Ambasadorët e 16 shteteve evropiane të akredituar në Kosovë kaluan fundjavën te vendi i quajtur Guri i Diellit në fshatin Dolloc të komunës së Suharekës.
Me iniciativë të ambasadorit të Shqipërisë, Qemal Minxhozi, dhe mikpritjen e kryetarit të Suharekës, Bali Muharremaj, ambasadorët shijuan bukuritë e kësaj zone.
Larg nga zyrat dhe përditshmëria e tyre prej diplomatësh, ambasadorët panë nga afër mundësitë që ofron Kosova në turizmin malor, e në veçanti komuna e Suharekës. Për KosovaPress, ata treguan përshtypjet e tyre dhe u pajtuan që vendi ynë ka shumë mundësi për të zhvilluar turizmin malor.
Ambasadori i Shqipërisë, Qemal Minxhozi, tha se bukuritë që ka Kosova e bëjnë vendin më të veçantë. Ai tha se gjatë stinës së dimrit, shtohet edhe fluksi i vizitorëve nga Shqipëria në vendet malore.
Ai falënderoi kryetarin e Suharekës, për mundësinë e dhënë për këtë vizitë, në njërën nga pikat më të bukura të kësaj komune.
“Janë 16 ambasadorë, që shprehën dëshirën që të ngjisin një nga malet më të larta të Kosovës. Ka një atmosferë shumë të mirë mes miqve ambasadorë. Ne e falënderojmë nga zemra bashkëpunimin me komunën e Suharekës, me kryetarin Muharremaj, që na dha mundësinë që ne të shikojmë sot në një ditë të bukur dimri, por që duket si pranverë, bukuritë e mahnitshme të Kosovës… Kosova ka diçka shumë të veçantë, malet i ka shumë të bukura dhe shumë vizitorë nga Shqipëria janë në të gjitha këto resorte turistike të Kosovës, dike filluar nga Rugova, në Sharrë, Prevallë dhe kudo. Kosova është shumë e bukur dhe ne erdhëm sot për të parë njërën nga këto bukuri”, u shpreh Minxhozi.
Një përshtypje të mirë përgjatë kësaj vizite pati edhe ambasadori britanik, Nicholas Abbott. Ai tha se po vizitonte për herë të parë këtë zonë dhe është i magjepsur.
“Një përshtypje shumë të mirë, kjo është vizita ime e parë në Suharekë. Ky ishte një rast shumë i mirë, jo vetëm për ta parë qytetin, por edhe të ngjitem këtu në mal për të parë ambientin e bukur, për të parë mikpritjen e madhe të banorëve të Suharekës. Kështu që ka qenë një ditë e bukur për të gjithë ne. Kosova mund të bëjë shumë më tepër, mendoj se ka shumë sekrete të fshehura si në mjedis ashtu edhe në natyrë, por edhe në mikpritjen, të gjithë kosovarët janë mikpritës ndaj vizitorëve, mikpritja është thjesht e mrekullueshme”, tha Abbott.
Gjatë kësaj vizite, ambasadori norvegjez, Jens Erik Grondahl u shpreh se Kosova është një nga vendet më të bukura që ka vizituar ndonjëherë.
Ai theksoi se komuna e Suharekës ka mjaftueshëm potencial për të qenë vend turistik.
“Për herë të parë jam në malet përtej Suharekës, afër malit Sharr, dhe është absolutisht e mahnitshme këtu lart, dhe mendoj se kjo zonë ka potencial shumë të madh për turizëm, agroturizëm dhe ‘hiking’. Në Norvegji, nga vij unë, ne e duam kombinimin e maleve dhe borës, kështu që mendoj se ky është një nga vendet më të bukura që kam parë deri më tani. Kjo është hera e parë në këtë vend, mirëpo unë kam qenë në vende të tjera në Kosovë, në male. Unë kam qenë në Maja e Njeriut, në Jezerc, Gjeravicë, dhe Luboten, mirëpo këtu, është hera ime e parë. Filluam me kryetarin Bali Muharremaj në Suharekë, u ngjitëm nga zyra e tij deri këtu në këmbë dhe patëm një bisedë të mirë. Ambasadorët diplomatikë së bashku. Kështu që unë isha këtu me miq të mirë, dhe shijuam këtë pamje të bukur”, potencoi Grondahl.
Gjatë gjithë kësaj vizite, amabsadorët i shoqëroi “i zoti i shtëpisë”, kryetari i Suharekës, Bali Muharremaj, që tregoi se janë duke punuar në zhvillimin e turizmit, meqë kjo sjell përfitime të mira ekonomike.
“Shpreh rastin të falënderoj ambasadorin e Shqipërisë Minxhozin, i cili ka organizuar një takim me 16 ambasadorë të Bashkimit Evropian. Sot kanë zgjedhur ta vizitojnë Suharekën ngase është vikend. Kanë pasur dëshirë të shohin bukuritë e natyrës së komunës të Suharekës. Ne jemi duke punuar për zhvillimin e turizmit dhe besoj që turizmi do të na sjellë dhe të hyra shtesë për komunën e Suharekës… Ne planifikojmë në të ardhmen që të lidhet turizmi malor me turizmin vreshtor, dhe kjo është një pikë shumë e rëndësishme për neve, pasiqë kemi edhe vreshta në komunën e Suharekës”, tha ai.
Ndër të tjera, Muharremaj deklaroi se është paraparë edhe përgatitja e një katalogu, në të cilin do të përfshihen të gjitha pikat turistike të komunës së Suharekës. Përmes tij, të gjithë qytetarët e Kosovës dhe jo vetëm, mund të udhëzohen dhe të vizitojnë pikat turistike.
Gjithashtu, ai bëri të ditur që shumë shpejt do realizohet edhe rruga lidhëse mes Suharekës e Shtërpcës, për arsyen e vetme, turizmin. /KP/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Pulmologia Mehmeti: Duhanpirja, shkaktari kryesor i kancerit të mushkërive
Dërguti tha se grupi i Osmanit në Guxo është në bisedime për rikthimin në LDK, Meta: Absolutisht e pavërtetë
BDI për Jeni Xhaminë në Manastir: Vendim që thellon ndarjet ndërfetare dhe ndëretnike në shoqërinë tonë