT:

Zgjedhjet në Shqipëri: Një lajm i mirë dhe një lajm i keq

Zgjedhjet në Shqipëri: Një lajm i mirë dhe një lajm i keq

Dimitar Bechev

A është gota gjysmë plot apo gjysmë bosh? Kjo është pyetja që po mundon shumëkënd pas zgjedhjeve të përgjithshme në Shqipëri.

Lajmi i mirë


Nuk ka dyshim që ka një anë pozitive. Fakti që zgjedhjet u zhvilluan të dielën dhe prodhuan një rezultat të qartë, nuk është diçka e thjeshtë. Kryeministri Edi Rama dhe socialistët e tij fituan thuajse 50 për qind të votave, shumë xhiro përpara opozitës së Partisë Demokratike.

Disa javë më parë, zyrtarët perëndimorë, përfshirë ministrin e Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, u paralajmëruan se Shqipëria mund të rrëshqasë në kaos. PD bojkotoi parlamentin dhe thirri mbështetësit në rrugë. Koalicioni i Ramës me Lëvizjen Socialiste për Integrim ishte në telashe po ashtu. Shqipëria dukej në prag të krizës, siç po ndodhte me Maqedoninë fqinje.

Vendi ka një histori të gjatë zgjedhjesh të kontestuara në mesin e një polarizimi të fortë politik. Në vitin 2009, socialistët, atëherë në opozitë, refuzuan të pranojnë fitoren e PD-së dhe bojkotuan Kuvendin për gati dy vite. Dy vjet më pas, Rama humbi Bashkinë e Tiranës në mënyrë kontroverse ndaj Lulzim Bashës, aktualisht lider i PD. Tani gjërat janë kthyer anasjelltas.

Pasi humbi pushtetin në vitin 2013, Partia Demokratike duhet të merret me një sistem të deformuar në favor të partisë në pushtet. Rama dikur nuk ishte favoriti: Një ish-artist, plot energji të freskëta, me simpatizantë në vend dhe jashtë. Kundër tij ishte Sali Berisha, një politikan veteran, qëllimi i të cilit ishte vetëm mbajtja e pushtetit me çdo kusht. Një Golia për Ramën-David.

Këto ditë Berisha ka dalë në pension, i preferuari i tij, Lulzim Basha, është në depresion, LSI nuk është më kurorëzues i fituesit dhe Rama është ai që vendos për mirë apo për keq.

Opozita e dobësuar në Kuvend përbën një problem. PD është në rrëmujë pas lidershipit pa shkëlqim të Lulzim Bashës. Ndërkohë, Ilir Meta, lider i LSI-së, ka arritur të rrisë partinë e tij, por trupa parlamentare e kësaj partie nuk do jetë një forcë e frikshme për t’u përballuar.

Lajmi i mirë është se Rama ka shanse për të formuar një qeveri të qëndrueshme dhe të shtyjë përpara reformat kyçe në vend siç është reforma në drejtësi, e kërkuar nga BE për të nisur negociatat e anëtarësimit. Kriza politike në gjysmën e parë të vitit, shoqëruar me bojkotin e PD-së, nuk ka lënë hapësirë për punë serioze në këtë front.

Lajmi i keq

Shqipëria ka qenë pjesë e NATO-s që prej vitit 2009 dhe tani po i afrohet hapjes së bisedimeve me BE-në. Megjithatë, mbajtja e zgjedhjeve të rregullta mbetet sërish një sfidë e madhe.

Nuk është njësoj si atëherë kur shpërthyen trazirat popullore të vitit 1997, që sollën kolapsin e institucioneve. Dhe ndryshe nga fqinjët e saj, Shqipëria nuk është e fragmentarizuar përgjatë vijash etnike.

Megjithatë, ndërtimi i një regjimi të qëndrueshëm e demokratik mbetet një qëllim i paarritshëm. Institucionet e dobëta janë të prirura që të bien nën ndikimin politik, duke krijuar një atmosferë mosbesimi. PD zgjodhi taktika destruktive për shkak se dyshonte se Rama do luante ndershëm në kutitë e votimit.

Pas një mandati në qeveri, socialistët janë dëmtuar nga korrupsioni dhe ka akuza serioze për lidhje me krimin e organizuar. Një skandal i fundit përfshinte akuza për lidhje me trafikantë që dërgojnë kanabis në Greqinë fqinje. Pushteti përdoret kundër kundërshtarëve. Për shembull, në shkurt policia ngriti akuza ndaj Bashës për nxitje të dhunës, që mund të sillnin dënimin e tij me burg për tre vite. Vëzhguesit e OSBE-së raportuan blerje masive të votave në ditën e zgjedhjeve, mes të tjerave parregullsi.

Fakti është se PD-ja vetë përdorte truke të ndyra të ngjashme para vitit 2013. Kjo dëshmon se problemi është sistematik, më shumë se sa rrjedh nga personalitete të mëdhenj si Berisha, Rama apo Meta, që do të marrë presidencën në fund të korrikut.

Të gjithë i kanë skeletet e tyre në dollap, por çështja është se çfarë kontrolli dhe balance ka për të frenuar instinktet grabitqare të operatorëve politikë.

Bisedimet me BE-në

BE është qartësisht pjesë e përgjigjes për krizën kronike të politikës shqiptare. Rama dhe Basha nuk do të mund të arrinin një kompromis për zgjedhjet pa ndërhyrjen e BE. Sipas marrëveshjes së arritur, zgjedhjet u zhvilluan një javë më vonë se data fillestare, 18 qershor.

Ky vendim pati efekte negative për Bashën, pasi solli një pjesëmarrje të ulët në nivele rekord. Vapa dhe festa e Bajramit luajtën rol. Tani topi është në fushën e Ramës. Ai mund të përdorë fuqinë e re për të kaluar reformat në gjyqësor dhe të nisë negociatat e anëtarësimit me BE-në.

Nëse këto ndryshime do sjellin hetime dhe dënime ndaj politikanëve dhe biznesmenëve të profilit të lartë, veçanërisht atyre të lidhur me partinë në pushtet, është një tjetër çështje.

Siç e kemi parë kudo në Ballkanin Perëndimor, reformat legjislative janë të nevojshme, por nuk janë një kusht i mjaftueshëm për ndryshime thelbësore në qeverisje. Suksesi i Ramës mund të sigurojë përfundimisht stabilitetin, kjo është e sigurt. Por, siç e dimë, në Ballkan ‘stabiliteti’ është i barabartë me të gjithë të këqijat që Brukseli po u kërkon këtyre vendeve t’i luftojnë. /Al Jazeera/