LAJMI I FUNDIT:

Ndalimi i pirjes së duhanit në vende publike

Ndalimi i pirjes së duhanit në vende publike

Organizata joqeveritare KADC (Kosovo Advocacy and Development Centre) në bashkëpunim me IKSHPK-në (Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës), të martën në Prishtinë organizoi debatin “Strategjia e veprimit për zbatimin e ligjit për duhanin: Ndalimi i pirjes së duhanit në vende publike”.

Pjesëmarrës në këtë debat, përveç drejtorit ekzekutiv të KADC- së, Shkumbin Spahija, dhe drejtorit të IKSHPK-së, Naser Ramadani, ishin edhe deputetë të Parlamentit të Kosovës, zyrtarë të ministrisë së Shëndetësisë, ministrisë së Arsimit, Inspektoratit Sanitar të Kosovës, OBSH-së, UNICEF-it, dhe profesionistë shëndetësorë.

Në këtë debat u shkëmbyen shumë ide rreth zbatimit të ligjit për duhanin dhe u nxorën disa konkluzione konkrete si fillimi i një fushate gjithëpërfshirëse me datën 31 maj (Dita Ndërkombëtare kundër Duhanit) që do të udhëhiqet nga Inspektorati Sanitar me përkrahjen e KADC- së, IKSHPK-së, OBSH-së dhe faktorëve tjerë relevant që ishin pjesëmarrës në këtë takim.

Kjo fushatë do të bëjë:


Sensibilizimin e opinionit mbi ekzistimin e ligjit për duhanin për ndalimin e pirjes së duhanit në vende publike.

Dhënien e një afati kohor për institucione dhe lokale që t’i plotësojnë kushtet e nevojshme për ndalimin e pirjes së duhanit dhe njëherësh njoftimi i tyre me dispozitat ndëshkuese në rast të mosrespektimit të ndalesave.

Ndalimin e shitjes së duhanit për personat nën moshën 18- vjeçare.

Përkrahja e policisë në largimin e shitësve ambulantë.

Përfshirja e orëve mësimore që ngrenë vetëdijen e nxënësve për rreziqet që shkakton pirja dhe ekspozimi ndaj tymit të duhanit në planprogramin mësimor të arsimit parauniversitar si masë parandaluese.

Avokimin për ndarjen e një buxheti shtesë për inspektoratin sanitar në mënyrë që të shtojë stafin me inspektorë që merren vetëm me monitorimin e zbatimit të ligjit për duhanin.

Riformatizimin dhe funksionalizimin i Këshillit Profesional për Kontrollin e duhanit. /Telegrafi/