A ka mundur procesi “Monstra” të ketë një epilog tjetër? A ka mundur ky proces të shtyhet dhe vendimi të jepet në një kohë tjetër? A u bë ‘Monstra’ një mjegull e dendur për të mbuluar pakënaqësitë sociale të popullatës (sidomos maqedonase) pas shtrenjtimeve të fundit dhe paralajmërimit për shtrenjtime të reja në shtator?
Pse Gruevski dhe aparati shtetëror që ai drejton po i trajton shqiptarët sikur të ishin opozitë dhe ku shpie kjo strategji? A do të munden shqiptarët me këto protesta të formalizojnë një platformë qytetare e cila do të krijonte vetëdije të re për veprim aktiv kundër politikave joparimore të partive dhe politikanëve të papërgjegjshëm?
Gjithkund në botë opozita është artikuluesi kryesor i pakënaqësive qytetare. Pse kjo nuk po ndodh me opozitën shqiptare në Maqedoni?
Pyetjet e mësipërme kërkojnë jo vetëm përgjigje, por edhe veprime e masa komplekse nga faktorë e interesa të involvuar në këtë situatë, e cila me kalimin e kohës po i merr konturat e një gjendjeje me afat jo të gjatë qëndrueshmërie.
Ajo që, hë për hë, bie në sy, e që duket nga të gjithë, është fakti se shoqëria shqiptare po mundohet ta gris luspën e trashë të inferioritetit të shtresuar me dekada, por ja që grisja diku-diku po kalon në çarje e thyerje. Një kohë të gjatë shqiptarët e Maqedonisë jetuan në nivelin asimetrik të përfaqësimit moralo-institucional dhe për pasojë, tani, në njërën anë, kemi një reprezent të gjithëpushtetshëm institucional dhe në anën tjetër një vakuum të madh moral opozitar.
Shqiptarët e Maqedonisë, thënë metaforikisht, i ngjajnë një turme të dendur njerëzish të mbyllur në një hapësirë të mbushur me tym, të cilët po harxhojnë shumë energji për të gjetur çelësin që u është fshehur diku. Ka të ngjarë që atë çelës dikush qëllimisht e ka futur në xhep dhe po bën çmos që në hapësirën e mbyllur tymin ta shes si ajër. Ajri i tymosur po bëhet alkimi e padurueshme e përditshmërisë sonë.
A janë protestat e fundit ajri që u nevojitet aq shumë shqiptarëve të Maqedonisë dhe sa është e përgatitur shoqëria shqiptare këtu për ndryshime që mund të jenë të përmasave përmbajtësore?
Nëse një kohë të gjatë jetuam me iluzionin se përfaqësimi institucional i shqiptarëve ishte përgjigja më adekuate ndaj politikave diskriminuese të shtetit, tash po shihet se kjo paska qenë e pamjaftueshme. Po ndodh ajo që skeptikët do ta definonin si mision i pamundur e që me pak fjalë mund të përshkruhet si deziluzion. Në këtë proces, i cili nganjëherë kalon nëpër dhomëza të vetmuara vetërrëfimi, njerëzit ndjehen të pambrojtur nga iluzioni që ata vetë e krijuan. Është shumë problematike të mundim vetëpërgjegjësinë kolektive për makinerinë e instaluar institucionale në një rrafsh që ne e kishim menduar si të ishte horizonti i pritjeve tona kolektive. Që tani po e hetojmë se asaj makinerie ka kohë që i paskan rënë rrotëzat diku rrugës dhe u desh të shpërthejnë pakënaqësi qytetare për të parë nga afër se sa xhuxhe është kjo makineri përballë autoblindave dhe fodullëkut policor të Gruevskit.
Nëse Arbën Xhaferi nuk kishte dilemë se kriza politike e vitit 2001 kishte gjenezë konfliktin në mes të statusit inferior institucional e kushtetues të shqiptarëve me politikat arrogante e jakobine të piramidës shtetërore maqedonase, sot Ali Ahmeti ndodhet para dilemës hamletiane se si të menaxhojë iluzionin që ai vetë e instaloi në kokat e shqiptarëve se çka është Gruevski është edhe ai. Si t’ua shpjegojë shqiptarëve se në Maqedoni ekzistojnë dy politika shtetërore, në njërën prej të cilave shqiptarët projektojnë aureolën e vetëmjaftueshmërisë, kurse në tjetrën Gruevski vazhdon ta ngasë buldozherin e tij të rrafshimit institucional të dallimeve që i krijon koalicionimi joparimor, i ngritur mbi marrëveshje mejhanesh.
Si të shpjegohet fakti që edhe pas ndryshimeve të domosdoshme kushtetuese, ende nuk kemi një harmonizim të plotë midis statusit të proklamuar politiko-juridik të shqiptarëve dhe realitetit në terren?
Nëse ishte kjo arsyeja kryesore e shpërthimit të revoltës gjithëpopullore në vitin 2001, cilat mund të jenë gjasat që një revoltë e tillë të reprizohet sërish?
Adoleshentët tanë që po e gjuajnë me gurë policinë n’farmerka, nuk e kanë të qartë se si është e mundur të ketë një shtet, i cili në njërën anë, toleron dhunën (Gjorçe Petrov, Radishani), kurse në anën tjetër, demonstrohet vrazhdësi, shok-bomba e topa uji për protesta (Bit Pazar), që mund të jenë shumë më pak violente se ndodhitë e ngjashme nëpër periferitë e Londrës, Parisit e Madridit.
Deri kur policia në Maqedoni do të jetë zgjatim i politikave konfliktuoze që prodhon shteti, sa herë që qytetarëve duhet t’u hidhet pëlhura e toreadorit, sepse vetëm në këtë mënyrë ata mundohen të evitojnë demin e tërbuar të rebelimit social. Ndoshta, ndodhja e “Monstrës” erdhi pikërisht në këtë kohë kur qeveria na dhuroi valë të nxehta shtrenjtimesh, kurse pakënaqësia e shqiptarëve do të mund të përdorej si përrallë për të qetësuar fëmijët e trazuar të oborrit politik maqedonas.
Gruevski me partinë e tij është treguar efikas në neutralizimin politik të opozitës së udhëhequr nga LSDM, por inercia e kësaj fushate antidemokratike sikur po nxjerr krye edhe në një fushatë tjetër. Gruevski gabon shumë kur edhe shqiptarët dhe kërkesat e tyre i trajton si të ishin opozitarë nga Strumica apo Krivogashtani. Sjellja e tij të përkujton maniret e politikanit të cilit i ka tepruar pesha e autoritetit të gjithëpushtetshëm dhe tani po shikon të shpërndajë këtë peshë edhe në fusha që tejkalojnë sjelljet normale politike. Por lajthitja më e madhe që do ta kaplojë Gruevskin do të jetë momenti kur shqiptarët masovikisht do t’ia kthejnë shpinën BDI-së dhe mënyrës së saj të squllur të ndërtimit të raporteve me partnerët maqedonas.
Sigurisht, protestat e tanishme nuk mjaftojnë për të rikthyer baraspeshat e humbura politike midis shqiptarëve dhe maqedonasve, por kjo mund të jetë pikënisja e duhur që do të diferenconte vrapin për pushtet-komoditet aparatçikësh nga përpjekja për të ndërtuar politika të dinjitetshme përfaqësimi.
Vetëm te ne ndodhë që protestat të mos kenë karakter opozitar. Kjo po ndodh sepse opozita jonë, e kryesuar nga PDSH, jo rrallë ndodhet në qiejt imagjinativë të përjetimit të pushtetit virtual, dhe e kemi vështirë ta identifikojmë te kjo forcë politike linjën e veprimit antiqeveritar.
Reduktimi i protestës politike vetëm në suaza të kacafytjes brendashqiptare, po ia merr PDSH për çdo ditë atributet e të qenit lider i opozitarizmit shqiptar dhe për fat të keq kjo pastaj pamundëson krijimin e një hapësire të dinjitetshme alternative në shoqërinë shqiptare. Ajo që mund t’i përshkruhet si faj kësaj partie opozitare është tendenca vetëvrasëse e saj për të refuzuar çfarëdo lloj tharmi nga shoqëria shqiptare që do të shtonte kohezionin e asaj që quhet veprim i koordinuar i forcave politike, intelektuale e shpirtërore për zëvendësimin me ide e jo me llafe një pushtet të papërgjegjshëm. PDSH ka kohë që e ka braktisur strategjinë e luftës politike antiqeveritare. Në vend të kësaj ajo ka intensifikuar luftën politike kundër një partie oponente shqiptare dhe eksponentëve të tjerë të mendimit ndryshe dhe kjo i ka krijuar komoditet të drunjtë institucionalizmit politik maqedonas.
Të gjithë ata që mundohen tani ta bëjnë ngutshëm opozitarizmin shqiptar në Maqedoni, do ta kenë shumë vështirë të arrijnë efektin e dëshirueshëm për arsye se do të duhej të veprojnë në disa fronte. Në njërën anë duhet të refuzojnë politikën etnocentrike të kryeministrit maqedonas, në anën tjetër e kanë të domosdoshme të ngrihen mbi trajtat e çoroditura të komoditetit që prodhon inferioritet të BDI-së, dhe krejt në fund pason një betejë e pazakontë me PDSH, e cila, me këtë performancë dhe këtë lidership, është e papërgatitur të thyejë murin e lartë të kërkesave legjitime të shqiptarëve të pakënaqur.
Siç qëndrojnë punët aktualisht, shqiptarët në Maqedoni, të tejngopur me pushtet karrikatural dhe me opozitë prozaike, ndodhen në udhëkryqin e rrugëzgjidhjeve. Nëse tani për tani duket paksa konfuz angazhimi për ta gjetur çelësin që po i mban mbyllur në hapësirën e tymosur, kjo megjithatë shqiptarëve do të duhej t’u shërbejë si vetëdijesim për një mobilizim më substancial në rrafshin e harmonizimit të nevojave me afinitetet, të aftësive me ambiciet.
(Autori është publicit nga Shkupi dhe pedagog në UEJL)
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëIa përmendën faktin që s'ka fëmijë, Rozana Radi qan me dënesë: Unë jam pa shtëpi vetëm për këtë, më shumë shkoj unë në spital se doktorët
Jozi-Gjestit: A mundem të të marr ty për burrë?
Pankarta për Kosovën në protestat e studentëve në Serbi
ShBA lejon blerjen e helikopterëve “Black Hawk” për FSK-në, Fetoshi: Arritja më e madhe për Kosovën dhe mesazh i qartë për Serbinë
Karim Adeyemi afër kalimit te gjiganti i Ligës Premier
Afati kalimtar i janarit: Transferimet minutë pas minute, emra të mëdhenj në bisedime
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
Më të lexuarat
Ia përmendën faktin që s'ka fëmijë, Rozana Radi qan me dënesë: Unë jam pa shtëpi vetëm për këtë, më shumë shkoj unë në spital se doktorët
Videoja e BBVA që po bëhet virale, G Bani dhe Laerti flasin greqisht me gjuhë denigruese dhe kërcënuese për Gjestin
Jashari reagon pas kritikave ndaj mbylljes së institucioneve paralele, citon Gjergj Fishtën
Situatë tejet e tensionuar mes Rozanës dhe Gertës në BBVA, G Bani hyn në mes që t'i ndajë
Kontrata e shekullit në futboll: Përveç milionave, Ronaldo po bëhet edhe bashkëpronar te Al Nassr
Afati kalimtar i janarit: Transferimet minutë pas minute, emra të mëdhenj në bisedime