Oficerët dhe Xhentëlmenët
Nëse nisemi nga arsyetimet “realiste” se armata e fqinjit verior qenka aq e sofistikuar, përse pra të mos dërgojmë në stërvitje ca aradha edhe në Korenë e Veriut dhe në Iran?
Java që kaloi të bënë të ndjehesh si ndonjë statist i heshtur nga filmi kontraverz “Night Porter” i Liliana Cavani, një rrëfim mbi raportet misterioze mes fashizmit dhe viktimës, aq më shumë mes fetishit të uniformes dhe fetishit të dhunimit. Ngjashëm sikur në film, ashtu edhe në radhët tona, hija e rëndë e së keqes nuk futet nën përcjelljen e muzikës kreshendo dhe me fanfare, por gradualisht, heshtazi, hap pas hapi, duke u akomoduar në radhët tona deri sa të bëhet tepër vonë për ta parandaluar, aq më pak larguar.
Ministri ynë i Mbrojtjes mbase ka fetishe për uniforma. Kjo shpjegon vizitat e tij në Kinë dhe Serbi, që mund të kuptohet nga buzëqeshjet e tij entuziaste para epoletave të Gjeneralit të Armatës Kineze dhe gjatë takimit me Gjeneralin e Ushtrisë Serbe, Ljubisa Dikoviq.
Vizita të këtilla si kjo në Serbi nuk duhet vënë nën pikëpyetje apo dyshim, përkundër mendimeve nëse tajmingu është i qëlluar, posaçërisht nga fakti që asnjë Ministër i mëparshëm për këto katër vite të fundit nuk e pa të udhës të vizitojë fqinjin e veriut. Poashtu, takimi Besimi – Shutanovac nuk mund të kontestohet, por të pranohet si realitetet i kohës dhe nevojës për bashkëpunim pragmatik. Por t’i lejosh vetes luksin e takimit me një Gjeneral i cili akuzohet nga organizatat jo-qeveritare serbe për pjesëmarrje në luftë, është e pakuptueshme dhe skandaloze. Të takohesh, fotografohesh dhe të këmbesh komplimente me një njeri të cilin Fondi për të Drejtën Humanitare të Serbisë dhe zonja Natasha Kandiq e konsiderojnë përgjegjës për tolerimin e krimeve ndaj shqiptarëve të Kosovës, nuk është asgjë tjetër veçse turp, marrëzi dhe injorancë personale. Aq më shumë, që një pjesë bukur e mirë e ushtarëve të UÇK akoma gjinden në listat e zeza të policisë serbe, ndërsa gjenerali në fjalë akoma e konsideron “terroriste” Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, një ushtri me të cilën shqiptarët krenohen dhe e cila ua solli lirinë. Të jesh i moderuar, të jesh vizionarë, nuk nënkupton të shndërrohesh në kukull endacake, të teledirigjuar për të amnistuar ata të cilët deri dje urdhëronin sulme kundër shqiptarëve.
Do ishte kurioze të dëgjojmë ekuilibristikat arsyetuese për këtë vizitë dhe kontributin e saj ndaj cakut të proklamuar për anëtarësim në organizatën veri-atlantike. Duke njohur vokabularin e përfaqësuesve tanë, shpjegimi do jetë se “ashtu na kanë thanë të huajt”, një formulim magjik i cili kinse të mbron nga cilado akuzë që mund të nxitë dyshim në motivet e mundshme jopublike. Dinjiteti dhe morali, qoftë personal apo kombëtar, nuk guxon dhe nuk mund të diktohet nga “të huajt”, posaçërisht kur kemi të bëjmë me takime të cilat prekin thellë në dinjitetin e një kombi në përgjithësi dhe ndjenjat e familjeve të cilat akoma kërkojnë eshtrat e atyre që u zhduken deri sa gjenerali serb komandonte në Kosovë. Poashtu do ishte kurioze të kuptohet se si e konsiderojnë këtë takim kolegët e Ministrit Besimi në Prishtinë dhe posaçërisht në Tiranë e cila tani mbetet e izoluar në tentativat e saja për të promovuar Shqipërinë në rolin e merituar të faktorit kyç të stabilitetit në rajon, karshi politikave provokative të Beogradit zyrtar.
Deklaratat për “stërvitje të kuadrove nga Maqedonia në armatën serbe” seriozisht vënë në dyshim kahjen e kësaj politike, duke pasur parasysh bizaritetin e deklaratës ku Maqedonia si një shtet-kandidat për në NATO dëshiron të stërvitë ushtarët e vet në një shtet si Serbia e cila është vetëm anëtare e Paktit të Stabilitetit, mu sikur edhe Federata Ruse. Nëse nisemi nga arsyetimet “realiste” se armata e fqinjit verior qenka aq e sofistikuar, përse pra të mos dërgojmë në stërvitje ca aradha edhe në Korenë e Veriut dhe në Iran?
Nuk i takoj grupit që në këtë episod të palavdishme të kërkoj ndonjë teori konspiracioni, ndonjë makinacion hiper-sekret apo strategji dinake politike. Ndonjëherë, në fakt në të shumtën e rasteve, arsyeja për sjellje të këtilla është aq banale sa që vështirë akceptohet nga mendja e shëndoshë. Arsye si diletantizmi personal, analfabetizmi politik dhe epshi për vardisje ndaj “të zotit të shtëpisë” në definicionin më elementar të Sindromit të Stokholmit. Prandaj, nga ky mandat i “vunderkindit” të mbrojtjes, do kujtojmë fotografitë e tija me Gjeneralin e Armatës Kineze, Gjeneralin e Armatës Serbe, një foto para hyrjes në Pentagon me zyrtarin e rangut të dytë të Departamentit të Mbrojtjes, një monografi për “Vojska Srbije” që do dekoron bukur sallonin a bibliotekën e tij, e postuar në të majtë të posterit “Bac u kry” dhe në të djathtë me shtatoren e Skënderbeut. Gjithsesi në murin përballë, varur në një kornizë – lëvdatat e pakufishme të z. Latas në “Vecer”.
Në ndërkohë, deri sa z Latas lavdëron Ministrin e humbur në kohë dhe hapësirë, masa argëtohet me shpikjen e “tradhtarit” të radhës, të ilustruar në personalitetin e z. Edmon Ademi, i cili – “Ecce Signum!” – shprehu mendimin e vet jashtë kornizave të pararënditura se çka, ku dhe si duhet të shkruaj një intelektual shqiptar. Si gjithnjë, në cilëndo shoqëri të bazuar mbi premisa autoriane dhe proto-fashiste, mendimi individual dhe publik pritet me një mori thashethemesh të kopesë qyqare që nuk merr guximin për ballafaqim publik, por preferon mekanizmin tinëzarë të lancimit të akuzave nën mbulesë të errësirës provinciale ku mbijetojnë vetëm injorantë dhe pakurrizorë me punë të përhershme për madhërimin e çobanit të çastit.
Kopesë nuk i pengojnë takimet me ata që udhëhiqnin kampanja gjakatare kundër shqiptarëve, por iu pengojnë ata që në mënyrë publike shprehin mendimin e vet, parashtrojnë pyetje, kërkojnë llogari. Prandaj, shkurt dhe shqip, ne mund të pajtohemi dhe mund të mos pajtohemi me qëndrimet e z. Ademi, por një gjë nuk mund të vihet nën pikëpyetje: sinqeriteti dhe guximi i tij intelektual që publikisht të shpreh mendimin. Është ky moment i një intelektuali të ri, i papunësuar deri para 6 muajve, pa aradha bodigardësh në mbrojtje të tij fizike dhe pa hipoteka korruptive mbi supe, nën sulm dhe akuza të atyre që valojnë flamurin shqiptar dhe shëtisin plisin e bardhë, ulur në borde drejtuese, defilojnë para kamerave sikur të jenë në sfilata mode të rendit të tretë. Përzgjedhja mes këtyre dy shembujve është personale, intime, etike, përzgjedhje e bërë në momentet e vetmisë, të ballafaquar me zërin e sinqeritetit të brendshëm, kur në vete pranojmë aktin e guximit personal.
Se kjo shoqëri e tmerruar nuk lëngon nga aktet e anëtarësimeve personale në LSDM apo LPD – siç është rasti i z. Ademi – por nga serviliteti i atyre që përdorin emrin e UÇK, votën dhe maskën e kauzës shqiptare në shërbim të interesave të partnerëve Maqedonas. Turpin, dyfytyrësinë dhe dhunën në mesin tonë, zonja dhe zotërinj, nuk e solli Edmond Ademi. Ai vetëm e denoncoi prezencën e tyre. Dhe, përkundër të gjitha spinave të mundshme të lancuara nga kopeja, e vërteta megjithatë fshihet në shkrimin, jo në autorin. “Il Messagero non e importante”.
Rasti i zonjës Migena Gorenca vetëm sa vërteton pritjen për stërfokusimin tonë te postieri dhe paaftësinë për të akceptuar porosinë. Në cilëndo shoqëri normale dhe me institucione funksionale, fjalët e zonjës Gorenca do rezultonin në fushatë investigative të hulumtimit nëse dëshmia në fjalë është e bazuar në realitetin apo në mendimin provizor personal. Të thuash se kundërshton korrupsionin dhe keqpërdorimin e fondeve dhe në të njëjtën kohë të eliminosh nga starti dëshmitë që aludojnë në prezencën e dy të këqijave të lartpërmendura, është bizare në vete. Brohoritjet emotive, çirrjet patriotike dhe sulmet personale nuk ndihmojnë fare. Përkundrazi, vetëm sa defokusojnë vëmendjen nga pyetja kyçe: ku qëndron e vërteta?
I kuptoj emocionet e atyre të cilët ndjehen të ofenduar; artistët, aktorët, regjisorët, posaçërisht qëndrimet që vijnë në pikëpyetje cilësitë e tyre profesionale apo kreative. Prandaj, është në interes të tyre që vet të kërkojnë hapjen e procedurës për një hulumtim i cili do vërtetojë / demantojë akuzat e hedhura. Nëse eventualisht rezultati përfundimtar dëshmon akuzat – kjo do t’i mundësojë komunitetit të artistëve të pastrojnë radhët e tyre nga keqbërësit eventual të korruptuar. Nëse po ato demantohen, kjo do ishte edhe një dëshmi e cila identifikon, emërton dhe denoncon padrejtësitë dhe diskriminimin. Së fundi, është e pakuptueshme gjithë kjo kampanjë anti-Gorenca deri sa prezent në po atë studio ishte vet Sekretari Shtetëror i Kulturës, i cili mbase do dukej i tmerruar nga Migena, në po atë masë sa ajo paska qenë e tmerruar para Darkos.
Por rasti në fjalë shpalos edhe dy të vërteta të pakëndshme për sentimentet në rritje në shoqërinë tonë. Tipizimi ksenofob i Gorences si “një vajzë nga Shqipëria” zgjon provokon shumë pyetje për prapavinë dhe motivet e kampanjës kundër saj, në vitin në të cilin festojmë 100 vjetorin e flamurit dhe shtetit. Vallë, paskemi filluar të urrejmë njerëzit nga Shqipëria, Kosova…? Them njerëzit, pasi që nuk po hetojmë shumë emocione “vëllazërore – motërore” në prononcime të këtilla pas të cilave vërejmë vetëm brinjët e vegjël të urrejtjes brenda-shqiptare! Parashtrohet pyetja, nëse me të drejtë ndjehemi të ofenduar për denigrimin e artistëve shqiptar nga Maqedonia, me cilën logjikë “patriotike” heshtim këtë sulm mbi “vajzat nga Shqipëria”?
Dhe në fund, linçi verbal i ofendimeve ndaj Gorences si femër është pika që përmbaron këtë pikturë të palavdishme të fashizmit tonë lokal. Nuk kam pasë rastin ta njoh personalisht zonjën Gorenca ndërsa kam konsiderata për punën e saj profesionale në TVM. Por, si një njeri që ka përjetuar mbi lëkuren e vetë vrerin e shtanazheve që godasin dinjitetin dhe moralin personal, nuk mund të heshti ndaj këtij sulmi frontal dhe të organizuar ndaj një individi. Sulm të orkestruar nëpërmjet botimit të komenteve të cilat ngjajnë në një atmosferë linçi verbal, sulme personale, ofendime intime dhe në përgjithësi një orgji të ç’frenuar në të cilën secili maniak dhe pervers fiton mundësinë për të zbrazur frustracionet e veta impotente, të mundësuara nga medium, relevant dhe me ndikim te pamohueshëm, i cili e lancoi fushatën e urrejtjes. Një atmosferë e cila më përkujton fatin e një politikane të shkëlqyeshme shqiptare nga vitet e 90’ta e cila u detyrua të tërhiqet nga skena politike mu për shkak të sulmeve që kishin cak dinjitetin e saj prej femre, sulme në prapavijë të të cilave qëndronte një parti politike. Ka edhe aq shumë raste të tjera ku femra shqiptare në jetën publike atakohet nga “gardianët moral” të cilët ditën deklamojnë vargje euforike për nderin tonë kombëtar dhe moralin fetar, ndërsa natën nuk pushojnë së lehuri kundër “asaj dhe kësaj”.
Deri sa sulmi mbi zonjën Gorenca nuk ka të ndalur, në Kuvendin tonë kishim një debat të Klubit të Femrave Parlamentare, një festival i pozitivitetit të rrejshëm, lavdërimit për ato 30% të femrave anëtare të Kuvendit. Për një jave rresht, asnjë femër shqiptare nga skena politike nuk e pa të udhës të ngritë zërin në mbrojtje, jo të zonjës Gorenca, por në kundërshtim të fjalorit të urrejtjes të hedhur kundër një femre. Gjykuar nga sjellja e këtillë, mbase është e udhës që kjo përqindje të zbritet në 1%, deri sa zonjat politikane t’i heqin makijazhet e kotësisë dhe të mësojnë të qëndrojnë vërtetë vertikal dhe në mbrojtje të të drejtave të femrës. Nëse për asgjë tjetër, sa për hir të dëshmojnë se nuk mund të konsiderohen më për rolin e preferuar të maçizmit ballkanas mbi femrën profesionale sipas thënies amerikane “Qëndro heshtur dhe duku e bukur”!
Gëzuar 8 Marsi!
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumë