LAJMI I FUNDIT:

Diplomacia dhe idetë e të mëdhenjve të mendjes

Në një nga faqet e librit të tij, “Eskili, ky humbës i madh”, Kadareja ka një pasazh që thotë se, ashtu si në këtë libër shkroi me dashuri për grekët, do dëshironte që në të ardhmen të shkruante me të njëjtën dashuri një ese edhe për popullin serb. Kjo ese për serbët ende nuk ka ardhur dhe vështirë të vijë, sidomos pas plojës së viteve ‘90 të shekullit të kaluar që u mbyll me gjenocidin e Kosovës. Vështirë të thuhet nëse e ka ende atë dashuri që ka pasur për grekët, por e sigurt është që në zemër nuk i kanë hyrë dashuri të reja. Dhe këtë e tregon hapur në esenë e tij të fundit “Mosmarrëveshja”.

Ta trajtosh në disa radhë këtë ese, është e vështirë, sidomos për nga tema që elaboron, por në të kuptohet, se duke i hequr pjesët letrare, pa frikë mund të quhet strategjia që duhet të ketë politika e jashtme shqiptare.

Së pari, në këtë libër, hidhet poshtë miti i dashurisë vëllazërore midis Turqisë dhe Shqipërisë. Historia e ka treguar se të tillë dashuri nuk ka pasur, pasi pazaret midis Portës së Lartë dhe elitave shqiptare nën sundimin otoman, kanë qenë thjesht për interesa materiale të këtyre të fundit. Shqipëria e sotme u krijua si shtet në bazën e së cilës ishte ideologjia kombëtare e rilindësve me bosht të saj rezistencën kundër pushtimit turk nga Gjergj Kastriot Skënderbeu. Rreth kësaj historie u grumbulluan katolikët, ortodoksët dhe myslimanët e Shqipërisë.


Secili prej këtyre besimeve gjente te Kastrioti diçka nga vetja dhe të gjithë së bashku kërkonin një Shqipëri europiane. Ndaj edhe shtetet shqiptare që erdhën më vonë, ku me hir e ku me pahir, është dashur të ruajnë këtë orientim.

Të përpiqesh të mbash Turqinë, ose ta përdorësh atë si kundërpeshë në pazaret diplomatike ballkanike, është një dritëshkurtësi e njëjtë me atë të feudalëve ballkanas të shekullit të 14, që për të larë hesapet me njëri-tjetrin, përdornin mercenarët turq, pa e vrarë mendjen se brenda pak kohësh këta mercenarë nuk do t’ju dilnin më nga shtëpia dhe do t’i kthenin në raja që të gjithë.

Sot, si para 650 vjetësh, dikush për interesa ekonomike dhe dikush për ato gjeostrategjike, po tentojnë të lidhin marrëveshje bilaterale me Lindjen, pa u konsultuar dhe bashkërenduar veprimet me aleatët e mëdhenj të Perëndimit. Dhe kjo ndodh jo vetëm në marrëdhëniet e ballkanasve me Turqinë, por edhe me Rusinë. Korridoret rrugore, gazsjellësit, investimet strategjike e të tjera asete që në të ardhmen do të përcaktojnë politikën e jashtme të vendeve lilipute ballkanase, iu jepen në prioritet ose në zotërim këtyre fuqive të Lindjes, pa menduar për të ardhmen e afërt.

Sot dritëshkurtësia ballkanase ngjan e pandryshuar në shekuj. Por këtë herë është edhe më bërtitëse, pasi nëse në shekullin e 14-të fuqitë e mëdha europiane ishin të zëna në luftë me njëra-tjetrën, dhe nuk shikonin osmanët që kishin ardhur në portat e Vjenës, sot ato janë të shqetësuara për ekspansionin lindor dhe duan të organizohen për t’i vënë fre. Dhe këtu del në pah mizantropia ballkanase, e cila mendon të bëjë urën lidhëse, ose ca më keq një politikë të pavarur, duke harruar se nëse do vijë puna të zihen atllarët, shqelmat do t’i hanë gomarët.

Ndaj në kushtet kur vendet ballkanike nuk kanë asnjë aset tjetër ekonomik ose demografik për t’i vënë në dispozicion fërkimeve të sotme dhe një përplasje hipotetike të së nesërmes, e vetmja gjë që mund të ofrojnë është të zgjedhin një aleat dhe t’i ofrojnë atij besnikërinë pa kusht, në mënyrë që për këtë të shpërblehen në tavolinën e pasnesërme të negociatave.

Shqipëria, Greqia, Serbia, e ca më pak Kosova, janë shumë të vegjël për të përdorur BE-në ose Turqinë a Rusinë si monedhë shkëmbimi për allishverishe diplomatike. Nëse duhet të bëjnë një zgjedhje këto shtete, është se kujt do t’ia ofrojnë besnikërinë, dhe në këtë rast historia është një këshilltar i mirë.

Në tre mijë vjet, Lindja, nën flamujt e alanëve, hunëve, sllavëve, gotëve, vizigotëve, magjarëve, bullgarëve, protobullgarëve, e së fundmi osmanëve, kanë mësyrë Europën me shpresë ta nënshtrojnë, por ose janë asimiluar nga ajo, ose janë ndalur në portat e saj. Fatet e kontinentit i kanë zgjidhur anglezët, gjermanët, francezët e italianët dhe shekullin e fundit edhe me kontributin e amerikanëve, si zgjatim i qytetërimit europian që janë. Ndërsa popuj që kanë përqafuar qytetërimin perëndimor si grekët, polakët, hungarezët, serbët, rumunët dhe shqiptarët, e kanë fituar përkatësinë perëndimore dhe përgëzimin e tyre, kur kanë shfaqur besnikërinë e pa kusht ndaj fuqive të mëdha dhe vlerave që ato kanë mbartur.

Njëqind vjet në jetën e një kombi janë shumë pak, por penalizon shumë në të ardhmen, nëse në këtë periudhë bën zgjedhjen e gabuar. Aktualisht, në kushtet e krizës energjetike, Rusia dhe gazi e nafta e saj duken shpëtimtarë për ekonomitë europiane; në kushtet e plakjes së popullsisë, Turqia dhe popullsia e saj e re, duken si një fabrikë me krah pune të lirë, që Zoti jua ka vendosur te porta europianëve. Por të gjitha këto, me daljen e energjive alternative, ose zhvillimin e teknologjive prodhuese, do të humbasin rëndësinë e tyre për ekonomitë europianoperëndimore. Ndaj për kombe të vegjël, benefici i tyre nga politika ndërkombëtare, vlen në proporcion të drejtë me atë se sa janë të përkushtuar ndaj një aleance, ndërsa shembulli serb, se kur një komb ballkanas tentoi të luante si një lojtar i barabartë me Perëndimin, duke përdorur aleancën e tij me Rusinë, tregoi se ku të katandis mendja e madhe. Nga kombi beniamin i Perëndimit në Ballkan, u kthye në macen e zezë që të gjithë i binin me shkop, deri sa ia tretën të gjithë dhjamin që e kishte vënë po për hatër të perëndimorëve përpara 100 vjetësh.

Duke u kthyer në shqetësimin e Kadaresë, kuptohet se shqiptarët gjithmonë kanë dalë të humbur kur kanë tentuar të bëjnë pazare me bashkëgadishullasit ose lindorët, ndërsa besnikëria e pa kusht ndaj Perëndimit, ndaj vlerave që Perëndimi përfaqëson, si në rastin e Skënderbeut, në planin afatgjatë na shpërbleu.

Po ashtu nuk është vështirë të kuptohet nga kjo vepër se pazaret dhe cic-micet me fqinjët, nuk na kanë dhënë ndonjë përfitim, përkundrazi kemi dalë të humbur. “Të mëdhenjtë duken të tillë, kur je i ulur në gjunjë, ndaj çoju dhe do ta shohësh se nuk janë aspak të tillë”, shkruan Prudoni. Ndaj fqinjët tanë duhen përfillur për atë që janë dhe jo për atë që përpiqen të duken ose ta shesin veten.

Politika e jashtme është vetëm njëra nga segmentet që trajton kjo ese. Ashtu si çdo vepër që ka vlerë, ngjall thënie dhe kundërthënie. Një nga ato që mund të thuhet është se ka vetëm një dashuri që e plazmon: Ajo për shqiptarët. Ndërsa të tjerët shpesh i trajton me ftohtësi, por jo me përbuzje dhe shovinizëm. Është e lehtë të kuptosh nga radhët se ajo që do të thotë Kadare është se shqiptarët kanë aleatë dhe miq të tyre strategjikë Perëndimin, përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara, ndërsa ballkanasit dhe lindorët janë vetëm gurë shahu të skakierës botërore, por jo ata ku mund të mbështetemi e që duhet të aspirojmë. Mund të quhet pa frikë një manual për politikën e jashtme të shqiptarëve, e cila shpesh është e çorientuar, e nëse ndokujt i duket i pavend ky mendim, mjafton të kujtojmë se boshtet dhe drejtimet strategjike të kombeve, gjithmonë përvijohen dhe plazmohen nga shkrimtarët dhe jo nga aparatçikët. Këta të fundit shumë-shumë, duhet të gjejnë taktikat dhe të vënë zbatim të përditshëm idetë e të mëdhenjve të mendjes.

(Marrë nga Shqip)

Në trend

Më shumë
Pensionistët kërkojnë rritje pensioni dhe heqjen e kërkesës për paraqitje çdo gjashtë muaj

Pensionistët kërkojnë rritje pensioni dhe heqjen e kërkesës për paraqitje çdo gjashtë muaj

Lajme
Mbrëmë u eliminua nga Big Brother VIP Kosova, të nesërmen Rovena Stefa shfaqet duke pastruar borën nga shtëpia e saj në Bërnicë

Mbrëmë u eliminua nga Big Brother VIP Kosova, të nesërmen Rovena Stefa shfaqet duke pastruar borën nga shtëpia e saj në Bërnicë

Magazina
Besim Dina në një rrëfim të rrallë: Kam dëshirë të kem fëmijë, uroj të m'i sjell Zoti - i kam gjetur edhe emrat që do ia vendosja djalit e çikës

Besim Dina në një rrëfim të rrallë: Kam dëshirë të kem fëmijë, uroj të m'i sjell Zoti - i kam gjetur edhe emrat që do ia vendosja djalit e çikës

Magazina
Vlogeri vizitoi “qytetin më të afërt me hapësirën” ajo se çfarë zbuloi ishte ‘tmerruese’: Nëse ferri ekziston, ky vend i afrohet

Vlogeri vizitoi “qytetin më të afërt me hapësirën” ajo se çfarë zbuloi ishte ‘tmerruese’: Nëse ferri ekziston, ky vend i afrohet

A e dini se...
Qytetari ia bën një pyetje Enver Hoxhajt para fillimit të tubimit në Prishtinë, kjo është përgjigja e tij

Qytetari ia bën një pyetje Enver Hoxhajt para fillimit të tubimit në Prishtinë, kjo është përgjigja e tij

Lajme
Gramosi, i eliminuari i dytë nga Big Bother VIP Albania

Gramosi, i eliminuari i dytë nga Big Bother VIP Albania

Magazina
Kalo në kategori