LAJMI I FUNDIT:

Mysliman kosovar apo mysliman i Kosovës

Diskutimet rreth identitetit shqiptar s’kanë të ndalur as në kohën tonë, kur në fakt çështja e identitetit vetëm se ka marrë fund në shtetet e avancuara të Amerikës dhe Evropës. Sot, nga jo pak të mendjendritur, çështjet e identitetit etnik konsiderohen çështje koti.

Ndërsa, në Kosovë ky diskutim vetëm se është në fillimet e tij. Fatkeqësisht. Megjithëse shqiptarët apo kosovarët gjithmonë i kanë shkuar prapa kohës, prandaj s’është për t’u çuditur me ta që edhe tani po diskutojnë diçka që për shumë popuj ka mbetur e kaluar. Kujtojmë kohën kur në Evropë vetëm se kishte mbaruar romantizmi, ndërsa ne vetëm se e filluam atë, njësoj sikurse që ndodhi edhe me formimin e kombeve: kur në Evropë mbaruan, ne e nisëm.


E shoh si të nevojshëm një shpjegim etimologjik të termave për të cilët po flasim, para se të hyj në një interpretim më të gjerë të tyre, terminologjik apo tjetër qoftë.

Po të lexosh në Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe, për termin kosovar gjejmë: “Banor vendës i Kosovës. Që lidhet me Kosovën ose me kosovarët, që është karakteristik për Kosovën ose për kosovarët, i Kosovës ose i kosovarëve; që është krijuar nga kosovarët.”.

Ndërsa, për termin mysliman, në po të njëjtin fjalor gjejmë: “Ai që beson në fenë myslimane, ithtar i myslimanizmit. Që ka të bëjë me myslimanizmin ose me myslimanët, që i përket myslimanizmit, i myslimanizmit ose i myslimanëve.”.

Ajo që dua të sqaroj në këtë plan të diskutimit është keqkuptimi dhe më shumë keqinterpretimi i termave kosovar, mysliman, si dhe i togfjalëshave kosovar, mysliman dhe mysliman i Kosovës apo mysliman në Kosovë.

Së fundmi, duke u fshehur pas një kulture relativisht të pasur gjuhësore dhe fjalori po ashtu relativisht të pasur politik, në një artikull të tij për këtë temë, deputeti Ardian Gjini nga AAK-ja flet dhe diskuton çështjen se shqiptari i Kosovës s’mundka të jetë edhe shqiptar, respektivisht kosovar, edhe mysliman.

Për të argumentuar bindjen e tij, Gjini sipërthekson biseda rrugësh, diskutime që bëhen nëpër kafene, e që përgjithësisht kanë të bëjnë me fyerjen e figurave kombëtare e fetare (Skënderbeut e Nënë Terezës), e që patjetër se islami e lufton dhe e kundërshton.

Për këtë në Kur’an, në kaptinën En-Am, citati 108 thuhet: “Ju mos fyeni ata të cilët nuk e besojnë Zotin Një-idhujtarët, e si hakmarrje ata pastaj të fyejnë Zotin nga armiqësia e duke mos ditur”.

Prandaj, në këtë plan, Gjini dhe gjithësecili prej atyre që po shkruajnë dhe shkrimeve të tyre po u japin ngjyrime teologjike, pra po e inkorporojnë edhe temën fetare, duhet fillimisht të ketë njohuri mbi, të paktën, parimet themelore të asaj feje për të cilën diskuton, përndryshe do të dalë qesharak para opinionit, popullit (megjithëse edhe po bëjnë gabime të mëdha dhe keqinterpretime të hatashme në profile teologjike).

Dikush mund të thotë se po e japin mendimin e tyre. Në rregull është të thuhet mendimi, deri atëherë kur nuk është i dëmshëm për shoqërinë, si dhe nuk ngreh nga vetja elemente negative të edukimit social, siç edhe po ndodh.

Trajtimi i temës mes të qenit shqiptar apo kosovar mysliman apo mysliman i Kosovës apo mysliman në Kosovë, është çështje që fillimisht ngreh pyetjen se a duhet të ekzistonte ky diskutim mes nesh. Por, pasi vetëm se ekzistuaka, duhet që për këtë të flasin njerëzit kompetentë, që të paktën të hedhin dritë mbi këtë çështje kaq të përfolur, panevojshëm.

Dallimi themelor mes kësaj është se shqiptari në Kosovë është kosovar, respektivisht shqiptar për nga gjuha, tradita, kultura, dhe është mysliman për nga feja. Prandaj, edhe është një kosovar mysliman. Ndërsa, në të kundërtën, ai nuk mund të jetë mysliman vetëm në Kosovë dhe jo diku tjetër, sepse edhe ashtu vendi nuk përcakton identitetin fetar. Pra, është gabim të thuhet mysliman në Kosovë, por duhet të thuhet mysliman kosovar, sepse ai është edhe mysliman e edhe kosovar dhe, është mysliman në Kosovë edhe jashtë saj.

Gjithashtu nuk duhet ngatërruar të qenit shqiptar mysliman, që është kosovari nga gjuha, kultura, tradita dhe mysliman për nga feja, me të qenit mysliman në Kosovë, që është të qenit mysliman në një vend, e që edhe mund të mos jetë i përkatësisë etnike të individit. Për shembull, në Kosovë jetojnë egjiptianë, boshnjakë, turq, të cilët, në shumicë janë myslimanë, sikurse edhe shumica e popullit të Kosovës.

Vetëm tendenca e shumëkujt që të diferencojë myslimanin kosovar në mysliman në Kosovë është një kontribut drejt një dezinformimi dhe desktuktiviteti social në shoqërinë kosovare, e që edhe diskrediton edhe vet identitetin në përgjithësi, lëre më ata që flasin në këtë plan.

Kosova është vendlindja e kosovarëve, myslimanë e jomyslimanë qofshin ata, prandaj edhe është e drejtë e secilit të jetë pjesë e proceseve pozitive nëpër të cilat kalon shoqëria dhe vendi, si dhe pjesë e përballimit të çdo fatkeqësive që përjeton vendi dhe shoqëria. Në këtë plan duhet të jetë edhe angazhimi i gjithësecilit person që jeton në Kosovë, mysliman e jomysliman qoftë.

Për një kohë bukur të gjatë, madje edhe sot, kosovarët po e kanë të vështirë ta përballojnë realitetin e të qenit kosovar mysliman. Shumë prej atyre që punojnë kundër kësaj më me dëshirë do t’i kishin lënë myslimanë të Kosovës sesa myslimanë kosovarë. Kështu u duket sikur po i ndajnë Kosovën nga myslimani. Sikur duan të rikujtojnë për çdo herë se myslimani në Kosovë është i ardhur dhe ende nuk është pjesë integrale e shoqërisë kosovare. Nuk janë të paktë edhe ata që mendojnë se myslimanët kosovarë fillimisht duhet të integrohen, pastaj të jenë pjesë e shoqërisë kosovare, respektivisht proceseve nëpër të cilat kalon shoqëria.

Koncepti i integrimit nënkupton se ajo për të cilën po flasim ende nuk është pjesë integrale. Fillimisht duhet të i nënshtroheni procesit të integrimit, dhe, pas një kohe, pasi të integrohet, e kjo mund të zgjat shumë, mund të jetë pjesë e saj.

Në planin që po diskutojmë, myslimanët kosovarë po konsiderohen ende pjesë e shoqërisë në tranzicion. Kjo pastaj edhe po ndikon që myslimanët të tërhiqen me një anë, ndërsa tërheqja e tyre brenda vetes po i lë margjinë paçka se janë mazhorancë, dhe kështu po e pranojnë edhe fyerjen edhe diskriminimin madje edhe në baza fetare.

Vetëm me islamin shqiptarët janë siç janë. Deklaratat e një varg intelektualëve, p.sh. Ismail Kadaresë se shqiptarët katolikë duhet t’i dekorojmë me dekoratë të artë pse arritën ta ruajnë fenë e të parëve janë vetëm kamuflime dhe keqinterpretime të realitetit ekzistues dhe atij të dikurshëm;

1. Nëse u dashka të dekorohet dikush për ruajtje identiteti, duhet të dekorohet myslimani shqiptar, sepse, edhe pse shumicë, kurrë nuk bëri trysni e dhunë ndaj pakicës katolike shqiptare, por e konsideroi vëlla nga gjaku. Ne jemi 96 për qind myslimanë. Edhe nëse duan, 4 për qind tjetër, që nuk është vetëm katolikë, nuk mund të bëjë asgjë ndaj gjithë kësaj shumice. Prandaj, nëse dikush meriton dekoratë, janë myslimanët shqiptarë që kurrë, asnjëherë, nuk ushtruan dhunë ndaj vëllezërve të tyre nga kombi. Dhe kjo vërtet se meriton një lëvdatë e dekoratë.

2. Po të kishin qenë shumicë jomyslimanët, nuk do të ndodhte kurrë kështu. Kemi shembullin e herezisë, mesjetës, atëherë kur kisha sundonte dhe, nëse dikush dilte kundër saj, ai hidhej në turrë të drunjve, katolik ose jokatolik në pastë qenë. Te myslimanët nuk ka ndodhur kështu dhe kjo tash e mbi 500 vjet.

3. Koherenca. Ne nuk jemi myslimanë vetëm tash e 13 vite. Ne, prindërit tanë, gjyshërit e stërgjyshërit tanë ishin myslimanë. Kjo nuk nënkupton se ne po qëndrojmë myslimanë nga dhuna, nga padëshira. Ne jemi myslimanë dhe për 500 vjet dhe, duke jetuar si të tillë, ne dëshmuam se duam të jemi kështu, dhe për gjithë këtë kohë krijuam një kulturë, traditë që vetëm se kontribuoi në ruajtjen e identitetit shqiptar, megjithëse koncepti për etninë është krijuar krejt para rreth 200 vjetëve. Kjo do të thotë se kur u krijua etnia shqiptare, në romantizëm, shqiptarët myslimanë vetëm se kishin 300 vjet traditë, dhe kjo traditë patjetër se thuajse tërësisht u bë pjesë e etnisë shqiptare.

Krejt ajo që flasin disa të ashtuquajtur intelektualë, e sidomos Kastriot Myftaraj e plot të tjerë, janë kontribut i armiqve të kombit dhe fesë. Të shqiptarit dhe myslimanit. Të shqiptarit mysliman.

Si çdo shoqëri në botë, edhe kosovarët po janë viktimë e mediave, të cilat për islamin shpesh harrojnë të nxjerrin diç të mirë, por vetëm se keq. Sipas statistikave, mbi 80 për qind e mediave në botë interpretojnë islamin negativisht.

Duhet kuptuar një herë e mirë se, ne si shoqëri myslimane kosovare vetëm se jemi të integruar. Tash, sikurse gjer tani, ne do të kontribuojmë. Ne do të jemi pjesë e çdo procesi dhe do të kontribuojmë në prosperitet që duhet të kalojë shoqëria dhe vendit.