LAJMI I FUNDIT:

Çka është trend në botë

Çka është trend në botë

Nuk është lehtë të shkohet në hap me trendët e fitnesit botëror. Në shqyrtimet e mëposhtme kemi vështruar në mënyrë të kujdesshme disiplinat e reja sportive, dhe do t’iu tregojmë për prejardhjen e tyre dhe dobitë që mund të keni nga ato.

Ecja nordike
Çka është? Ai i cili është i mirë në të skijuarit nordik, nuk mund të jetë i keq edhe në këtë lloj ecjeje, kanë pohuar finlandezët, dhe në këtë mënyrë kanë marrë me vetë shkopinjtë e skijimit dhe kanë dalë për të ecur me to në rrugë. Kështu është zbuluar një formë e re e aktivitetit nga e cila kanë dobi nyjat, aktivizohen pothuajse të gjithë muskujt dhe është për 40% deri 50% më efektive se ecja e zakonshme (djeg 400 kalori brenda një ore, derisa gjatë ecjes së zakonshme harxhohen afër 280 kalori). Duke iu falënderuar shkopinjve të cilët qëndrojnë paralelisht në raport me shputat, lëvizin edhe muskujt e supeve, të gjoksit dhe të duarve. Në këtë mënyrë përmirësohet mbajtja e qafës dhe largimi i shtangimit të saj.
Kujt i përgjigjet? Nëse dëshironi ecje në ajër të freskët, do të kënaqeni me ecjen nordike. Është sport ideal për njerëzit me mbipeshë trupore.

Chi-Ball
Çka është? Chi-Ball është një top i vogël, i cili shpërndan aroma të ndryshme, ndërsa shfrytëzuesi mund të zgjedhë nëse dëshiron ndonjë aromë qetësuesese ose diçka e cila do ta këndellë. Ushtrimet e relaksimit dhe të ecjes me top bëhen në prani të muzikës. Kjo është një përzierje interesante e elementeve të jogës, mjekësisë tradicionale kineze dhe fitnes-treningut.
Kujt i përgjigjet? Nëse preferoni sporte të lehta, atëherë trajnimi me Chi-Ball do t’ju pëlqejë shumë. Qëllimi i këtij ushtrimi nuk është te rezultatet, por në kërkimin e vetëdijshëm të pikave të trupit.

Box-Out
Çka është? Edhe pse emërtimi është anglez, ideja është gjermane. Nëse mendoni se këtu po kërkohet pasuesi i Mike Tysonit, keni gabuar. Në këtë sport përdoren metodat e trajnimit të boksit klasik, me ndihmën e të cilave zhvillohet lëvizshmëria, kondicioni dhe fuqia e atij që ushtron. Gjëja më e fortë që do të goditni është thesi i mbushur me rërë- iu garantojmë se nuk do të keni mavijosje në fytyrë.
Kujt i përgjigjet? Box-Out nuk është vetëm për meshkujt. Në fakt, femrat me ndihmën e këtij sporti rrisin fuqinë e tyre dhe krijojnë vetëbesim më të madh.


Capoeira
Çka është? Capoeira në fillim ka qenë mënyrë luftuese të cilën e kanë sjellë robërit nga Brazili. Lufta dhe vetëmbrojtja ka qenë e ndaluar për robërit, prandaj këto ushtrime janë realizuar me anë të muzikës dhe vallëzimit. Në kohën moderne kjo përziere temperamente e llojeve të luftërave (pa armë dhe pa kontakt trupor), akrobatikës, ritmit dhe muzikës, ka filluar të tërheqë shumë dashamirës. Dy kapoeristë qëndrojnë në rreth dhe ndryshojnë lëvizjet e këmbëve dhe goditjet në distancë, të tjerët qëndrojnë përreth, mbajnë ritëm dhe këndojnë refrene të këngëve tradicionale të robërve.
Kujt i përgjigjet? Capoeira iu pëlqen sidomos femrave, për të cilat shkathtësitë tjera luftuese janë shumë të drejtpërdrejta dhe të vështira. Përvetësimi i Capoeiras nuk është aspak i lehtë, por ajo paraqet një kombinim me të mirë të elegancës, teknikës, vallëzimit dhe muzikës.

Bikram Yoga
Çka është? Është formë e veçantë e jogës, e cila është vërtetë e ‘nxehtë’, pasi ushtrohet në terrene me temperaturë 40 gradë celsius. Jo vetëm që muskujt bëhen elastikë dhe fleksibilë, por me anë të djersitjes largohen toksinat nga organizmi. Mendimtari i këtij lloji të ushtrimit, Bikram Choudhury nga India, betohet se kjo metodë e jogës ndihmon që trupi të mbetet edhe shpirtërisht edhe fizikisht i shëndoshë, dhe njëkohësisht zvogëlon simptomat e sëmundjeve kronike.
Kujt i përgjigjet? Bikram-Yoga do të jetë më e lehtë për ata të cilët kanë këmbë të gjata. Nuk është e nevojshme të keni njohuri paraprake për këtë formë ushtrimi.

Riverdance
Çka është? Është një formë e vallëzimit tradicional irlandez. Realizohet në mënyrë që, duke mos lëvizur aspak pjesën e sipërme të trupit, vetëm kërcehet dhe dridhet, ashtu që këmbët thjeshtë ‘fluturojnë’. Ky është vallëzim gjatë të cilit do të djersiteni dhe do të lëvizni në mënyrë të shkëlqyeshme. Ekziston qe qindra vite, edhe në kohën e sotme është mjaft i përhapur në mbarë botën.
Kujt i përgjigjet? Nëse dëshironi të ushtroni Riverdance, duhet të keni gjunjë dhe nyja të shëndosha, pasi që janë pikërisht nyjat ato të cilat ngarkohen gjatë këtij vallëzimi. Me qëllim që të pengohen lëndimit, paraprakisht janë të domosdoshme ushtrimet e nxehjes dhe zgjatjes së muskujve.

Salsa aerobik
Çka është? Është pak e njohur se Kuba, krahas rumit dhe purove, ka edhe një prodhim eksporti: ritmet temperamente të salsas të kombinuara me ushtrimet e përgjithshme aerobike. Lëkundja e ijëve, prapanicës dhe shikimet e nxehta në sy, kanë qenë vështirë të realizueshme për evropianët, të cilët e dinin vetëm valsin. Mirëpo me kalimin e kohës ata kanë arritur ta përvetësojnë këtë lloj vallëzimi. Të inspiruar nga ritmi latin dhe nga aerobiku, janë zhvilluar kurse me përmbajtje të ndryshme të ushtrimeve, siç janë “Latin Step”, “Cuba Libre”, “Latino Swing” dhe “Latinissimo”.
Kujt i përgjigjet? Të gjithë ata të cilët kur dëgjojnë ritme latine nuk mund të qëndrojnë të qetë. Partneri dhe kostumi special nuk janë të domosdoshëm. Duhet të keni vetëm pakëz kondicion dhe ndjenjë për ritëm.

Coreboard
Çka është? Është lloj i fitnesit, i cili ka ardhur nga SHBA-të, ndërsa bëhet fjalë për ushtrimet në pllakën rrethore e cila rrotullohet në tri boshte. Me anë të këtij ushtrimi arrihet baraspeshë më e mirë, koordinimi më i mirë i lëvizjeve, përmbajtje dhe fuqi. Coreboard bazohet në njohjen e psikoterapisë (core- do të thotë bërthame-palcë, bëhet fjalë për palcën e trupit dhe muskujt, të cilët aktivizohen në veçanti gjatë këtij sporti).
Kujt i përgjigjet? Studimet e fitnesit ofrojnë programe për tri shkallë intensive, në mënyrë që të marrin pjesë edhe ata me kondicion të dobët.