LAJMI I FUNDIT:

Pyetje titistëve të “kombit” kosovar: Jeni me cicat e Cecës apo Nënë Terezën?

Pyetje titistëve të “kombit” kosovar: Jeni me cicat e Cecës apo Nënë Terezën?

Ilir Babaramo

Një debat qesharak po provokohet nga një pjesë krejt e papërfillshme e elitës së Prishtinës. Po ftojnë qytetarët e Kosovës që të shpallin përkatësinë e tyre, “kombin” kosovar. Thënia e Hegelit se historia përsëritet në formë komike vlen sigurisht për këtë rast. Në historinë moderne të shqiptarëve të Kosovës kjo është hera e dytë, kur ata ftohen për të shpallur publikisht identitetin e tyre. Hera e parë sigurisht nuk shkaktonte të qeshura. Bëhej me ndihmën e tankeve dhe bajonetave serbe.


Në kapërcyellin e vitit 1981, pyetja nëse je shqiptar apo jo nuk bëhej kaq e sofistikuar në tone intelektuale. Regjimi serb sapo kishte shtypur me tanke demonstratat që përfshinë Kosovën. Pushtuesit, bashkë me lakejtë e tyre të tipit Mehmet Maliqi, nisën procesin famëkeq të Diferencimit. Thelbi i tij ishte se në çdo institucion, ndërmarrje, deri në fshatrat më të humbura të Kosovës, në mbledhje publike, çdo individ shqiptar duhet të deklaronte përkatësinë e tij. Duhet të zgjidhte: është shqiptar apo jugosllav. Kush nuk distancohej nga demonstratat, kush deklaronte se ishte shqiptar, automatikisht humbiste vendin e punës, ndërkohë që burgjet mbusheshin me cilindo që shprehte dhe rezistencën më të vogël verbale. Gjithë institucionet u zbrazën nga shqiptarët, shkollat shqipe u mbyllën. Deri dhe kirurgët i dëbuan nga sallat e operacioneve, vetëm sepse thanë që janë shqiptarë. Pyetjes ekzistenciale shumica absolute e shqiptarëve nuk i bënë dredha. Segregacionit ju përgjigjën me struktura paralele duke i kthyer bodrumet e shtëpive në klasa, ku mësohej shqip, historia e Skënderbeut dhe ku këndohej himni i flamurit.

Gjatë pothuajse një shekulli pushtim të Kosovës, Beogradi e kishte ndërtuar strategjinë e tij mbi dy boshte. I pari ishte dëbimi masiv, doktrina e Cubriloviçit. Beogradi kishte një marrëveshje me Ankaranë për të deportuar drejt Turqisë shqiptarët që jetonin nën Jugosllavi. Trenat me shqiptarë që inkurajoheshin me të gjitha format për të braktisur Kosovën niseshin nga Prishtina e Shkupi dhe përfundonin në Stamboll. Kjo ka vazhduar në mënyrë konstante gjatë viteve ‘20 dhe ‘30. Kjo është dhe arsyeja përse Turqia sot numëron gati pesë milionë shtetas me origjinë shqiptare. Me shqiptarët që nuk u larguan Beogradi ndoqi tjetër strategji. U përpoq të modifikojë identitetin e tyre. Në shumë forma. Fillimisht duke ushqyer tezën se shqiptarët e Kosovës janë ndryshe nga ata të Shqipërisë. Ndërkohë që Enveri po ndërtonte njeriun e ri, Tito po krijonte homos yougosllavus. U krijuan simbole të rrejshme si Bojo-Ramizi, dy “vëllamë”, njëri serb dhe tjetri shqiptar që u vranë duke mbrojtur njëri tjetrin nga pushtuesi. Ishte koha e Bashkim-Vëllazërimit, sloganit mbi të cilin ishte ndërtuar Jugosllavia e Titos.

Elita e Kosovës dhe në ditët e saj më të zeza refuzoi të bjerë në këtë grackë. Për “malokët” e Drenicës as që bëhej fjalë. Në kulmin e çdo shtëpie në Kosovë kishte një antenë satelitore që kapte valët e RTSH-së. Pavarësisht se televizioni shqiptar emetonte ideologji komuniste sa të gjithë televizionet bashkë nga Berlini Lindor në Vladivastok, sërish antenat e Kosovës ishin drejtuar nga Tirana si minaret e xhamive të Bosnjës nga Meka. Për një arsye fare të thjeshtë: donin të dëgjonin shqipen e pacensuruar nga Beogradi.

Dështimi më i madh i Serbisë për të ndryshuar ADN-në e shqiptarëve të Kosovës është gjuha standarde. Në mënyrë perfide u përpoqën të luajnë me nuancat që sjellin në gjuhë dialektet. Ju keni gjuhën gege, atë duhet të keni si gjuhë zyrtare në Jugosllavi, ishte presioni që i bënë elitës së Prishtinës. Por, askush nuk ra në këtë grackë. Në kongresin e drejtshkrimit, gjithë përfaqësuesit nga Prishtina nënshkruan në Tiranë projektin e gjuhës standarde shqipe. Sigurisht meritë ka dhe kreu i atëhershëm i Kosovës, Mahmut Bakalli.

Bashkimi dhe ndarja e një kombi fillon nga gjuha, pastaj historia. Si mund të ndahet Pjetër Bogdani nga Marin Barleti, Ismail Qemali nga Isa Boletini, Kadare nga Qosja, Adem Jashari nga Çerçiz Topulli, Mehmet Kraja nga Dritëro Agolli, Ali Podrimja nga Xhevahir Spahiu. E kështu me radhë e kështu pa fund. Janë argumente kaq bazike sa mësohen bashkë me Abetaren.

Po çfarë janë këta që shpallin gafën e kombit kosovar, që ngatërrojnë shtetin me kombin? Nostalgjikë të Bashkim-Vëllazërimit të Titos, sigurisht. E vetmja gjë që nuk kemi të përbashkët në art me titistët e Prishtinës është turbofolku i Cecës. Telefonata e fundit që pati Vaçe Zela para se të ikte në amshim ishte ajo e Nexhmije Pagarushës.

Në vitet ‘80, në Kosovë zhvillohej dhe lufta e simboleve. Njerëzit identifikoheshin si titistë dhe enveristë. Kishte një idhujtari gati ekstreme për dy udhëheqësit që kishin dominuar për katër dekada shtetet respektive. Titistët krejt të pakët në numër i përkisnin elitës së emëruar nga Beogradi, që gëzonte privilegjet e nomeklaturës, që pranonte identitetin jugosllav, që përqeshte varfërinë ekstreme të Shqipërisë dhe i gëzohej një makine Zastava dhe pushimeve në Ulqin. Pranonin të fyheshin nga pushtuesi, mjaft që të kishin statusin e të parit të fshatit.

Kurdoherë i kam përbuzur enveristët, por jo ata të Kosovës së viteve ‘80. Madje, këta meritojnë respekt në idealizmin e tyre naiv. Në agoninë e jetës së tij politike, që e kishte nisur si zar i Dushan Mugoshës, Enver Hoxha ndikoi në krijimin e LPK-së. Është ajo struktura që dy dekada më pas do ishte shtabi i UÇK-së. Atëherë ishin të rinj idealistë që për të refuzuar Titon detyroheshin të zgjidhnin Enver Hoxhën. Për një arsye të vetme: ishte kryetar i shtetit amë. Me shembjen e regjimit komunist kuptuan burgun e madh që kishte ndërtuar Hoxha, por kjo nuk ndryshoi qëndrimin e tyre ndaj Shqipërisë.

Kjo ndarje mes atyre që sytë i kishin nga Tirana dhe atyre që ekzaltoheshin nga këngët e Cecës vazhdoi derisa UÇK nisi luftën. Ndërkohë që në Drenicë luftohej, në çajtoret e Prishtinës apogjetët e sotëm të kombit kosovar ankoheshin se “malokët po na qesin telashe”. Në fakt kishin arsye të shqetësoheshin. Betimi i UÇK-së ishte për bashkimin e gjithë trojeve etnike. UÇK i jepte fund projektit të Bashkim-Vëllazërimit jugosllav. Bashkë me atë do humbisnin Zastavat e etërve dhe ëndrrën për karrierë personale në Jugosllavi. Monumenti i vënë me përdhunë në qendër të Prishtinës, ai i Boro-Ramizit do shkulej që ditën e parë të lirisë për t’u zëvendësuar nga ato të heronjve të përbashkët të kombit shqiptar, Adem Jasharit, më i ndritshmi prej tyre.

Titistëve të “kombit” kosovar u vlen t’u kujtohet në çdo çast se shqiptarët nga të dyja anët e Drinit vetëm dy elementë nuk kanë të përbashkët: Boro-Ramizin dhe Cecën. Mund t’u tolerohet që në rininë e tyre të hershme masturboheshin me cicat e Cecës. Tekefundit, shpina e kërrusur e Nënë Terezës nuk është aq joshëse për një adoleshent. Por, tani që shumica e tyre janë burra me thinja dhe cicat e Cecës kanë filluar të fishken dhe varen nuk kanë përse të kenë më nostalgji. Sigurisht nëse janë të lirë. Aq të lirë sa të kuptojnë të vërtetën e thjeshtë që jemi një komb në dy shtete. Sepse, dreqi e mori askush nuk e blen dot të kaluarën e vet dhe të familjes së vet.

Në trend

Më shumë
Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Meç i madh i boksit mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk - detajet minutë pas minute

Boks
Demografia evropiane - cili shtet ka natalitetin më të lartë dhe ku qëndron Kosova?

Demografia evropiane - cili shtet ka natalitetin më të lartë dhe ku qëndron Kosova?

Evropa
Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Mospërfshirja e Kosovës në agjendën e Komitetit të Ministrave të KiE, reagime të ashpra ta deputetëve gjermanë – kritikojnë qeverinë e tyre

Lajme
Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Vetëm dy vende do të mbijetonin pas apokalipsit bërthamor - çka do t'i shpëtonte këto shtete

Botë
Real Madrid ka një bishë 19-vjeçare në skuadër: Turku i talentuar Arda Guler tregoi trupin pas stërvitjeve të shumta

Real Madrid ka një bishë 19-vjeçare në skuadër: Turku i talentuar Arda Guler tregoi trupin pas stërvitjeve të shumta

La Liga
Gjithçka çfarë duhet të dini për meçi mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk: Koha, titujt, rekordet dhe pesha e tyre

Gjithçka çfarë duhet të dini për meçi mes Tyson Fury dhe Oleksandr Usyk: Koha, titujt, rekordet dhe pesha e tyre

Boks
Kalo në kategori