LAJMI I FUNDIT:

Therje me thikë në Prishtinë, arrestohet i dyshuari

Therje me thikë në Prishtinë, arrestohet i dyshuari

Të dielën në orën 18:20, policia ka marrë informacionin se në rrugën “Vëllezrit Fazliu”në Prishtinë ka ndodhur një rast lëndim i rëndë trupor, therje me thikë.

Koha raporton se menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga hetuesit e stacionit policor Veriu, si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes. Policia ka konstatuar se ka të bëj me një rast të therjes me thikë ku viktima, N. Ademi, ka marrë plagë nga arma e ftohët dhe i njëjti menjëherë është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor.

Policia me një intensitet të shtuar ka ndërmarrë një varg veprimesh operative e hetimore, me fokus zbulimin e identitetit dhe vendndodhjen e të dyshuarit të mundshëm, si dhe ka zgjeruar rrethin e hetimit në përpjekje për të ndriçuar dhe sqaruar të gjitha rrethanat që kanë të bëjnë me rastin. Si rezultat i kësaj, të hënën rreth orës 14:30, policia ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë G. Llapjanin, 18 vjeç, për të cilin dyshohet me bazë të jetë i përfshirë në rastin në fjalë.

Ndaj të dyshuarit pas marrjes së autorizimit nga ana e Prokurorit Publik, policia ka shqiptuar masën e arrestit policor, për ta dërguar më pas në qendrën rajonale të paraburgimit në Prishtinë për hetimin e mëtejmë të rrethanave të rastit, para se rasti t’i kalojë gjykatës kompetente.