Trembëdhjetë vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, një dokument ky që për kohën kur u miratua, u konsiderua si ‘zbulim’ që do të rregullonte të gjitha kontradiktat etnike, sociale e politike në shoqëritë multietnike.
Parimet themelore të kësaj Marrëveshje ishin 4: Tërësisht dhe pa kusht hidhet poshtë përdorimi i dhunës për realizimin e qëllimeve politike. Vetëm zgjidhjet paqësore politike mund ta garantojnë stabilitetin dhe ardhmërinë demokratike të Maqedonisë; Sovraniteti dhe integriteti territorial i Maqedonisë dhe karakteri unitar i shtetit janë të pashkelshëm dhe duhet të ruhen. Nuk ekzistojnë zgjidhje territoriale për çështjet etnike; Karakteri shumetnik i shoqërisë maqedonase duhet të ruhet dhe të gjejë shprehjen e vet në jetën publike. Një shtet bashkëkohor demokratik, në rrjedhën natyrore të zhvillimit dhe krijimit të vet, duhet vazhdimisht të sigurojë Kushtetutën e tij që tërësisht t’i plotësojë nevojat e të gjithë qytetarëve të saj, në pajtim me standardet më të larta ndërkombëtare si dhe vet të zhvillohen vazhdimisht; Zhvillimi i pushtetit vendor është me rëndësi thelbësore për nxitjen e pjesëmarrjes së qytetarëve në jetën demokratike dhe për përparimin e respektimit të identitetit të bashkësive.
Por, tash kur Maqedonia po noton në ujëra të trazuar, kur pakënaqësia qytetare e shqiptarëve ka thyer traditën e gjatë të heshtjes, askush nuk është i sigurt se sa kjo marrëveshje do të mund të mbuloj të gjitha pikëpyetjet që janë ngritur si gjilpëra mbi fushën me kontraste etnike, sociale e politike të Maqedonis.
Mbi Marrëveshjen e Ohrit janë organizuar dhjetëra konferenca e shumë projekte dhe nga individë, institucione e faktorë të ndryshëm janë dhënë vlerësime të ndryshme mbi ecurinë e implementimit të kësaj marrëveshje. Por, emërues i përbashkët i të gjitha këtyre vlerësimeve ka qenë konstatimi se MO ka pësuar ngecje në segmente të caktuara dhe jo rrallë obstruimi i mos implementimit të saj ka ardhur nga vetë politikanët.
Marrëveshja e Ohrit është një dokument i rëndësishëm që konfirmonte gjetjen e kompromisit politik në fund të një konflikti etnik. Sipas parashikimeve, kjo marrëveshje ka qenë dashur të implementohet deri në fund të vitit 2004, gjegjësisht në fillim të 2005.
Vonesat që sollën mosimplementimin me kohë të kësaj marrëveshjeje kanë mjaftuar të frustrojnë shumë njerëz, por të shfaqin edhe ide e alternativa konkurruese në “tregun” e ideve politike. Ka shumë arsye të kërkohet llogari nga ata që e kanë vonuar procesin e implementimit të MO, qofshin ata në pushtetin aktual, apo pararendës. Emërues i përbashkët i të gjithë vonuesve të këtij procesi ka qenë obstruimi i afateve duke luajtur lojë jo të sinqertë në mes të partnerëve të koalicionit.
A kanë të drejtë të thirren në ekskluzivitetin dhe në autorësinë e Marrëveshjes së Ohrit ata të cilët po e vonojnë atë që të implementohet dhe mbi të gjitha a kanë të drejtë ta konsiderojnë atë si platformë të vetme për ndonjë koalicion paszgjedhor në mes të partive politike shqiptare? Na duket e palogjikshme të vendoset si kusht një Marrëveshje , për vonesën e së cilës duhet të jepet llogari para elektoratit, dhe më së paku ajo të përdoret si adut për të neutralizuar bashkëpunimet e reja brendashqiptare. Kur partitë shqiptare u vunë kusht kryeministrave maqedonas se me cilën marrëveshje do të hyjnë në koalicion? Edhe atëherë kur kryeministrat maqedonas i shkelën me të dyja këmbët afatet për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, partitë shqiptare vazhduan të mos e prishin terezinë e pushtetmbajtjes në koalicionet e krizave dhe të irritimeve mbi baza etnike e fetare.
Askush nuk ka ekskluzivitet dhe autorësi personale mbi Marrëveshjen e Ohrit për ta konsideruar atë si dokument partiak rreth të cilit duhet domosdoshmërisht të lidhen koalicionet brendashqiptare. Fundja, koalicionet nuk kanë gjithmonë për bazë aspektin ideologjik e doktrinar, sa e kanë dimensionin praktik të implementimit të një procesi të caktuar politik brenda një afati të caktuar kohor. Pikërisht pse mungoi një koalicion më i gjerë i forcave politike shqiptare pati edhe vonesë në implementimin e MO.
Pastaj, nëse ka oferta të ndryshme politike, të cilat jo gjithmonë duhet kuptuar si zëvendësim i Marrëveshjes së Ohrit, por vazhdim i këtij procesi, atëherë nuk na duket e tepërt që pikërisht për këto oferta të ketë bashkëpunim brendashqiptar. Të trumbetosh gjatë gjithë kohës se Marrëveshja e Ohrit është zeniti i kualitetit dhe kuantitetit të politikbërjes së shqiptarëve, në njërën anë, dhe të refuzosh të bashkëpunosh mbi bazat e një diversiteti normal idesh e strategjish politike, në anën tjetër, fsheh brenda vetes tendencën e ngurtësismit të veprimit politik për qëllime shumë speciale dhe në favor të pazareve jotransparente me faktorët politik maqedonas.
Marrëveshja e Ohrit nuk është libër i shenjt dhe shumë më pak janë të shenjtë ata që e (keq)përdorin atë për të bllokuar bashkëpunimin dhe bashkërendimin brendashqiptar.
Por, mbi të gjitha, Marrëveshja e Ohrit, është viktimë e marrëveshjeve interne të liderëve maqedonas dhe shqiptar.
Lehtësia për të promovuar Maqedoninë si model të një shteti multietnik burimin e ka tek pamundësia për ta dëshmuar të kundërtën e këtij argumenti, se, megjithatë, ka një model tjetër – Kosova, që me Pakon e Ahtisarit, i thyen të gjitha parametrat e mundshëm të analogjisë. Nëse Marrëveshja e Ohrit mund të konsiderohet si një dokument që arriti të neutralizoj plasaritjet e mëtejme ndëretnike, pas një konflikti dramatik në v. 2001, ky nuk është kurrfarë argumenti për të shpikur një fjalor të posaçëm politik i cili do të shpjegonte ekskluzivitetin e këtij dokumenti gjoja të pakrahasueshëm në arealin e konfigurimeve shumetnike.
Nëse i bëhet një krahasim sipërfaqësor të dy dokumenteve – Marrëveshjes së Ohrit dhe Pakos së Ahtisarit, do të mund të vërejmë një dallim kuantitativ e kualitativ të dimensioneve që rregullojnë raportin në mes të shumicës dhe pakicës, që rregullojnë çështjen e statusit të gjuhëve, statusit të bashkësive fetare, lidhjeve me shtetet amë, financimin dhe autonominë e komunave, funksionalitetin e institucioneve shtetërore në tërë territorin, karakterin unitar të shtetit etj.
Realiteti institucional në Kosovë, përmes Pakos së Ahtisarit, nuk e shpreh realitetin faktik në terren, sepse Kosova promovohet si shtet multietnik me një pakicë të papërfillshme serbe që në asnjë konventë ndërkombëtare nuk ka bazë argumentuese dhe analogjike. Ajo që në Pakon e Ahtisarit evidentohet si obligim për shumicën për ta lejuar përdorimin e gjuhës së pakicës, sepse gjuha serbe ka shtrirje territoriale në tërë Kosovën, ndoshta do të mund të gjente aplikim në Maqedoni, ku shqiptarët numerikisht dhe territorilialisht kanë një prezencë dhe shtrirje më të madhe se serbët në Kosovë. Këtu, zaten bie edhe parimi i ekskluzivitetit dhe pakrahasueshmërisë së Marrëveshjes së Ohrit, si gjoja extra-model i vetëm që e ka rregulluar statusin e përdorimit të gjuhës shqipe.
Në Kosovë kishat dhe manastiret kanë status ambasade. Ekstraterritorialiteti i tyre promovon një model të paparë, që cenon jo vetëm kompaktësinë territoriale dhe karakterin unitar të Kosovës, por krijon parakushte të tmerrshme të segregimit të komuniteteve fetare, si një hap që më tepër e shkërmoq mozaikun ndëretnik se sa që e afron dhe e integron në një filozofi unike politike e institucionale.
Në Marrëveshjen e Ohrit vetëm Kisha Ortodokse Maqedonase njihet si bashkësi fetare zyrtare dhe me këtë formulim, sërish kjo marrëveshje nuk paraqet kurrfarë modeli për botën tjetër jashtë Maqedonisë.
Ushtria dhe policia e Maqedonisë kontrollon çdo cep të territorit, gjë që kjo nuk ndodhë në Kosovë. Jofunksionaliteti institucional i shtetit të Kosovës në tërë territorin nuk po ndodhë për shkak të mangësive që prodhon modeli shumetnik i Pakos së Ahtisarit. Përkundrazi, ky model në parim ka lënduar rëndë karakterin unitar të Kosovës, duke i dhënë kompetenca të pamerituara pakicës serbe, e cila në çfarëdo situate dhe konfigurimi demografik i kishte të garantuara 20 vende në parlament.
Në Maqedoni, funksionon një mekanizëm tjetër – Badenteri, që parandalon majorizimin e pakicës nga shumica, por në asnjë mënyrë dhe në asnjë rast, shqiptarët nuk e kanë keqpërdorur këtë mekanizëm dhe nuk e kanë kuptuar si dhuratë, por, përkundrazi si produkt i një lufte të gjatë për demokraci e barazi.
Jofunksionalitet në Kosovë erdhi edhe për shkak të standardeve të dyfishta që përdori bashkësia ndërkombëtare , e cila ndryshe e trajtonte Kosovën me shqiptarë, e ndryshe Kosovën ku shqiptarët nuk guxonin të shkelnin me këmbë (veriu i Mitrovicës). Kjo qasje ndërkombëtare ( sidomos disa segmente të EULEX – it dhe më herët të UNMIK-ut) bëri që roli i Serbisë në Kosovë të fuqizohet dhe të merr atributet e partneritetit me bashkësinë ndërkombëtare në administrimin e Kosovës (rasti i strukturave paralele në veri të Mitrovicës).
Lejimi blanko i Serbisë të kontrollojë adiministrativisht (madje edhe në aspektin e sigurisë) veriun e Mitrovicës, nuk paraqet asgjë tjetër, pos leje për të hapur Serbia në Kosovë minibursa që do të vinin në ankand tokat e Kosovës.
Marrëveshja e Ohrit dhe Pakoja e Ahtisarit kanë prejardhje të ndryshme sa i përket shkak-pasojave që prodhuan finalizimin e këtyre dokumenteve. Marrëveshja e Ohrit erdhi si epilog i një lufte që bënë shqiptarët për të siguruar status të barabartë në Maqedoni. Pakoja e Ahtisarit erdhi si rezultat i kompromisit që bëri bashkësia ndërkombëtare për të kompensuar “fajin” që tregoi me rastin e pavarësimit të Kosovës. Derisa në Maqedoni kompromisi (Marrëveshja e Ohrit) ishte i brendshëm, në rastin e Kosovës kompromisi (Pakoja e Ahtisarit) ishte me Serbinë për të neutralizuar ambiciet e saja kundër shtetësisë së Kosovës, por jo edhe për të garantuar mosndërhyrjen e saj në sovranitetin juridik e territorial të Kosovës.
Sipas kushtetutës serbe, Kosova është ende pjesë e Serbisë dhe këtë agresion kushtetues nuk ka mundur ta parandalojë Pakoja e Ahtisarit, ashtu siç ka bërë Marrëveshja e Ohrit e cila shqiptarët i trajton (në preambulë) si pjesë e popullit shqiptar, që me automatizëm përjashton karakterin e autoktonisë së shqiptarëve në Maqedoni, e me këtë edhe çfarëdo lloj ambicie integraliste të shqiptarëve në Ballkan.
Për t’u konsideruar model një dokument a një marrëveshje, kërkohet të studiohen të gjitha rrethanat dhe kontekstet që mund ta bëjnë të veçantë atë model. Pastaj, po të ishte vërtetë model Marrëveshja e Ohrit, siç pretendojnë disa zyrtarë në Shkup, ai do të implementohej në tërësi dhe nuk do të përjetohej si “fatkeqësi elementare” për një pjesë bukur të madhe të popullatës joshqiptare. Tendencat e fundit për çmontimin e Maqedonisë së Ohrit, në fakt është shembulli më i keq i mosimplementimit të një marrëveshjeje, e kurrsesi model për të tjerët.
Cila do të ishte e ardhmja politike e Maqedonisë, nëse dominon opsioni që tejkalon Marrëveshjen e Ohrit, si dokument me “afat të skaduar”?
Cili do të ishte opsioni rezervë? Cila do të ishte alternativa e marrëdhënieve shqiptaro-maqedonase?
Ka forca politike që këmbëngulin në moslëshimin e Marrëveshjes së Ohrit si opcionin më ideal, që “paketon” në një hapësirë juridiko-politike të gjitha kontraverzat disadekadëshe të Maqedonisë. Baza argumentuese e këtij vlerësimi nuk shkon përtej tezave të njohura, se Maqedonia para dhe pas Marrëveshjes së Ohrit kishte “dy shpejtësi” të ndryshme sistemesh e dinamikash konstitucionale e politike, prandaj sipas tyre, çdo anashkalim i këtij dokumenti është kthim tek burimi i krizave ndëretnike e politike në Maqedoni.
Mirëpo, sa ky argumentim zë vend dhe ka peshë në bisedimet për krjimin e koalicioneve qeverisëse, kur dihet mirëfilli se në momente e situata të caktuara kanë qenë partnerët qeverisës ata që kanë patur qasje diametralisht të kundërt, sa i përket dinamikës dhe kualitetit të implementimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Prandaj, jo aq Marrëveshja e Ohrit, si dokument fundamental, sa vetë patologjia e impelementimit të këtij dokumenti, mund të konsiderohen si çështje problematike për gjithë ata që vendosin të bëjnë koalicione qeverisëse mbi baza të ndryshme etnike.
Por, për hir të së vërtetës, ka grupime politikanësh e analistësh që kanë humbur besimin tek Marrëveshja e Ohrit, duke “i ngarkuar” asaj disa huqe, që assesi të riparohen. Është thënë se testi më i mirë i një marrëveshje politike është vetë koha, vetë procesi nëpër të cilën kalon implementimi i saj. Kontestuesit e MO, kur i analizojnë efektet që ka prodhuar ky dokument dhe mbi të gjitha dinamikën dhe kualitetin e implementimit të tij në praktikë, gjejnë shumë defekte, duke kërkuar një hapësirë më të gjerë brenda së cilës do të realizoheshin të drejtat politike e nacionale të shqiptarëve.
Në Maqedoni, asnjë projekt madhor politik nuk mund të implementohet vetëm. Edhe Marrëveshja e Ohrit kaloi nëpër sfidën e rëndë të konsenzusit ndëretnik dhe jo rastësisht ajo u bë edhe gurë peshoje për sprovat e mundimshme të qeverive të këtyre dhjetë vjetëve. Por, në anën tjetër Marrëveshja e Ohrit sikur testonte edhe grafikonin e nacionalizmit maqedonas brenda koalicioneve maqedono-shqiptare dhe fatkeqësisht sa më e obstruar dilte kjo marrëveshje nga partnerë të caktuar maqedonas, aq më i besueshëm dilte në opinionin publik edhe kryeministri maqedonas.
Së këndejmi, logjikisht vie konstatimi se Marrëveshja e Ohrit më shumë u përdor si monedhë për kusuritje brenda koalicionit qeverisës, se sa si dokument strategjik që rregullon marrëdhëniet shqiptaro-maqedonase. A është kjo e mjaftueshme për t’iu hapë udhë opcioneve tjera dhe alternativave që ofrojnë më shume se Marrëveshja e Ohrit?
Cila forcë politike shqiptare do të mund të gjente partner maqedonas për të sendërtuar në praktikë atë projekt politik, që do të ishte zëvendësim i Marrëveshjes së Ohrit?
Të bësh jetë paralele, por jo me stereotipet e dikurshme. Kështu disi mund të definohet bashkëjetesa shqiptaro-maqedonase, e cila, sociologjikisht do të mund të thuhej se më tepër është e projektuar mbi mosbesimin ndaj njëri-tjetrit, e më pak mbi urrejtjen. Por, disa ngjarje që lidhen me rrahjen e nxënësve shqiptarë nëpër autobusët urbanë të Shkupit dhe sidomos shprehja e revoltës publike të qindra maqedonasve në lagjen Gjorçe Petrov të Shkupit kundër vrasjes së një të riu maqedonas nga ana e një të riu shqiptar, maqedonas ku urrejtja ndaj shqiptarëve humbi kufirin racional, pastaj provokimi deri në dëbim i një familjeje shqiptare në Radishan të Shkupit nga ana e fqinjëve maqedonas ku urrejtja ndaj shqiptarëve humbi kufirin racional, dhe mosndëshkimi i fajtorëve, sikur e demantojnë këtë bindje.
Urrejtja, nëse jo në përmasa kolektive, ajo ngadalë po i rrënon disa shtylla të ardhmërisë së këtij shteti të brishtë. Në këto incidentet ku viktima janë kryesisht shqiptarët (mbi 90 për qind e rasteve), flasin për një ‘urrejtje laboratorike’ me përdorim të dedikuar politik. Kufiri kohor i rënies së stereotipeve në Maqedoni mund të merret viti 2001, ndonëse në praktikë ka ende gjurmë recidiviste që shkojnë përtej këtij kufiri. Insistimi për të përfshirë maqedonishten si gjuhë obliguese për fatosat shqiptarë nëpër shkolla, shkelja e detyrimeve ndaj përdorimit të gjuhës shqipe nëpër disa institucione të themelta publike, mungesa e sensit bashkëpunues të partive maqedonase me drejtuesit e rinj shqiptarë nëpër komuna, eklipsimi i problemeve të brendshme ndëretnike dhe favorizimi i atyre të jashtme si pengesë për mosintegrimin e Maqedonisë në BE e NATO, tendenca gjithnjë e më hapur për të zhbërë Marrëveshjen e Ohrit dhe frymën që prodhon ajo në praktikën institucionale e konstitucionale, zërat gjithnjë e më të shpeshtë për të hequr dorë nga anëtarësimi në BE e NATO, janë disa nga shenjat dalluese të recidivizmit maqedonas.
Kur flasin për stereotip në planin ndëretnik, disa nga aktorët e ndryshimeve politike pas vitit 2001, pranojnë se kanë qenë të lajthitur për sa i përket konceptit të shtetit të Maqedonisë dhe rolin e shqiptarëve në shoqërinë e këtij shteti. Njëri nga ta është edhe
ish-kryeministri Lubço Georgievski, njëri nga nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit, cili duke e komentuar qasjen e tij personale ndaj shqiptarëve, para do kohësh pranoi se edhe ai vetë para vitit 2001 ishte pjesë e stereotipeve klasike që ekzistonin në planin ndëretnik. Sipas tij, stereotipi i parë ishte se “Maqedonia është vend vetëm i maqedonasve dhe se ne jemi pronarët e vetëm, kurse të tjerët janë pakicë”, thotë Georgievski dhe shton: “Fotografia tjetër që u thye pas vitit 2001, kishte të bënte me atë se Maqedonia ishte shtet i krishterë, por realiteti dëshmon të kundërtën se Maqedonia është edhe vend mysliman”.
Ka disa qasje sa i përket marrëdhënieve në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve. Njëra qasje mbështetet nga politikanët, të cilët mendojnë se falë kontributit të tyre ka ardhur deri te përmirësimi i marrëdhënieve ndëretnike. Tjetra, nga sociologët dhe analistët, të cilët nuk e shohin situatën bardh e zi. Ata në njërën anë e shohin me pozitivizëm Marrëveshjen e Ohrit si pikënisje e një bashkëjetese të re në Maqedoni, por në anën tjetër e shikojnë me pesimizëm funksionimin e sistemit, duke aluduar në parimin e Badenderit dhe në principet e demokracisë konsensuale.
Por, një qasje që gjithmonë ngel pezull dhe nuk është studiuar gjithaq, është vetë perceptimi i qytetarëve sa i përket evoluimit të raporteve ndëretnike. Sipas anketave të viteve të fundit është vërejtur se Marrëveshja e Ohrit ka ndihmuar në relativizimin e marrëdhënieve të acaruara ndëretnike në mes të dy kombeve më të mëdha: maqedonasit dhe shqiptarët, ndonëse ky nuk ishte faktori kryesor që ka ndikuar në formimin e mendësisë së re dhe as që janë eliminuar plotësisht dallimet.
Këto të drejta që i kanë shqiptarët, do të arriheshin me luftë a me politikë paqësore? Rreth kësaj pyetjeje janë thyer shtizat më së shumti dhjetë vjetët e fundit. Hulumtimet e opinionit publik kanë rezultuar në të dhëna interesante, duke marrë përgjigjen e mbi 50 për qind të shqiptarëve, të cilët e arsyetojnë luftën e armatosur për arritjen e më shumë të drejtave për shqiptarët. Por, kështu nuk mendojnë mbi gjysma e të anketuarve maqedonas, të cilët me pezëm e mllef e kualifikojnë konfliktin si komplot kundër Maqedonisë.
Përpjekja për ta dekompozuar Maqedoninë e Ohrit nga qarqe vendimmarrëse politike maqedonase, është kundërtendencë e frymës që ka gjeneruar kjo marrëveshje. Faktorizimi i më shumë atributeve shqiptare në institucionalizimin e jetës politike e shtetërore ka prodhuar jo pak bllokada nga vetë ata që janë të obliguar ta implementojnë Marrëveshjen e Ohrit.
Por, në Maqedoni ekziston një mekanizëm i çuditshëm shtetëror i relativizimit të rolit të shqiptarëve në ruajtjen e balancave ndëretnike dhe jo vetëm kaq. Huqet e këtij mekanizmi madje nuk arrijnë të identifikojnë disa nga kontributet e shqiptarëve në mëkëmbjen ekonomike të këtij vendi. Ndonëse strukturat qeveritare po mbajnë të fshehtë vlerën e remitancave, të dhënat megjithatë flasin për afro ¼ e prodhimit bruto të vendit apo rreth 2 miliardë euro, 90 për qind e së cilës shumë sillet në vend nga emigrantët shqiptarë. Sipas ekspertëve të financave, me këto para mbulohet deficiti tregtar, mbahet stabël denari, krijohen rezervat devizore dhe mbahet përgjithësisht gjallë ekonomia e Maqedonisë. Me fjalë të tjera, prurjet monetare të shqiptarëve nga diaspora kanë bërë që Maqedonia si shtet të mos ndjejë krizë monetare, dhe as me investimet, në forma të ndryshme, sidomos në sektorin e ndërtimit, ashtu si dhe sektori i shërbimeve, si për shembull hotelet, restorantet, të cilat gjatë muajve të verës punojnë me kapacitete të plota.
Blerja e paqes sociale e ndëretnike e ka shndërruar politikën në një ‘bankomat misterioz’ që përveç stereotipeve në mes të njerëzve të zakonshëm, prodhon edhe mjeshtërinë e fshirjes së gjurmëve të atyre që mbajnë në këmbë qëndrueshmërinë e Maqedonisë.
Kur jemi te kontributi nuk do të mund të mos përmendim edhe bujarinë e tepruar të një pjese të politikanëve shqiptarë, të cilët, duke dashur të shesin lirë angazhimin e tyre në planin e politikës së jashtme, po paguajnë shtrenjtë koston e futjes nën rrogoz të problemeve të brendshme që kanë shqiptarët, sidomos pas incidenteve të pazbardhura dhe të paprocesuara në gjyq. Një populli që i rrihen fëmijët në çdo tre-katër ditë, duhet pyetur veten: janë jetimë pse s’kanë prind, apo ende nuk kanë lindur politikanët e ndërgjegjshëm e të përgjegjshëm?
Se sa një marrëvesshje është e suksesshme, mund të shihet nga efektte që prodhon ajo kur fillon të realizohet në praktikë. Jo të gjitha marrëveshjet implementohen deri në pikën dhe presjen e fundit, por sa herë që ato janë neglizhuar nga elitat politike, situata ka dalur jashtë kontrollit.
Një temë që ka preokupuar vëzhgues të ndryshëm politik, ka qenë e ardhmja e raporteve shqiptaro-maqedonase në dritën e zbatimit të MO. Ka disa prej politikanëve shqiptarë, sidomos ata me stazh më të gjatë në pushtet, të cilët mendojnë se MO është përgjigja më e mirë ndaj sfidave që dalin në raportet shqiptaro-maqedonase.
Por, kështu nuk mendojnë edhe disa nga politikanët maqedonas. Kështu, bie fjala, Lupço Gjeorgjievski është i bindur se raportet mes shqiptarëve dhe maqedonasve do të ndryshojnë në të ardhmen. Ai ka deklaruar se çështja shqiptare në Maqedoni mbetet e hapur edhe pas Marrëveshjes së Ohrit. "Jam i sigurt se Marrëveshja e Ohrit nuk ka shënuar fundin e negociatave dhe marrëdhënieve ndërmjet shqiptarëve e maqedonasve. Jemi në një situatë latente të këtyre marrëdhënieve, dhe me siguri do të kulmojnë në një fazë të re", ka theksuar Gjeorgjievski. Sipas tij, kjo fazë e re e marrëdhënieve do të vijë pas ndarjes së Kosovës, e cila po sipas tij, do të ndodhë pas dy ose pesë viteve, pavarësisht prej proceseve globale. Por, nga ana tjetër, Gjeorgjievski është i bindur se raportet mes shqiptarëve e maqedonasve do të ndryshojnë në të ardhmen. "Jam thellësisht i bindur se Marrëveshja e Ohrit është vetëm urë kaluese deri te një marrëveshje e re, e cila do të vijojë në një fazë të ardhshme", ka shtuar ish-kryeministri.
Përdorimi sërish i shqiptarëve si kartë rezervë nga politikanët maqedonas ka një histori dhe etimologji të hershme. Më herët Gligorovi, pastaj pasardhësi i tij Cërvenkovski, por jo rrallë edhe Lubço Gjeorgjievski, marrëdhëniet me shqiptarët nuk arritën t‘i shohin si mundësi dhe shans për të bashkëjetuar në një shtet me probleme, por si një kusht i imponuar. Cërvenkovski dhe oponenti i tij i mëhershëm, Gjeorgjievski, opsionin e ndarjes së Maqedonisë e trajtonin në rrethana e konteste të ndryshme, por që të dy, kur flasin për shqiptarët, mendjen e kanë te pamundësia e bërjes së shtetit dhe mbrojtjen e tij nga mohuesit e jashtëm. Me fjalë të tjera, ata asnjëherë nuk arritën të demonstrojnë politikë dinjitoze, kundrejt fqinjëve – grekëve, bullgarëve e serbëve – për ambiciet e tyre negatore ndaj Maqedonisë. Por, përkundrazi, shqiptarët i përdorën si gogol për të frikësuar fqinjët. Në fakt, është e kundërta. Kjo harmoni ndëretnike e territoriale e Maqedonisë mbetet e paprekur jo në sajë të frikës nga shqiptarët, por në sajë të konstruktivitetit të vetë shqiptarëve për të jetuar bashkërisht me maqedonasit në një shtet të përbashkët.
Vetëdija kritike historike e shqiptarëve nuk ka qenë e performancave të njëjta si e fqinjëve të tjerë ballkanas. Rrethanat e krijimit të kombit shqiptar kanë ndjekur linja të tjera zhvillimi dhe të qenit e shqiptarëve në hapësirat e tanishme, ku ndodhet edhe Republika e Maqedonisë, nuk i bën ata aspak të disfavorshëm në perceptimin e dimensioneve integruese brendakombëtare, por edhe brenda shtetit, ku ata jetojnë – pra në Maqedoni. Përkundrazi, shqiptarët posedojnë me aftësinë e të jetuarit në diversitete kulturore e gjuhësore, që nga Perandoria Bizantine, Romake, Osmane etj., edhe kjo përparësi e tyre jo rrallë nuk është çmuar dhe vlerësuar sa duhet dhe si duhet nga fqinjët e tyre, përfshirë edhe maqedonasit. Shqiptarët i kuptojnë maqedonasit kur u mohohet emri i tyre nga grekët, por politikanët maqedonas nuk arritën të kuptojnë asnjëherë se kjo Maqedoni, sa është e tyre, është edhe e shqiptarëve dhe nuk e kuptuan se të qenit e Maqedonisë unike nuk ka qenë meritë e politikës maqedonase, por e konstruktivitetit politik të shqiptarëve. E ardhmja e Maqedonisë është në duart e atyre, që janë më konstruktivë. Deri kur do të jetë kështu?
Në ndryshimet e paralajmëruara në gjyqësor, në mars të vitit 2010, kishte nevojë për një invencë dhe guxim më i madh i BDI-së, e cila duhej të na dëshmojë në praktikë se cila ishte arsyeja e insistimit të hyrjes në qeveri, pas zgjedhjeve të fundit parlamentare. Atë botë patëm shkruar se nëse në të ardhmen do të gjykohet ndonjë shqiptar i pafajshëm, me procedura shkel e shko dhe me shkelje drastike të normave elementare të etikës gjyqësore, siç ndodhi me rastin e Sopotit, apo me rastin e dënimit me burg të përjetshëm të z. Harun Aliut dhe dy shqiptarëve të tjerë, atëherë nën petkun e atyre gjyqtarëve të papërgjegjshëm do të ndodhet vetë partia shqiptare që është në pushtet, e cila që tani e ka në dorë mekanizmin e bllokimit dhe parandalimit të pseudoreformave në gjyqësi
Një marrëveshje e re e Ohrit, apo respektim strikt i marrëveshjes ekzituese? Kjo nuk është dilemë, por kërkesë që sa më shumë po largohemi nga koha kur u miratua Marrëveshja e Ohrit, aq më e domosdoshme po bëhet nevoja që ajo të krijojë një harmoni më të madhe në mes të frustrimeve dhe realitetit ekzistues në vend. Ekziston një prirje në një pjesë të estabilishmentit politik maqedonas që t’i bishtnohet zbatimit të plotë të kësaj marrëveshjeje, duke i bërë asaj obstruime të buta, në formë të gjoja reformave që në instancë të fundit kanë për qëllim krjimin e një ambienti të ri politik në Maqedoni.
Edhe ndryshimet e paralajmëruara në sferën e gjyqësisë, nuk jepnin të kuptosh se elita politike e vendit po punon krejtësisht në frymën e Marrëveshje së Ohrit, sepse edhe në gjyqësi nuk zbatohen parimet bazë të kësaj marrëveshjeje, siç është edhe ai i Badenterit. Forcat politike shqiptare kanë paralajmëruar me kohë për defektet e këtyre reformave të shumëpërfolura dhe nuk e dimë nëse takimet e liderëve, që u mbajtën disa herë, ishte përgjigja më efikase kundrejt këtyre defekteve. Në ato takime vetë kryeminstri Gruevski nuk është treguar i gatshëm të demonstrojë një sens më të lartë për vërejtjet që i kanë partitë shqiptare, ndonëse ka kohë ende të presim nëse partia më e madhe maqedonase do të dëshmojë kooperativitet më të madh në përmbylljen e këtyre reformave, sipas një koncenzusi më të gjerë jo vetëm politik, por edhe ndëretnik.
Nëse gjatë konfliktit të v. 2001, përgjegjësia politike u takonte forcave politike që ishin në pushtet për ta menaxhuar drejt këtë konflikt, tani, 13 vjetë pas, u takon po atyre forcave politike që ndodhen aktualisht në pushtet të menaxhojnë bilancin politik, legjislativ e ekonomik të kësaj periudhe postkonfliktuoze. Por, tani mund të flasim edhe për një përgjegjsi të dyfishë morale e politike të partisë shqiptare që ndodhet në pushtet, e cila prejardhjen revolucionare e ideologjike e ka nga ish – UÇK, formacion ky ushtarak që u shpërbë, jo për të krijuar elita politike vetëm për pushtet, por edhe elita që e arsyetojnë pushtetin, duke i mbrojtur fortë disa ideale për të cilat edhe në pranverën dhe verën e 2001-shit dikush dikush luftoi. Na duket paradoksale që eksponentët e caktuar të kësaj partie, në pamundësi për të menaxhuar dhe korrigjuar deformimet që vijnë nga kreu i ekzekutivit, bëhen robër të do parimeve skolastike, të cilëve intimisht as ata vetë s’u besojnë.
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëIa përmendën faktin që s'ka fëmijë, Rozana Radi qan me dënesë: Unë jam pa shtëpi vetëm për këtë, më shumë shkoj unë në spital se doktorët
Jozi-Gjestit: A mundem të të marr ty për burrë?
Pankarta për Kosovën në protestat e studentëve në Serbi
ShBA lejon blerjen e helikopterëve “Black Hawk” për FSK-në, Fetoshi: Arritja më e madhe për Kosovën dhe mesazh i qartë për Serbinë
Karim Adeyemi afër kalimit te gjiganti i Ligës Premier
Afati kalimtar i janarit: Transferimet minutë pas minute, emra të mëdhenj në bisedime
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Ia përmendën faktin që s'ka fëmijë, Rozana Radi qan me dënesë: Unë jam pa shtëpi vetëm për këtë, më shumë shkoj unë në spital se doktorët
Videoja e BBVA që po bëhet virale, G Bani dhe Laerti flasin greqisht me gjuhë denigruese dhe kërcënuese për Gjestin
Jashari reagon pas kritikave ndaj mbylljes së institucioneve paralele, citon Gjergj Fishtën
Situatë tejet e tensionuar mes Rozanës dhe Gertës në BBVA, G Bani hyn në mes që t'i ndajë
Kontrata e shekullit në futboll: Përveç milionave, Ronaldo po bëhet edhe bashkëpronar te Al Nassr
Afati kalimtar i janarit: Transferimet minutë pas minute, emra të mëdhenj në bisedime