LAJMI I FUNDIT:

Thaçi në siklet!

Thaçi në siklet!

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, në vend se shteti të ndërtohet dhe forcohet, ndodhi e kundërta. Shteti nuk u zhvillua, nuk u forcua, përkundrazi filloi katandisja e këtij shteti. Filloi hajnia me tenderomani, korrupsioni lulëzoi, nepotizmi në institucione, marrja e mitos për t’i punësuar njerëzit, arsimi u degradua, ekonomia u përkeqësua, papunësia u rritë.

Haraçi nga partitë, uzurpimet e tokave dhe pasurisë publike siç bënë shumë ministra e zyrtarë të lartë të qeverisë, komandantë të vetëshpallur e analfabetë, duke u thirr në emër të luftës çlirimtare, kurse ish ushtarët e UÇK-së nga varfëria e skajshme po vetëvriten.

Keqpërdorimet dhe keqmenaxhimet me tenderë që ndodhën në qeveri dhe nëpër komuna. Ministrat, zyrtarët e lartë të qeverisë dhe kryetarët e komunave u bënë milionerë brenda natës, me para dhe me mall që nuk ia dinë fundin. Populli u katandisë prej fukarallëku, mezi po mbijetojnë.


Që nga ajo kohë e deri sot, pra nën këtë qeveri të pashpirtë, arrogante, të korruptuar dhe të kriminalizuar ndodhën dhe po ndodhin të gjitha këto pisllëqe.

Kryeministri Thaçi është në siklet të madh. Është shumë i lodhur. I katandisur. I trembur. I hutuar. Nuk është më “komod”. Është shumë i shqetësuar. Ka shumë arsye të jetë i shqetësuar. Partia e tij po shkon drejt greminës. Po tkurret. Njerëzit po i ikin. E ka shumë të vështirë. Nuk e ka të lehtë. E kuptoj fare mirë. Pas shtatë viteve kryeministër nuk e ka të lehtë të shkojë prapë në opozitë. Ai e din fare mirë se si është të jesh në opozitë. Këtë gjë e ka provuar në “lëkurën” e tij për tetë vite me radhë.

Numrat e nevojshme në Parlament për të qeverisur i ka humbur. Në zgjedhjet e fundit lokale humbi disa qytete të mëdha dhe bastione të fuqishme. Që prej zgjedhjeve lokale e ka nuhatur se po i vije fundi qeverisjes së tij. Themelimi i partisë së re “Nisma për Kosovën” nga dy ish bashkëpartiakët e tij dhe dy ish figurat më të fuqishme në PDK, Jakup Krasniqi dhe Fatmir Limaj, i kanë dhënë një goditje të fortë. Akoma më të vështirë punën ia kanë bërë bashkëpartiakët e tij të akuzuar për korrupsion. Rasti i fundit ishte dënimi për korrupsion ndaj kryetarit të Prizrenit, Ramadan Muja, një dënim alternativ të ndalimit të ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik për 30 muaj.

Me vendimin e fundit për rritjen e pagave të zyrtarëve të lartë dhe shërbyesve civilë, kryeministri Thaçi po luan me kartën “o krejt o hiç”.

Ky veprim i tij ishte krim, sepse e ndau popullin në dy klasa. Njerëzit e punësuar (dihet se si janë punësuar) në institucionet e Kosovës i pasuroi akoma më shumë duke ua rritur pagat, kurse pjesën tjetër të popullatës (70 për qind) që janë të papunë, i la me gishta në gojë.

Por, çdo veprim i tij është pas orës 12-të. Thaçi është i “’zgjuar”, nuk është naiv. E ka kuptuar me kohë se nuk do ta fitojë edhe një mandat. Është duke vepruar sipas teorisë se “shpresa vdes e fundit”. Ai është duke u munduar ta kapë trenin e fundit. Por, është vonë. Është tepër vonë. Populli e ka kuptuar se nuk është lider i denjë për të udhëhequr, por vetëm një demagog. Ky popull e ka humbur besimin tek ai. Me votën e tij populli do ta ndëshkoi, siç e ndëshkoi në zgjedhjet lokale. Por, këtë herë do të ndëshkohet akoma më keq!