Të martën e 28 prillit, Kosova ka shkuar në zgjedhje të parakohshme, pasi procesi për zgjedhjen e presidentit ka dështuar të përmbyllet brenda afateve kushtetuese, duke thelluar krizën politike dhe institucionale në vend.

Pas disa tentimeve në Kuvend dhe mungesës së konsensusit politik mes pozitës dhe opozitës, partitë nuk arritën të sigurojnë kuorumin dhe marrëveshjen e nevojshme për zgjedhjen e kreut të shtetit.


Dështimi për zgjedhjen e presidentit e ka çuar vendin në një situatë të re politike, ku zgjedhjet e jashtëzakonshme konsiderohen si epilogu i vetëm institucional për dalje nga ngërçi.

Gjatë ditës, përfaqësues të partive politike shkëmbyen akuza reciproke për përgjegjësinë e dështimit, me pushtetin që fajësoi opozitën për mungesë bashkëpunimi, ndërsa partitë opozitare akuzuan qeverinë për keqmenaxhim të procesit dhe tentativa për ta përdorur krizën për kalkulime elektorale.

Moszgjedhja e presidentit brenda afatit kushtetues hap rrugën për shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare, duke e futur vendin në një tjetër cikël elektoral.

Zgjedhjet e parakohshme pritet të shihen si test i ri politik për partitë kryesore, në një kohë kur vendi përballet me pasiguri institucionale dhe polarizim të thelluar politik.

29/05/2026 11:19- Raporti i IKD-së: 25 kandidatë për deputetë të përfshirë në raste penale, prin VV-ja

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka publikuar një raport lidhur me kandidatët e certifikuar për zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke bërë të ditur se 25 prej tyre rezultojnë të përfshirë në raste penale.

Sipas hulumtuesit të lartë të IKD-së, Gzim Shala, në zgjedhjet e 7 qershorit do të marrin pjesë 21 subjekte politike me gjithsej 902 kandidatë të certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Ai tha se nga ky numër, 25 kandidatë kanë ose aktakuza aktive ose dënime të formës së prerë nga e kaluara.

Lajmi i plotë >>>

29/05/2026 08:07- Zgjedhjet në Kosovë, dita e dytë e fushatës zgjedhore

Sot është dita e dytë e fushatës zgjedhore, ndërsa partitë politike do të jenë në qytete të ndryshme për t’i prezantuar kandidatët dhe programet e tyre.

Lëvizja Vetëvendosje do të mbajë tubim në Istog dhe në Pejë.

Partia Demokratike e Kosovës do të mbajë në Gjakovë dhe në Pejë.

Lidhja Demokratike e Kosovës do të zhvillojë tubime në Kaçanik dhe Han të Elezit, Shtime, Fushë Kosovë dhe në Prishtinë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të mbajë tubim në Rahovec.

28/05/2026 23:01- KQZ fillon programin trajnues për zyrtarët e trajnimit në KKZ

Në kuadër të përgatitjeve për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës të 7 qershorit, KQZ ka filluar me programin e trajnimit dyditor që do të angazhohen gjatë këtij procesi zgjedhor në 38 Komisionet Komunale të Zgjedhjeve.

Trajnimi përfshin rreth 200 zyrtarë nga të gjitha komunat e Kosovës dhe synon forcimin e aftësive profesionale të tyre për zbatimin korrekt të procedurave zgjedhore, në përputhje me legjislacionin dhe rregulloret në fuqi.

Lajmi i plotë >>>

28/05/2026 10:16- Sot fillon zyrtarisht fushata zgjedhore, LVV e PDK e nisin në Ferizaj, LDK në Prishtinë e AAK në Gjakovë

Sot, më 28 maj nis zyrtarisht fushata zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit, ndërsa do të zgjasë 10 ditë e 7 orë, duke u përmbyllur më 7 qershor në ora 06:59.

Subjektet politike tashmë kanë njoftuar aktivitetet për hapjen e fushatës, gjersa Partia Socialdemokrate fushatën e ka hapur mbrëmë me një aktivitet simbolik para Kuvendit të Kosovës, ku u dogjën kartëmonedha për të paraqitur, siç u tha, “fundin e opozitarizmit formal” në Kosovë.

24/05/2026 12:12- "Siguri, Energji, Zhvillim" - AAK prezanton sloganin për zgjedhjet e 7 qershorit

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka prezantuar zyrtarisht sloganin e saj për zgjedhjet e 7 qershorit, i cili është “Siguri, Energji, Zhvillim”.

Sipas AAK-së, slogani pasqyron prioritetet kryesore të programit të saj zgjedhor, duke u fokusuar në forcimin e sigurisë në vend, zhvillimin ekonomik dhe politikat energjetike.

Lajmi i plotë >>>

22/05/2026 11:36- KQZ certifikon listën votuesve, 15,884 votues më shumë se në zgjedhjet e fundit


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhje elektronike, ndërsa mori vendim për certifikimin e Listës Votuese për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

Sipas të dhënave nga kjo listë, numri i shtetasve të Kosovës me të drejtë vote në këtë proces zgjedhor është: 2,092,174 votues.

Kjo listë përmban 15,884 votues më shumë se në zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të cilat u mbajtën më 28 dhjetor 2025.

Lajmi i plotë >>>

21/05/2026 11:17- Votimi me postë - këto janë adresat e kutive postare në 23 shtete për votuesit e regjistruar jashtë Kosovës


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se me qëllim të lehtësimit të procesit të votimit jashtë Kosovës, për votuesit e regjistruar për votim me postë, janë funksionale kutitë postare në 23 shtete të ndryshme.

Kutitë postare janë funksionale në këtë 23 shtete: Australi, Austri, Belgjikë, Çeki, Danimarkë, Francë, Gjermani, Holandë, Hungari, Itali, Kanada, Kosovë, Kroaci, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Mbretëria e Bashkuar, Norvegji, ShBA, Shqipëri, Slloveni, Suedi, Turqi dhe Zvicër.

Lajmi i plotë >>>

21/05/2026 10:06- Votimi me postë për diasporën


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka bërë të ditur se më 21 maj nis votimi jashtë vendit, konkretisht përmes postës.

KQZ njofton se votimi me postë do të zgjasë deri më 6 qershor.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përgatitur rreth 105 mijë pako individuale, brenda së cilave gjendet nga një fletëvotim i zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Të gjitha këto pako, do të fillojnë të shpërndahen tek votuesit jashtë Kosovës që kanë përzgjedhur këtë mënyrë votimi gjatë kohës kur janë regjistruar si votues jashtë Kosovës.

Lajmi i plotë >>>

19/05/2026 16:53- Miratohet dizajni i fletëvotimit për zgjedhjet e 7 qershorit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026.

Vendimi u mor në mbledhjen e 51-të të KQZ-së, të kryesuar nga kryesuesi Kreshnik Radoniqi.

Sipas KQZ-së, fletëvotimi do të përmbajë 21 subjekte politike të renditura sipas tërheqjes së numrave rendorë dhe do të përdoret si për votimin në përfaqësitë diplomatike më 6 qershor, ashtu edhe në vendvotimet në Kosovë më 7 qershor.

Lajmi i plotë >>>

19/05/2026 15:55- KQZ-ja miraton mbi 11 mijë kërkesa për ndërrim vendvotimi në Kosovë

Drejtori i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve KQZ-së, Besnik Buzhala, bëri të ditur të martën se që nga 6 maji deri më datë 17 të këtij muaji, KQZ-ja ka pranuar 11 mijë e 840 kërkesa për ndërrim të qendrave të votimit, nga të cilat janë aprovuar 11 mijë e 276 sosh, ndërsa janë refuzuar 564 prej tyre.

Po ashtu, në kuadër të procesit përgatitor, në këtë mbledhje KQZ mori vendim për miratimin e planit operacional të sigurisë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Lajmi i plotë >>>

19/05/2026 08:21- KQZ publikon listat me 902 kandidatët e certifikuar për deputetë


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se pas përmbylljes së procesit të certifikimit, janë publikuar listat e kandidatëve për deputetë të certifikuar për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor.

Në mbledhjen e mbajtur më 16 maj, KQZ certifikoi 902 kandidatë për deputetë të 21 subjekteve politike për pjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

Lajmi i plotë >>>

17/05/2026 12:51- Afro 100 mijë aplikime të aprovuara për votim nga diaspora, Gjermania në krye të listës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se po vazhdon periudha e regjistrimit të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka nisur më 6 maj dhe përfundon sot, më 17 maj 2026.

Sipas të dhënave të publikuara deri më 17 maj, ora 10:00, përmes platformës elektronike të KQZ-së janë pranuar gjithsej 117,246 kërkesa për regjistrim.

Prej tyre, 99,498 aplikime janë aprovuar, 7,621 janë refuzuar, ndërsa 10,059 janë ende në shqyrtim.

Lajmi i plotë >>>

17/05/2026 10:05- Afati i fundit për diasporën, sot përfundon regjistrimi për zgjedhjet e 7 qershorit

Sot përfundon afati për regjistrimin e votuesve nga diaspora për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor.

Procesi i regjistrimit ka filluar më 6 maj dhe mbyllet sot, më 17 maj.

Qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës mund të votojnë në dy mënyra: përmes postës ose në përfaqësitë diplomatike.

Lajmi i plotë >>>

16/05/2026 12:29- Shorti, këta janë numrat me të cilët do të garojnë partitë politike në zgjedhjet e 7 qershorit


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), sot ka organizuar tërheqjen e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotime në zgjedhjet e 7 qershorit.

Lëvizja Vetëvendosje në zgjedhjet e 7 qershorit do ta ketë numrin 116, ndërkaq Partia Demokratike e Kosovës 125.

Lidhja Demokratike e Kosovës në zgjedhjet e 7 qershorit do të garojë me numrin 113, gjersa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka bërë të ditur se numri i saj në zgjedhje do të jetë 128.

14/05/2026 12:08-Hamza pret Ambasadorin britanik, diskutojnë për zgjedhjet e 7 qershorit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka pritur sot në selinë e PDK-së Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves.

Gjatë takimit, Hamza bëri të ditur se me ambasadorin britanik zhvilloi një bisedë miqësore dhe konstruktive për zhvillimet politike në vend, me fokus të veçantë te zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit dhe rëndësia e një procesi demokratik, të qetë dhe të besueshëm.

13/05/2026 07:53- Ende pa emra nga PDK-ja, ja kush prijnë në 10-shën e listave të partive tjera

Teksa partitë politike në Kosovë kanë nisur publikimin e listave të kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e 7 qershorit 2026, Partia Demokratike e Kosovës ende nuk e ka zyrtarizuar listën e plotë, ndonëse në media tashmë kanë qarkulluar emrat e kandidatëve kryesorë të saj.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tashmë kanë publikuar listat e plota me emrat e kandidatëve që do të garojnë për Kuvendin e Kosovës.

Lajmi i plotë >>>

12/05/2026 23:24- Lista zyrtare e kandidatëve të LDK-së për deputetë

Lidhja Demokratike e Kosovës ka publikuar zyrtarisht listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

Përmes një njoftimi publik, LDK-ja ka prezantuar ekipin prej 110 kandidatëve, duke e cilësuar atë si një listë që përfaqëson vizionin për një Kosovë me institucione të forta, zhvillim dhe orientim të palëkundur perëndimor.

12/05/2026 23:21- AAK publikon listën zyrtare të kandidatëve për deputetë

Kryetari i Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka publikuar listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

Përmes një mesazhi drejtuar qytetarëve dhe strukturave të partisë, Haradinaj tha se lista e prezantuar përfaqëson një kthesë të rëndësishme organizative dhe politike për AAK-në.

12/05/2026 23:19- KDTP publikon listën e kandidatëve për zgjedhjet e 7 qershorit

Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP) ka publikuar listën e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare që do të mbahen më 7 qershor.

Përmes një njoftimi zyrtar, partia bëri të ditur se janë përcaktuar kandidatët që do ta përfaqësojnë KDTP-në në këtë proces zgjedhor, duke u uruar sukses të gjithë kandidatëve në rrugën e shërbimit ndaj qytetarëve.

Në reagimin e partisë thuhet se kandidatët kanë marrë përsipër përgjegjësinë për përfaqësimin politik dhe angazhimin në interes të komunitetit dhe qytetarëve.

KDTP gjithashtu shprehu shpresën që procesi zgjedhor të sjellë rezultate pozitive për vendin dhe shoqërinë në përgjithësi.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë do të mbahen më 7 qershor, ndërsa subjektet politike tashmë kanë nisur publikimin e listave të kandidatëve për deputetë.

12/05/2026 22:59- AKR-ja nuk do të garojë në zgjedhjet e 7 qershorit

AKR-ja nuk do të garojë në zgjedhjet e 7 qershorit

Aleanca Kosova e Re (AKR) nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i AKR-së, Emir Abrashi, përmes një njoftimi në rrjetet sociale, ku ka theksuar se vendimi është marrë pas diskutimeve dhe konsultimeve të brendshme në parti.

LAJMI I PLOTË>>>

12/05/2026 20:46- Bajrami reagon për listën: Nga zyra m’u kumtua që jam numër 12, pas atyre që e luftuan LDK-në

Hykmete Bajrami LDK Konference foto Ridvan Slivova 3 e1674905430681Bajrami reagon për listën: Nga zyra m’u kumtua që jam numër 12, pas atyre që e luftuan LDK-nëDeputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami

Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas renditjes së saj si e 12-ta në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për zgjedhjet e 7 qershorit, duke thënë se pozicioni në listë nuk përbën asnjë problem për të.

Ajo tha se është pjesë e listës së LDK-së sepse, sipas saj, partia është më e madhe se çdo individ dhe se angazhimi i saj politik nuk lidhet me renditje apo fitore personale.

Lajmi i plotë >>>

12/05/2026 19:54- “S’e kemi propozuar Nait Hasanin e as të tjerët...”, Totaj thotë se në listë nuk janë ata që dyshohen për manipulim me vota

Nait Hasani ka deklaruar se është propozuar për deputet nga dega e Partia Demokratike e Kosovës në Prizren, pavarësisht se emri i tij ishte përmendur në mesin e personave për të cilët kishte dyshime për manipulim votash në zgjedhjet e 28 dhjetorit.

Megjithatë, një deklaratë të tillë e ka mohuar kryetari i degës së PDK-së në Prizren, Shaqir Totaj, gjatë një lidhjeje direkte në T7. Duke folur për çështjen e dyshimeve për vjedhje votash në Prizren, Totaj tha se dega e PDK-së ka vendosur të reflektojë derisa rasti të marrë epilog ligjor.

Lajmin e plotë>>>

12/05/2026 19:53- Kandidatët për deputetë do t’i nënshtrohen verifikimit institucional nga KQZ

Partitë politike duhet që gjatë së martës t’i dorëzojnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) listat e kandidatëve për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

Ndërkohë, KQZ-ja ka bërë të ditur se të gjithë kandidatët që synojnë të garojnë për Kuvendin e Kosovës do t’i nënshtrohen procesit të verifikimit institucional, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi.

Sipas KQZ-së, përmes këtij procesi do të shqyrtohet nëse kandidatët i plotësojnë kriteret ligjore për certifikim, bazuar në nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se institucioni do t’u drejtohet organeve relevante për të kryer verifikimet e nevojshme për kandidatët që synojnë të certifikohen.

“Në kuadër të përmbushjes së obligimeve ligjore që kanë të bëjnë me përshtatshmërinë/aftësinë e kandidatëve për certifikim, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do t’u dërgojë institucioneve relevante kërkesat për verifikim, së bashku me listën e kandidatëve që synojnë të certifikohen për pjesëmarrje në zgjedhje, me qëllim të vlerësimit nëse ata janë në përputhje me nenin 30 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme. Kjo është një praktikë e ndjekur nga KQZ edhe në proceset e kaluara zgjedhore”, deklaroi Elezi.

Procesi i verifikimit konsiderohet një nga hapat kryesorë para certifikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

12/05/2026 13:18- LDK dhe Partia e Drejtësisë e Balli Kombëtar bashkë në garën zgjedhore


Partia e Drejtësisë ka bërë të ditur se ka arritur një marrëveshje bashkëpunimi politik me Lidhjen Demokratike të Kosovës për zgjedhjet e 7 qershorit 2026, duke e cilësuar këtë zhvillim si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të stabilitetit politik dhe rikthimit të besimit qytetar në institucionet e Republikës së Kosovës.

Në komunikatën për media, Partia e Drejtësisë thekson se kjo marrëveshje nuk përfaqëson vetëm një bashkim elektoral, por një angazhim të përbashkët për rritjen e bashkëpunimit politik, dialogut institucional dhe përgjegjësisë shtetërore në vend.

Ndërkaq, LDK ka njoftuar se edhe Balli Kombëtar do të jenë në listën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Lajmi i plotë>>>

12/05/2026 13:15- Vjosa Osmani në listën e LDK-së, PSD me aksion: Me këtë qasje më shumë i shkon simbolika e “Kalit të Trojës”


Partia Socialdemokrate (PSD) ka realizuar një aksion simbolik, ku ish-presidentja Vjosa Osmani është paraqitur si “Kali i Trojës”.

PSD kritikoi rikthimin e Osmanit në Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke thënë se ky bashkim është lidhje e interesit për pozita të dy individëve që e kanë kapur këtë parti.

Lajmi i plotë>>>

12/05/2026 10:53- Qeveria ndan mbi 10.8 milionë euro për organizimin e zgjedhjeve të 7 qershorit

Qeveria në detyrë e Kosovës ka mbajtur mbrëmë mbledhjen e saj të tetëmbëdhjetë në mënyrë elektronike, ku ka miratuar kërkesën e Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për ndarjen e mjeteve buxhetore për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Sipas njoftimit, Qeveria ka aprovuar shumën prej 10,887,186.45 euro për mbulimin e shpenzimeve që lidhen me organizimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

Lajmi i plotë>>>

12/05/2026 09:27- Zgjedhjet e 7 qershorit, sot përfundon afati për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë


Subjektet politike kanë afat vetëm edhe sot për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë, me të cilët do të garojnë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit 2026.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, bëri të ditur se afati 11-ditor për dorëzimin e listave përfundon sonte në mesnatë.

10/05/2026 11:10- Sot mbyllet afati për certifikimin e subjekteve të reja politike për zgjedhjet e 7 qershorit

Sot në orën 24:00 përfundon afati i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për aplikimin e subjekteve të reja politike që synojnë pjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur për Telegrafin se procesit të certifikimit i nënshtrohen vetëm subjektet e reja politike, si koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur, ndërsa partitë politike konsiderohen të certifikuara automatikisht.

Lajmi i plotë>>>

10/05/2026 11:09- “Bashkimi” i LDK-së, Osmani dhe Abdixhiku sot para qytetarëve si kandidatë për presidente dhe kryeministër

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër, Lumir Abdixhiku, së bashku me kandidaten për presidente nga kjo parti, Vjosa Osmani, do të mbajnë sot “Tubimin e Bashkimit”, në kuadër të mobilizimit për zgjedhjet e ardhshme.

Ky aktivitet vjen pas marrëveshjes politike të arritur brenda LDK-së, sipas së cilës Osmani është caktuar bartëse e listës dhe kandidate për presidente, ndërsa Abdixhiku kandidat për kryeministër.

Lajmi i plotë>>>

09/05/2026 14:37- LDK vendos, Osmani kandidate për presidente dhe bartëse e listës, Abdixhiku kandidat për kryeministër


Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka vendosur që Vjosa Osmani të jetë kandidate e LDK-së për presidente dhe bartëse e listës zgjedhore, ndërsa Lumir Abdixhiku kandidat për kryeministër.

Abdixhiku në një deklaratë për media pas mbledhjes së Këshillit tha se LDK e votoi në unanimitet të plotë propozimin e Kryesisë që në zgjedhjet e 7 qershorit Vjosa Osmani të jetë kandidate për presidente, Abdixhiku për kryeministër dhe lista zgjedhore t’i ketë 110 kandidatë për deputetë.

Lajmi i plotë>>>

09/05/2026 11:45- Albin Kurti nominohet kandidat për kryeministër nga LVV


Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje ka vendosur ta nominojë Albin Kurtin si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e 7 qershorit.

Vendimi për nominimin e tij është miratuar njëzëri nga të gjithë anëtarët gjatë mbledhjes së mbajtur të shtunën.

Lajmi i plotë>>>

08/05/2026 14:22- Limaj i dërgon letër Hamzës, kërkon që Nisma të jetë pjesë e listës së PDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, i ka dërguar një letër kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, me kërkesën që subjekti i tij të jetë pjesë e listës së PDK-së për zgjedhjet e 7 qershorit.

Lajmi i plotë>>>

08/05/2026 14:22- PDK-ja në Malishevë kundër listës me Limajn? Mazreku: Na ka dëmtuar në nivel të përgjithshëm

Nisma Socialdemokrate është sërish përballë një vendimi të rëndësishëm para Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme të 7 qershorit 2026, në një situatë të ngjashme me atë të zgjedhjeve të 28 dhjetorit të vitit të kaluar, kur partia e drejtuar nga Fatmir Limaj tentoi deri në momentet e fundit të bëhej pjesë e listës së përbashkët me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), por pa arritur marrëveshje.

Lajmi i plotë>>>

08/05/2026 14:22- Hamza fton profesionistët t’i bashkohen listës së PDK-së



Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza ka ftuar qytetarët që besojnë se mund të kontribuojnë për vendin përmes politikës, t’i bashkohen listës së PDK-së.

Hamza, përmes një video-adresimi, u shpreh se Kosova sot ka nevojë më shumë se kurrë për njerëz të mirë dhe të përgatitur për të punuar për shtetin.

“Në Partinë Demokratike të Kosovës, lista jonë për deputetë nuk do të jetë vetëm listë politike. Por edhe listë e hapur për të gjithë. Kemi garantuar hapësirë për profesionistë, për gra e burra të aftë, për njerëz që ndoshta nuk kanë qenë pjesë e politikës deri sot”, ka thënë kreu i PDK-së.

Lajmi i plotë>>>

08/05/2026 12:06-AKR nuk do të garojë e vetme në zgjedhjet e parakohshme, Abrashi: Jemi në negociata me partitë politike

Kryetari i Aleancës Kosova e Re (AKR), Emir Abrashi ka thënë se nuk do të garojnë të vetëm në zgjedhjet e parakohshme dhe se janë në fazën e konsultimeve dhe negociatave politike.

Abrashi në një prononcim për Telegrafin ka thënë se pjesëmarrja apo mospjesëmarrja e tyre në kuadër të listës së ndonjë subjekti tjetër politik do të varet nga serioziteti i ofertave që do të marrin.

“Aktualisht, Aleanca Kosova e Re është në fazën e konsultimeve dhe negociatave politike, pasi kemi pranuar disa oferta nga subjekte të ndryshme politike lidhur me zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit. Ajo që mund të konfirmojmë në këtë fazë është se AKR nuk do të garojë e vetme në këto zgjedhje. Megjithatë, pjesëmarrja apo mospjesëmarrja jonë në kuadër të listës së ndonjë subjekti tjetër politik do të varet nga serioziteti i ofertave, përputhshmëria programore dhe vlerësimi që do të bëjnë organet drejtuese të partisë, të cilat do të marrin vendimin përfundimtar në ditët në vijim”, ka thënë Abrashi.

Tutje Abrashi tha se AKR sapo ka mbajtur Kuvendin e Jashtëzakonshëm Zgjedhor dhe ndodhet në një proces të rëndësishëm ristrukturimi dhe reformimi të brendshëm. /Telegrafi/

08/05/2026 09:56- LVV koalicion parazgjedhor me tri parti politike

Lëvizja Vetëvendosje ka nënshkruar koalicion parazgjedhor me tri parti politike, partinë Guxo, partinë Alternativa dhe PSHDK-në.

Lajmi është bërë e ditur nga bashkëkryetarja e partisë Guxo, Donika Gërvalla.

Lajmi i plotë>>>

08/05/2026 09:54- 22 parti njoftuan për pjesëmarrje në zgjedhje, 8 për mospjesëmarrje


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se ka pranuar njoftime për pjesëmarrje në zgjedhje nga 22 parti politike, ndërsa 8 parti kanë njoftuar mospjesëmarrjen.

Gjithashtu, janë njoftuar edhe 2 koalicione, të përbëra nga 5 parti politike.

Lajmi i plotë>>>

07/05/2026 08:55- U përmend se Majlinda Kelmendi do të jetë pjesë e listës së Vjosa Osmanit - reagon klubi i xhudos “Ippon”

Klubi i Xhudos “Ippon” ka bërë të ditur se kampionja olimpike Majlinda Kelmendi nuk do të jetë pjesë e asnjë partie politike dhe nuk do të angazhohet në asnjë listë zgjedhore.

Lajmi i plotë>>>

07/05/2026 08:53- Në koalicion apo të vetme? Sot përfundon afati që partitë politike të njoftojnë për pjesëmarrjen në zgjedhje

Sot, më 7 maj përfundon afati për partitë politike në Republikën e Kosovës që ta njoftojnë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve lidhur me pjesëmarrjen apo edhe mospjesëmarrjen në zgjedhjet e parakohshme, që do të mbahen më 7 qershor 2026.

Po, sot më 7 maj përfundon edhe afati për deklarimin e partive politike në rast të lidhjes së koalicioneve parazgjedhore.

Lajmi i plotë>>>

06/05/2026 11:20- Nis regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës, ky është afati i fundit

Nga sot fillon regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës për zgjedhjet e 7 qershorit, ka bërë të ditur zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.

Elezi thekson ditur se votuesit jashtë vendit do të kenë mundësi që të regjistrohen deri më 17 maj.

Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës do të mbahen më 7 qershor, ndërkaq votimi në përfaqësi diplomatike organizohet më 6 qershor.

“Regjistrimi i votuesve jashtë Kosovës do të fillojë nga dita e sotme 6 maj dhe do të përfundojë më 17 maj. Pra, gjatë kësaj periudhe 12 ditore të gjithë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë vendit mund të aplikojnë për tu regjistruar si votues jashtë Kosovës, për të votuar qoftë fizikisht në njërën nga përfaqësitë diplomatike apo për të votuar përmes postës. Në momentin e regjistrimit, aplikuesi mund të përzgjedh individualisht mënyrën se si dëshiron të votojë në këtë proces zgjedhor”, deklaroi ai.

06/05/2026 11:12- Zgjedhjet e 7 qershorit, Haxhiu uu bën thirrje diasporës: Regjistrohuni për të votuar

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, iu ka bërë thirrje diasporës që të regjistrohen për të votuar nga jashtë Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit.

Ajo, përmes një video-adresimi, tha se qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës duhet të bëhen pjesë e vendimmarrjes në vend.

“Regjistrohuni për të votuar. Ju keni qenë pranë Kosovës edhe kur kufijtë, dhuna dhe largësia janë munduar që t’iu mbajnë larg. Keni punuar dhe sakrifikuar për ta ndihmuar atdheun tonë. Keni qenë zëri i Kosovës kudo në botë dhe vazhdoni kontributin për Republikën e Kosovës. Bëhuni pjesë e vendimmarrjes”, tha ajo.

Nga sot, 6 maji, është hapur afati për të aplikuar për regjistrim qytetarët që synojnë të votojnë nga jashtë Kosovës për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit. Ky afat do të zgjasë deri më 17 maj.

06/05/2026 08:17- Hapet regjistrimi për diasporën, nga 6 deri më 17 maj aplikimi për votim

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se nga 6 maji deri më 17 maj, votuesit që jetojnë jashtë Kosovës mund të aplikojnë për t’u regjistruar për votim në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin, të cilat do të mbahen më 7 qershor.

Sipas KQZ-së, regjistrimi mund të bëhet përmes platformës online ose duke dërguar aplikimin përmes postës në kutinë postare të institucionit në Kosovë.

Ndërkohë, KQZ ka prezantuar edhe raportin e Listës Preliminare të Votuesve për këto zgjedhje. Sipas të dhënave, lista përfshin gjithsej 2,092,202 votues, që është një rritje prej 15,912 votuesish krahasuar me zgjedhjet e fundit.

Në këto zgjedhje pritet të votojnë për herë të parë 22,131 qytetarë.

05/05/2026 20:23- Vjosa Osmani bartëse e listës? Abdixhiku: Renditja nuk është problem për mua

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se partia është e fokusuar në ndërtimin e një liste fituese për zgjedhjet e 7 qershorit dhe se bashkëpunimi i brendshëm politik mbetet prioritet.

I pyetur nëse do t’ia lëshojë vendin e renditjes në listë Vjosa Osmanit, Abdixhiku tha se kjo nuk paraqet asnjë problem për të.

Lajmi i plotë >>>

05/05/2026 20:22- Abdixhiku: LDK dhe Osmani në një listë të përbashkët zgjedhore - pritet formalizimi

Pas mbledhjes së Kryesisë së Lidhjes Demokratike e Kosovës (LDK), kryetari i saj Lumir Abdixhiku ka folur para mediave.

Sipas tij, në takim është diskutuar edhe për “bashkimin e madh” politik, për të cilin LDK ka qenë duke biseduar prej kohësh. “Pikë e diskutimit ishte edhe bashkimi i madh për të cilin po flasim”, tha Abdixhiku.

Ai bëri të ditur se është informuar dhe është dakorduar me kryesinë për formalizimin e bashkëpunimit me Vjosa Osmani, duke synuar një garë të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme.

Lajmi i plotë >>>

05/05/2026 20:25- KQZ kufizon shpenzimet e subjekteve politike për fushatë, një euro për çdo votues

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka kufizuar shpenzimet e subjekteve politike për fushatën e zgjedhjeve të 7 qershorit.

Secili subjekt politik që garon në këto zgjedhje, ka të drejtë të shpenzojë nga një euro për votues, apo mbi dy milionë euro.

Kështu u vendos në mbledhjen e sotme të KQZ-së, ku mes tjerash është votuar edhe lista preliminare e numrit të votuesve por edhe qendrave të votimit jashtë Kosovës.

Lajmi i plotë >>>

05/05/2026 17:38- Haxhiu fton BE-në të dërgojë mision vëzhgues për zgjedhjet e 7 qershorit

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, i ka dërguar letër zyrtare udhëheqësve të Bashkimit Evropian, duke kërkuar dërgimin e Misionit Vëzhgues për zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit 2026.

Në letrën drejtuar Presidentes së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola, dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, Haxhiu ka theksuar rëndësinë e pranisë së vëzhguesve ndërkombëtarë në këtë proces zgjedhor.

Lajmi i plotë >>>

05/05/2026 15:49-DnV: Rregullorja e re e KQZ-së për vëzhduesit kufizon vëzhgimin e pavarur të zgjedhjeve


Koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim” vlerëson se Rregullorja Zgjedhore Nr. 04/2026 për Vëzhguesit e Zgjedhjeve, e miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 29 prill 2026, përmban dispozita që tejkalojnë kornizën e përcaktuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme dhe që cenojnë drejtpërdrejt mënyrën e ushtrimit të vëzhgimit të zgjedhjeve nga organizatat e shoqërisë civile.

Ndryshe nga rregullativa paraprake, që akreditimin e organizatave vëzhguese e bazonte në verifikim formal të kërkesave ligjore, më rregulloren e re procesi kthehet në mekanizëm kufizues, pengues dhe kontrolli ndaj shoqërisë civile në vëzhgim të zgjedhjeve. Kjo rregullativë nuk buron nga ligji, dhe si e tillë cenon lirinë e asociimit dhe parimin e sigurisë juridike të organizatave. Për më keq, vetë procesi i hartimit dhe miratimit të kësaj rregulloreje është zhvilluar pa asnjë konsultim paraprak me organizatat e shoqërisë civile dhe pa asnjë njoftim publik.

Konkretisht, rregullorja përmban dispozita [Neni 3.6] që kundërligjshëm i japin mandat KQZ-së që të refuzojë akreditimin e një organizate vëzhguese mbi bazën e “të dhënave nga institucionet kompetente për rrezik ndaj rendit juridik dhe kushtetues”. Kjo përgjegjësi nuk është në mandatin e KQZ-së, pasi që vetëm gjykatat kanë kompetencë për të vendosur për situata të tilla.

05/05/2026 14:44-KQZ miraton specifikat për fletëvotime, mbi 1.8 milion do të shtypen për zgjedhjet e 7 qershorit

KQZ mori vendim për miratimin e kërkesave dhe specifikimeve teknike për shtypjen e fletëvotimeve, broshurave të kandidatëve dhe listave votuesve për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

Sipas vendimit të KQZ-së, numri i përafërt i fletëvotimeve që do të shtypen është rreth 1,840,000 copë, ndërkaq numri i saktë i tyre do të vendoset nga KQZ në një fazë të mëvonshme të procesit zgjedhor.

Bazuar në të dhënat e raportit të Listës Preliminare të Votuesve, numri i qytetarëve me të drejtë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, është: 2,092,202 votues.

05/05/2026 14:18-PSD kërkon nënshkrime nga qytetarët për të marrë pjesë në zgjedhje, Molliqaj: Po garojmë për të qenë opozitë


Partia Socialdemokrate (PSD) ka nisur një iniciativë për të mbledhur nënshkrimet nga qytetarët.

Me mbledhjen e këtyre nënshkrimeve ata po kërkojnë pjesëmarrjen e këtij subjekti në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 7 qershor.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se kjo iniciativë nuk është mbështetje për votë, por për të qenë pjesë e garës në zgjedhje.

Ai, ka thënë se në këto zgjedhje do të garojnë për të qenë opozitë.

05/05/2026 14:02- Vazhdon periudha për partitë politike për njoftim të pjesëmarrjes dhe deklarim të koalicioneve zgjedhore


Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton se janë duke vazhduar afatet e ndryshme të aktiviteteve zgjedhore për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

KQZ njofton të gjitha partitë politike të regjistruara në Republikën e Kosovës se gjatë afatit 7-ditor, i cili ka filluar më 1 maj dhe do të përfundojë më 7 maj 2026, duhet ta njoftojnë KQZ-në, respektivisht Zyrën për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike, për pjesëmarrje në zgjedhje; mospjesëmarrje në zgjedhje dhe formim të koalicioneve.

Këto obligime vlejnë vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë pjesë e regjistrimit të partive politike të regjistruara në Republikën e Kosovës.

04/05/2026 10:43- Osmani nis fushatën, zyrtarizon Fahrije Hotin si kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka bërë të ditur se Fahrije Hoti do t’i bashkohet rrugëtimit politik dhe do të jetë kandidate për deputete në Kuvendin e Kosovës.

Në një reagim publik, Osmani e ka vlerësuar Hotin si një figurë të fuqishme dhe simbol të qëndresës, duke e quajtur “një heroinë e gjallë” që përfaqëson punën, integritetin dhe dinjitetin.

Lajmi i plotë >>>

04/05/2026 09:41- “S’është lodhje, është zhgënjim” – Molliqaj për zgjedhjet në Kosovë

Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka deklaruar se perceptimi se qytetarët janë lodhur nga zgjedhjet e shpeshta nuk është i saktë, duke theksuar se problemi real është mungesa e besimit dhe frymëzimit politik.

Në “Përballje Podcast”, Molliqaj tha se pjesëmarrja në zgjedhje nuk lidhet me lodhjen fizike, por me zhgënjimin ndaj skenës politike.

Lajmi i plotë >>>

04/05/2026 07:41- Gara politike në zgjedhjet e qershorit, a kanë gjasa partitë e reja ta kalojnë pragun?

Të gjitha partitë politike të regjistruara në Kosovë, janë të obliguara që në një afat prej 7 ditësh, pra nga 1 maji deri më 7 maj, të njoftojnë KQZ-në, për pjesëmarrje ose mospjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Ky obligim vlen vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë të regjistruara si parti politike në Kosovë, pra jo edhe për subjektet politike që duan të marrin pjesë në zgjedhje si nisma qytetare apo kandidatë të pavarur.

Subjektet e reja politike qe duan të jenë pjesë e këtyre zgjedhje, afati për certifikim është nga data 2 deri me 10 maj. Kurse dorëzimi i listës së kandidateve deri me 12 maj.

Lajmi i plotë >>>

03/05/2026 10:08- Në koalicion apo të vetme, partitë kanë afat deri më 7 maj të njoftojnë KQZ-në

Të gjitha partitë politike që aktualisht janë të regjistruara në Kosovë, janë obliguar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që ta njoftojnë këtë institucion për pjesëmarrje apo mospjesëmarrje në zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor 2026.

Deri më 7 maj, partitë politike janë të obliguara që ta njoftojnë KQZ-në në rast se duan të marrin pjesë në këto zgjedhje përmes koalicionit.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka shpjeguar për KosovaPress, se njoftimi i pjesëmarrjes apo mospjesëmarrjes në zgjedhje është obligim vetëm për 53 partitë politike që aktualisht janë të regjistruara dhe aktive në Kosovë.

Lajmi i plotë >>>

02/05/2026 22:04- DASH: Bllokimi i vazhdueshëm politik dëmton besimin në institucionet e Kosovës

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndjekin nga afër zhvillimet e fundit në Kosovë, ndërsa shprehin shqetësim për vazhdimin e bllokadës politike në vend.

Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se “bllokimi i vazhdueshëm politik dëmton besimin në institucionet e Kosovës”.

“Ne po i ndjekim nga afër zhvillimet. Do të donim t’i shihnim të gjitha grupet politike të bashkëpunojnë për interesat më të mira të popullit të Kosovës”, tha zëdhënësi.

Lajmi i plotë >>>

02/05/2026 09:28- Nis periudha për certifikim të partive të reja dhe dorëzim të listës së kandidatëve për deputetë

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën të ditur se sot më 2 maj nis afati për aplikim për certifikim të partive të reja, por edhe dorëzimi i listë së kandidatëve për deputetë.

Bazuar në planin e aktiviteteve të miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve afati për partitë e reja është deri më 10 maj, ndërsa ai për listat e kandidatëve përfundon më 12 maj.

Ndryshe, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar planin e aktiviteteve dhe buxhetin për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor.

01/05/2026 17:44- Të mërkurën fillon afati për regjistrimin e votuesve të diasporës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 41-të në këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi.

KQZ gjithashtu vendosi që afati për aplikimin dhe regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës fillon të mërkurën me 6 maj dhe zgjat 12 ditë.

Lajmi i plotë>>>

01/05/2026 14:35- Fushata zgjedhore nis nga 28 maji, organizimi i zgjedhjeve do të kushtojë mbi 10 milionë euro

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar planin e aktiviteteve dhe buxhetin për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat do të mbahen më 7 qershor.

Sipas këtij institucioni, fushata zgjedhore pritet të nisë më 28 maj, ndërsa kostoja e përgjithshme e organizimit të zgjedhjeve kap vlerën prej 10.8 milionë euro.

Ky plan u miratua me 10 vota për dhe asnjë kundër.

Violeta Salihu tha se sekretariati i KQZ-së ka përgatitur planin e buxhetit për zgjedhjet e parakohshme, bazuar në kërkesat e njësive përkatëse, ku shuma totale e buxhetit të planifikuar arrin shumën 10 milionë e 887.186 euro.

Sipas saj, nga ky buxhet shkojnë paga dhe shtesa shuma 221 mijë euro, mallra dhe shërbime 10 milionë e 621 mijë euro, shpenzime komunale 32 mijë euro dhe pasuritë jo financiarë-kapitale, 13 mijë euro. /Telegrafi/

01/05/2026 08:21- Rama: Albin Kurti lufton për pushtet, e jo për shtet

Foto: Arkiv

Kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka kritikuar kryeministrin në detyrë, Albin Kurti për shkuarjen në zgjedhje të parakohshme.

Rama deklaroi se Kurti nuk do të qeverisë, por vetëm lufton për pushtet, e jo për shtet. Sipas tij, kryeministri në detyrë Albin Kurti i përdor qytetarët për pushtet.

“Po gjithsesi, gjithsesi unë e kam thënë këtë qysh në janar. Kjo është një lojë politike e padrejtë e Albin Kurtit. Domethënë ai nuk do me qeverisë, domethënë ai do derisa ai është në pozitë, pra vetëm e ka pushtetin, lufton për pushtet, jo për shtet, jo për qytetarë. Pra i përdor qytetarët për pushtet. Pra na flet pallavra, na flet të pavërteta, edhe vazhdon me mbajt pushtet, edhe vazhdon me kriju këtë bllokadë të qeverisë qysh e ka blloku vitin e kaluar rreth më shumë se një vit, tash vazhdon me blloku prapë me zgjedhje të panevojshme, po them, të cilat vetë, vetë i ka kriju. Pra ka mund me gjetë zgjidhje, ka pas 51% të votës së qytetarëve. Pra, i shfrytëzon qytetarët për me mbajt pushtet. Nuk e shfrytëzon pushtetin për me i ndihmu qytetarët”, tha Rama për EO. /Telegrafi/

30/04/2026 16:23- Zyrtare: Zgjedhjet e parakohshme mbahen me 7 qershor

Zyrtare: Zgjedhjet e parakohshme mbahen me 7 qershor

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, në konferencë për media pas takimit me përfaqësues të partive politike, ka njoftuar se zgjedhjet do të mbahen më 7 qershor, raporton Ekonomia Online.

Ajo tha se në takim ishin të ftuara 17 parti politike, ndërkaq 15 prej tyre ishin prezente.

“Ndërsa sot, bazuar në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme, para pak kohësh përfundova takimin me drejtues e përfaqësues të subjekteve politike. Pra, në këtë takim ishin të ftuara 17 parti politike; të pranishme ishin 15 prej tyre. Dëgjova propozimet e partive politike për datën e zgjedhjeve. Pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në këtë proces, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës të mbahen më 7 qershor”, tha ajo.

Lajmi i plotë>>>

30/04/2026 15:50- Kandidatura për kryeministër nga AAK, Gjini: Vendimi merret nga këshilli drejtues

Nënkryetari i AAK-së, Ardian Gjini ka folur lidhur me nominimin e tij si kandidat për kryeministër nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke theksuar se vendimi përfundimtar ende nuk është marrë.

Gjini ka bërë të ditur se, ndonëse është propozuar për këtë post, gjithçka do të vendoset nga organet drejtuese të partisë.

Lajmi i plotë >>>

30/04/2026 15:49- Partitë opozitare: Pati dakordim që 7 qershori të jetë data për mbajtjen e zgjedhjeve

Pas takimit konsultativ me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, për caktimin e datës së zgjedhjeve, partitë opozitare u shprehen se kishte dakordancë se zgjedhjet të mbahen më 7 qershor.

Lajmi i plotë >>>

30/04/2026 14:33- Ardian Gjini do të jetë kandidat i AAK-së për kryeministër

Kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini do të jetë kandidat për kryeministër dhe bartës i listës së AAK-së në zgjedhjet e ardhshme.

Kështu ka konfirmuar për Telegrafin nënkryetari i kësaj partie, Pal Lekaj.

Lajmi i plotë >>>

30/04/2026 14:31- Pa president, në zgjedhje të reja - çfarë paralajmërojnë analistët për rezultatin dhe daljen nga kriza?

Kriza politike e shkaktuar nga dështimi për zgjedhjen e presidentit ka futur vendin në një cikël të ri zgjedhor, duke hapur debat mbi përgjegjësinë politike dhe pasojat për stabilitetin institucional.

Njohës të zhvillimeve politike vlerësojnë se mungesa e konsensusit jo vetëm që thelloi ngërçin, por rrezikon të prodhojë pasiguri të re edhe pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Lajmi i plotë >>>

30/04/2026 07:13- Data e zgjedhjeve, Haxhiu takon sot partitë politike

Presidentja e vendit, Albulena Haxhiu pret sot në takim konsultativ partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Takimi mbahet në ora 15:00.

Lajmi i plotë këtu:

29/04/2026 21:22- Avdyli: Shumica në LVV ishin pro Osmanit – e luta Kurtin ta propozojë për presidente, por s’më dëgjoi

Deputeti nga Grupi Parlamentar i LVV-së, Haxhi Avdyli, ka deklaruar se brenda GUXO-s ministrja Donika Gërvalla nuk ka pasur mbështetje të qartë për Vjosa Osmanin për presidente.

Sipas tij, ai nuk ka dëgjuar asnjëherë që Gërvalla ta ketë mbështetur publikisht apo në mbledhje kandidaturën e Osmanit.

Lajmi i plotë >>>

29/04/2026 20:32- KQZ në pritje të datës së zgjedhjeve, Elezi: Organizimi do të bëhet në afate të shkurtra

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të vendimit për caktimin zyrtar të datës së zgjedhjeve, ka bërë të ditur zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.

Në një deklarim në emisionin FIVE, Elezi tha se organizimi i procesit zgjedhor do të realizohet brenda afateve të shkurtra kohore, duke theksuar se KQZ do të veprojë menjëherë pas vendimit për shpalljen e datës.

Sipas tij, një nga hapat e parë do të jetë rishikimi dhe përshtatja e afateve të aktiviteteve zgjedhore, në varësi të kohës në dispozicion deri në ditën e votimit.

Lajmin e plotë>>>

29/04/2026 18:58- Haxhiu takon të enjten krerët e partive politike për të caktuar datën e zgjedhjeve

Haxhiu takon të enjten krerët e partive politike për të caktuar datën e zgjedhjeve

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka thirrur në takim për të enjten, më 30.04,2026, përfaqësuesit e partive politike për të diskutuar për caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Sipas njoftimit, takimi do të zhvillohet në ora 15:00 në objektin e Kuvendit të Kosovës.

Lajmi i plotë>>>

29/04/2026 15:27- KQZ propozon 7 qershorin për zgjedhjet e parakohshme

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se përgatitjet për zgjedhje kërkojnë kohë dhe se procesi nuk është i lehtë, duke theksuar se data më e mundshme për mbajtjen e tyre është 7 qershori.

Pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, Radoniqi tha se ende nuk është diskutuar çështja e buxhetit për zgjedhjet në KQZ.

Lajmi i plotë>>>

29/04/2026 13:49- Haradinaj: Mbrëmë u përmbys autokrati Albin Kurti, ka fituar Kushtetuta dhe ligji

Pas zhvillimeve të fundit politike në vend, ka reaguar kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili u shpreh se ka triumfuar Kushtetuta dhe rendi ligjor ndaj asaj që ai e cilëson si qasje populiste të kryeministrit Albin Kurti.

“Mbrëmë ka fituar Kushtetuta dhe ligji përballë populistit Albin Kurti”, thuhet në deklaratën e Haradinajt.

Lajmi i plotë>>>

29/04/2026 13:32- KQZ në pritje të vendimit për caktimin e datës për zgjedhje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është në pritje të vendimit për caktimin zyrtar të datës për mbajtjen e zgjedhjeve të radhës.

Kështu tha zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, duke shtuar se meqenëse këto janë zgjedhje të parakohshme, organizimi i tyre bëhet me afate të shkurtëra kohore dhe një nga vendimet e para të KQZ-së për këtë proces zgjedhor do të jetë ndryshimi i afateve kohore të aktiviteteve zgjedhore apo përshtatja e tyre sipas nevojës dhe në pajtim me rrathanat.

“Ligji për Zgjedhjet e Përgjithshme ia jep të drejtën KQZ-së që afatet kohore të aktiviteteve zgjedhore të përshtaten me ditët në dispozicion të KQZ-së për organizimin e këtyre zgjedhjeve. Me planin e aktiviteteve, KQZ rregullon çështjet mbi të cilat ndërtohet i gjithë procesi zgjedhor dhe që kanë të bëjnë me votuesit, subjektet politike dhe vëzhguesit. Pra, këtu përcaktohen afati për partitë politike për të formuar koalicione dhe deklaruar mospjesëmarrjen në zgjedhje; afatin për subjektet politike për t’u certifikuar e për të dorëzuar listën e kanidatëve për deputetë; dhe periudhën e fushatës zgjedhore. Po ashtu, me anë të këtij plani, KQZ cakton edhe kohën për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës, votimin përmes postës dhe në përfaqësi diplomatike, si dhe regjistrimin e votuesve me nevoja të veçanta. Pjesë e këtij plani është edhe vendosja e afateve për akreditimin e vëzhguesve dhe mediave”, ka thënë Elezi.

29/04/2026 12:29- Kosova drejt zgjedhjeve të parakohshme, Baraliu tregon datat


Nga sot, Kosova hyn zyrtarisht në një proces të ri politik, pasi vendi shkon në zgjedhje të parakohshme.

Ky zhvillim vjen si pasojë e dështimit për zgjedhjen e presidentit brenda afateve të përcaktuara me Kushtetutë, duke aktivizuar automatikisht mekanizmat kushtetues për shpërndarjen e Kuvendit.

Analisti politik Mazllum Baraliu në një prononcim për Telegrafin e cilësoi këtë proces si automatik dhe të pashmangshëm.

"Data më optimale për përgatitje të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe nga qytetarët e nga partitë politike edhe për të pas pak më shumë hapësirë, mbase edhe për fushatë është pikërisht qershori, fillimi i muajit qershor, më 7 qershor ose në maj", ka thënë Baraliu.

Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu:

29/04/2026 11:56- Nagavci fajëson opozitën për shkuarje në zgjedhje: Bllokuan çdo propozim

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka akuzuar opozitën për bllokim të proceseve politike dhe refuzim të vazhdueshëm të çdo propozimi të partisë së saj.

Ajo ka deklaruar se përpjekjet e LVV-së për të shmangur zgjedhjet e parakohshme kanë hasur në bllokadë të plotë nga partitë opozitare.

Lajmi i plotë>>>

29/04/2026 10:45- Dështimi për zgjedhjen e presidentit, reagon Osmani: Ka qenë një natë e rëndë për Kosovën - mjaft më

Pasi vendi po shkon sërish në zgjedhje të parakohshme, ka reaguar ish presidentja e vendit, Vjosa Osmani, përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetin social Facebook.

mesazhin e saj, Osmani e ka cilësuar situatën politike si një moment të vështirë për vendin, duke theksuar se nata e kaluar ka qenë e rëndë për Kosovën.

Ajo ka bërë thirrje për unitet dhe reflektim.

29/04/2026 10:04- Çitaku: Presioni qytetar e detyroi Albin Kurtin të tërhiqet nga përpjekja për zgjedhjen e presidentit

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku ka thënë se reagimi publik dhe presioni qytetar e detyruan Albin Kurti të tërhiqet nga përpjekja e tij për ta zgjedhur Presidentin në stil “karate” dhe për ta permbysur rendin kushtetues.

Çitaku përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se Kurti abuzoi me zyrën e presidentit.

“Po, edhe mbrëmë bëri aq sa mundi. Doli dhe abuzoi me zyrën e Presidentit. Albin, nga ajo sallë qytetarëve u drejtohet Presidentja apo Presidenti i zgjedhur. Jo Kryeministri dhe as kandidatja e shumicës”, ka shkruar ajo.

29/04/2026 08:57- Kosova pa president, kur pritet të mbahen zgjedhjet

Kuvendi i Kosovës nuk arriti të martën të zgjedh presidentin e Kosovës.

Në përfundim të seancës të së martës, kur ishte edhe afati i fundit për zgjedhjen e presidentit, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu tha se me moszgjedhjen e presidentit Kuvendi konsiderohet i shpërndarë.

“Kuvendi konsiderohet i shpërndarë dhe zgjedhjet do të shpallen brenda afatit kushtetues”, tha ajo.

Ndryshe, referuar afateve kushtetuese zgjedhjet duhet të mbahen më së largu 7 qershor, pasi me moszgjedhjen e presidentit vendi shkon automatikisht në zgjedhje brenda 45 ditësh.

29/04/2026 08:44- Abdixhiku: Po shkojmë në zgjedhje sepse pushteti kërkoi nënshtrim

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku ka thënë se vendi shkoi në zgjedhje pasi, siç tha ai, “pushteti me 51% kërkoi nënshtrim”.

Kosova do të shkojë në zgjedhje të reja nacionale, diku në qershor, më së voni, pasi Kuvendi i Republikës, të martën, nuk arriti ta zgjedhë presidentin e ri brenda afatit kushtetues, që përfundoi në minutën e fundit të 28 prillit.

Sipas Abdixhikut, situata erdhi deri në këtë pikë meqë ish-presidenten Vjosa Osmani, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e pa vetëm si kuorum e jo si një presidente “dinjitoze”.

Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu:

29/04/2026 07:46- Rushiti: Pranova kandidimin për presidente me bindjen se jam figurë unifikuese

Kandidatja për presidente, Feride Rushiti pasi përfundoi seanca e së martës ku nuk u arrit të zgjidhet presidenti theksoi se ka pranuar kandidaturën për presidente me bindjen se do të ndihmojë vendin të tejkalohej ngërçi politik.

Rushiti theksoi se ka pranuar të jetë kandidate po ashtu me bindjen se do të jetë ishte figurë unifikuese.

Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu:

29/04/2026 07:45- Kurti: Duhet të kemi opozitë të re, kjo është në rënie të lirë

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti ka kritikuar ashpër opozitën gjatë fjalimit të tij të fundit në Kuvendin e Kosovës, pak minuta para shpërndarjes së këtij institucioni, natën ndërmjet të martës e të mërkurës.

Ai tha se deputetët e pakicës duan zgjedhje, por jo përgjegjësi e pushtet.

Për më tepër, numri një i ekzekutivit, që tashme merr statusin e qeverisë në detyrë, tha se vendit i duhet opozitë e re pasi e deritashmja, sipas tij, ishte në rënie të lirë.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KËTU:

28/04/2026 23:43- Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të zgjedh presidentin e ri të vendit, kështu Kosova shkon në zgjedhje të parakohshme.

Gjatë ditës, përfaqësues të partive politike shkëmbyen akuza reciproke për përgjegjësinë e dështimit, me pushtetin që fajësoi opozitën për mungesë bashkëpunimi, ndërsa partitë opozitare akuzuan qeverinë për keqmenaxhim të procesit dhe tentativa për ta përdorur krizën për kalkulime elektorale.

Pas dështimit për zgjedhjen e presidentit, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 45 ditësh, sipas afateve kushtetuese.

28/04/2026 23:06- Nis seanca e Kuvendit për herë të fundit

Ka nisur seanca e Kuvendit për tentimin e fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës.

Në sallë ndodhen vetëm deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Opozita, kategorikisht ka refuzuar të marrë pjesë në seancë.

Edhe pozita dhe opozita kanë shkëmbyer më herët akuza ndaj njëra-tjetrës, duke hedhur fajin për shkuarje në zgjedhje.

28/04/2026 22:50- Lushaku për propozimin e Kurtit: Janë drama të momenteve të fund

Lushaku për propozimin e Kurtit: Janë drama të momenteve të fundit

Shefja e grupit parlamentar të LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu ka thënë se kjo parti ka ofruar 15 nënshkrime për kandidatin e LDK-së, dhe shtoi se partia e saj nga fillimi ka kërkuar marrëveshje ose konsensus për zgjedhjen e presidentit.

Ajo, ka deklaruar se nuk mund t’ia japin votat dikujt që i kap të gjitha institucionet.

Lajmi i plotë>>>

28/04/2026 22:49- AAK akuzon Kurtin se po bart fajin për zgjedhje të reja: Kemi pasur kandidat serioz për president

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se qëllimi i tij nuk është zgjedhja e presidentit, por bartja e fajit te të tjerët për mundësinë e shkuarjes në zgjedhje të reja.

Në një konferencë për media në Kuvend, Tahiri tha se situata aktuale është përpjekje për të zhvendosur përgjegjësinë politike.

Lajmi i plotë >>>

28/04/2026 21:53- Tahiri: Kosova po përballet me sfidën më të madhe që nga pavarësia

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka deklaruar se vendi po përballet me një nga sfidat më të mëdha që nga shpallja e pavarësisë, duke e lidhur këtë situatë me zhvillimet rreth procesit të zgjedhjes së presidentit.

Në një deklarim për media, Tahiri kritikoi qasjen e kryeministrit Albin Kurti, duke e akuzuar për veprime jokushtetuese, mungesë të konsensusit dhe përdorim të gjuhës fyese ndaj opozitës.

Sipas tij, mënyra se si po zhvillohet procesi për zgjedhjen e presidentit është shqetësuese dhe paraqet rrezik për rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Lajmi i plotë >>>

28/04/2026 21:13- Kurti: Nuk kam probleme me Osmanin e askënd nga LDK, por s’mund ta di si votojnë deputetët e LVV-së

Kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti në një konferencë për media është pyetur nëse ka ndonjë problem me Vjosa Osmanin si kandidate për presidente.

Ai tha se nuk ka asnjë problem me asnjë kandidatë që vjen nga LDK por nuk garanton për 66 votat e deputetëve të LVV.

“Ata (LDK) vetëm le të sjellin 15 apo 14 nënshkrime. Ne ua plotësojmë atë që iu nevojitet. Por unë nuk jam ai person që mund të shohë çfarë ka edhe brenda kutive. Unë nuk e kam ditur mbrëmë sa vota do të ketë Feride Rushiti. Një votë ishte e pavlefshme dhe 63 pro. Unë nuk mund ta di se si votojnë deputetët (e LVV)”.

Lajmi i plotë>>>>

28/04/2026 21:08- Abdixhiku: Pse Vjosa Osmani po i pengon kaq shumë Albin Kurtit?

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku deklaroi se partia që ai udhëheqë nuk do të jetë siç u shpreh “pjesë e shou”-t për zgjedhjen e presidentit.

Ai pyeti pse Vjosa Osmani po i pengon kaq shumë Albin Kurtit.

“Ne i kemi 15 nënshkrime për kandidatin e LDK për të propozuar kandidatin duhet të merresh vesh me kandidatin tjetër se cili është kandidat dhe ai duhet të na tregoj se a i ka pas votat për Vjosa Osmanin me sa kuptova ai tha se i ka votat për ta bërë kundër kandidate të Ferides......(kjo pjese është pak më vonë) E çka nuk arrij me kuptua unë është pse po i pengon kaq shumë Vjosa Osmani Albin Kurtit e ndoshta Kurti nuk do ta zgjedh, por ja që jam i bindur që populli i Kosovës do ta zgjedh”, deklaroi ai.

Lajmi i plotë>>>

28/04/2026 20:39- Kurti: LDK të vijë me 15 nënshkrime dhe emrin e kandidatit për president, dhe të hyjë në garë

Kurti: LDK të vijë me 15 nënshkrime dhe emrin e kandidatit për president, dhe të hyjë në garë

Kreu i LVV-së, Albin Kurti, tha se ka biseduar me kandidaten Hatixhe Hoxha dhe ajo ka shprehur gatishmëri të tërhiqet nga gara, nëse LDK-ja sjell 15 nënshkrime dhe emrin e kandidatit të saj për president.

“Kam komunikuar menjëherë me kandidaten Hatixhe Hoxha dhe kam biseduar me të dhe ajo është dakorduar të tërhiqet nga kandidatura, nëse LDK i sjell 15 nënshkrime për kandidaten e saj, kushdo që është. LVV ia plotëson edhe 15 nënshkrime të tjera nga mazhoranca dhe në këtë mënyrë do ta kishim një kandidat nga shoqëria civile dhe një nga LDK dhe sonte le ta zgjedhim presidentin apo presidenten”, tha Kurti gjatë një adresimi për media në Kuvendin e Kosovës.

Lajmi i plotë>>>

28/04/2026 19:46- Seanca për Presidentin shtyhet në ora 23:00

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka shtyrë sërish seancën për presidentin.

Seanca është shtyrë për në orën 23:00, në përpjekjen e fundit për t’i dhënë vendit president ose shkuarje në zgjedhje të reja.

Lajmi i plotë >>>>

28/04/2026 19:34- Abdixhiku: Seanca show njëpartiak, Kurti dëshiron shtyrjen e datës së zgjedhjeve

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku është deklaruar se nuk marrin pjesë në seancën e thirrur për çështjen e presidentit.

Ai u shpreh se këtë e konsiderojnë një “show njëpartiak”, që sipas tij, nuk i shërben interesave të vendit.

Lajmi i plotë >>>

28/04/2026 19:33- Haradinaj: Si AAK na përjashtuan nga bashkëpunimi për presidentin e ri

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë të ditur se deputetët e partisë së tij nuk do të marrin pjesë në seancën e jashtëzakonshme për çështjen e presidentit e cila pritet të nis në orën 19:00.

Haradinaj para gazetarëve deklaroi se si parti janë përjashtuar prej bashkëpunimit për të gjetur zgjidhje në këtë drejtim.

Lajmi i plotë >>>>

28/04/2026 18:56- Haziri-Kurtit për dyshimet e nënshkrimeve: E kemi bërë të qartë se Osmani mund të jetë kandidate

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri i është kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti, i cili pati dyshime për nënshkrimet e LDK-së për president.

Kurti tha në një konferencë për media se LDK-ja mbrëmë (e hënë, 27 prill) prezantoi një dokument me 15 nënshkrime të grupit të tyre parlamentar, i cili, sipas tij, mbante datën 25 prill dhe nuk tregonte se për çka janë ato nënshkrime.

E Haziri, tha se nënshkrimet janë dhënë për çështjen e presidentit, duke mos specifikuar se a kanë qenë për ndonjë emër të përveçëm apo jo.

Lajmi i plotë>>>

28/04/2026 18:29- PDK paralajmëron masa nëse LVV procedon zgjedhjen e presidentit në mënyrë antikushtetuese

Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar reagim politik, institucional dhe qytetar nëse sonte procedohet me zgjedhjen e presidentit, të cilën e cilëson në kundërshtim me Kushtetutën.

Pas mbledhjes së Kryesisë, PDK njoftoi se ka zhvilluar takim edhe me kryetarët e degëve të partisë, ku është diskutuar situata politike dhe hapat e mëtejmë.

Sipas njoftimit për media, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se partia do të kundërshtojë çdo veprim të pushtetit që, sipas tij, bie ndesh me rendin kushtetues dhe juridik.

Lajmi i plotë>>>>

28/04/2026 16:59- Kurti: E turpshme mungesa e mbështetjes nga opozita për Feride Rushitin, deri dje mburreshin me të në postime

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se procesi për zgjedhjen e Presidentit po pengohet nga mungesa e bashkëpunimit të opozitës dhe bojkotimi i seancave në Kuvend.

Në një konferencë për media, ai ka folur edhe për kandidaturat e propozuara për këtë pozitë.

“Si kandidate nxorëm dy gra profesoreshën Hatixhe Hoxha dhe doktoreshën Feride Rushiti”, ka thënë Kurti.

Ai ka kritikuar opozitën për, siç tha, qëndrime kontradiktore ndaj kandidateve.

Lajmi i plotë>>>

28/04/2026 16:49- Kurti: Veprimet e opozitës janë anti-institucionaliste, synojnë bllokimin e qeverisë

Kryeministri dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka deklaruar se veprimet e opozitës janë anti-institucionale dhe se, sipas tij, synimi i saj është vetëm bllokimi i qeverisë.

Në një konferencë për media, Kurti tha se kjo sjellje e opozitës përbën “mosnjohje të rezultatit zgjedhor”.

“Opozita ka qëllim vetëm bllokimin e qeverisë sonë. Kjo nuk mund të quhet ndryshe pos mosnjohje e rezultatit zgjedhor”, u shpreh ai.

Lajmi i plotë>>>

28/04/2026 16:31- PDK: Po rrezikohet rendi kushtetues, do të kundërshtojmë çdo përpjekje për zgjedhje të njëanshme të presidentit

PDK: Po rrezikohet rendi kushtetues, do të kundërshtojmë çdo përpjekje për zgjedhje të njëanshme të presidentit

Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas mbledhjes së Kryesisë, duke kundërshtuar ashpër, siç tha, përpjekjet për zgjedhjen e presidentit në mënyrë të njëanshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se veprime të tilla përbëjnë cenim të rendit kushtetues dhe mund ta çojnë vendin drejt, siç u shpreh ai, “anarkisë politike” me pasoja për stabilitetin institucional.

Lajmi i plotë>>>

28/04/2026 14:50- Haxhiu shtyn sërish seancën për Presidentin, vazhdon në orën 19:00

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar për një tjetër shtyrje të seancës për zgjedhjen e Presidentit, për shkak të mungesës së opozitës.

Ajo tha se përkundër përpjekjeve për të siguruar pjesëmarrjen e deputetëve opozitarë, ata nuk kanë qenë të pranishëm në sallë.

“Në këto rrethana për shkak të mungesës së opozitës dhe gjithnjë duke u përpjekur që t’i kemi ata në seancë, unë po ju njoftoj që kjo seancë vazhdon sot në orën 19:00”, ka deklaruar Haxhiu.

28/04/2026 14:45- Haxhiu kritikon mungesën e opozitës: Të ndalen presionet ndaj kandidateve për presidente

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka nisur vazhdimin e seancës për zgjedhjen e presidentit, e cila u shty për në orën 14:00.

“Po vazhdojmë seancën që kemi nisur dje për zgjedhjen e presidentit të Kuvendit. Edhe përkundër faktit që edhe dje edhe sot u kam bërë thirrje deputetëve që të jenë të pranishëm në seancë dhe të ushtrojnë detyrat e tyre kushtetuese, siç po e shihni deputetët nga partitë opozitare nuk janë të pranishëm”, ka thënë Haxhiu.

Lajmi i plotë>>>

28/04/2026 14:28- Vonohet nisja e seancës së shtyrë për në orën 14:00

Ka vonesa në fillimin e seancës për zgjedhjen e Presidentit, e cila ishte shtyrë për në orën 14:00.

Edhe pse pritej rifillimi në këtë orar, seanca ende nuk ka nisur, duke shtuar paqartësitë rreth zhvillimit të mëtejshëm të procesit.

Deputetët e opozitës po mungojnë.

28/04/2026 14:26- Hamza: Zgjedhja e Presidentit me shkelje kushtetuese, rrezikon shtetin

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza ka reaguar ndaj zhvillimeve të fundit për zgjedhjen e Presidentit, duke i cilësuar ato si të rrezikshme për rendin demokratik dhe shtetin e së drejtës.

Në një deklaratë publike, ai ka theksuar se situata aktuale përbën kërcënim serioz për të ardhmen e vendit.

Lajmi i plotë>>>

28/04/2026 13:28- PDK i bën thirrje Rushitit të tërhiqet nga gara për Presidente

Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku ka kritikuar ashpër procesin për zgjedhjen e Presidentit, duke e cilësuar atë si të dëmshëm dhe në kundërshtim me rendin kushtetues.

Në një konferencë për media nga holli i Kuvendit, ajo shpalosi qëndrimet e PDK-së, duke i bërë thirrje partisë në pushtet të ndalë veprimet antikushtetuese.

Ajo i është drejtuar edhe kandidates për presidente Feride Rushitit, duke i kërkuar të tërhiqet nga gara.

Lajmi i plotë>>>

28/04/2026 11:29- "Situatë e rrezikshme", Haradinaj paralajmëron reagim qytetar për mbrojtjen e Kushtetutës

Deputeti dhe kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka kritikuar ashpër zhvillimet e fundit politike në vend, duke i cilësuar si shkelje të Kushtetutës dhe rrezik për funksionimin institucional të Kosovës.

Ai tha se situata aktuale për zgjedhjen e presidentit është e paprecedentë që nga paslufta.

Haradinaj ka përmendur edhe mundësinë e reagimit qytetar.

Lajmi i plotë>>>

28/04/2026 11:28- Mesazhi “karate” për presidentin, Bardiqi kërkon falje për keqkuptimin

Deputeti i LVV-së, Naim Bardiqi ka komentuar sërish mesazhin “karate” për zgjedhjen e Presidentit.

Ai pas shtyrjes së seancës për në orën 14:00, ka shprehur se mesazhi i publikuar ka qenë një bisedë mes miqsh dhe se ishte komunikim me sarkazëm.

Ai kërkoi falje nëse ka pasur keqkuptim qoftë për LVV-në, qytetarët dhe votuesit duke shtuar se nuk ka të bëjë asgjë ofenduese.

Lajmi i plotë>>>

28/04/2026 11:10- Seanca për presidentin shtyhet për në ora 14:00


Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu ka bërë të ditur se seanca për presidentin do të vazhdojë për në ora 14:00.

Haxhiu në një deklaratë në seancë ku të pranishëm ishin vetëm deputetët e pozitës tha se në këto rrethana të gjithë deputetët duhet të ndjehen të obliguar sipas Kushtetutës të marrin pjesë në seancat e kuvendit dhe t’i përkrahin procedurat që parashihen, por mbi të gjitha sipas saj është obligimi për njerëzit e Kosovës që i zgjodhën ata.

Ajo theksoi se aktgjykimi i Kushtetueses thotë se zgjedhja e presidentit është e një rëndësie të madhe dhe të gjithë deputetët duhet ta konsiderojnë si detyrë kushtetuese.

Haxhiu më tej njoftoi se lidhur me mungesën e deputetëve në Kuvend, e ka vetëm një njoftim nga deputetja Afërdita Hajrizi. Duke folur për rëndësinë e procesit dhe praninë e të gjithë deputetëve, Haxhiu tha se seanca për presidentin do të vazhdojë në ora 14:00.

28/04/2026 10:45- Kuvendi bosh, vonohet fillimi i seancës

Seanca e jashtëzakonshme për zgjedhjen e Presidentit, e caktuar të nisë sot në orën 10:00, nuk ka filluar ende.

Edhe pas më shumë se gjysmë ore nga ora e caktuar, në sallën e Kuvendit nuk është parë ende asnjë deputet.

Kujtojmë se afati për zgjedhjen e shefit të shtetit përfundon sonte në mesnatë.

28/04/2026 10:39- Kurti: Po bëjmë përpjekje maksimale për zgjedhjen e presidentit

Kryeministri Albin Kurti, është deklaruar para fillimit të seancës së Kuvendit. Kurti u shpreh se po bëhen përpjekje maksimale për zgjedhjen e Presidentit.

Ai ka theksuar se pjesëmarrja e opozitës në këtë proces është obligim kushtetues.

Lajmi i plotë>>>

28/04/2026 10:26- Berisha për Vjosa Osmanin: Me ditë që flaka i del nuk ka votë prej meje

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha ka kritikuar ashpër situatën në Kuvend para fillimit të seancës së sotme, duke thënë se procesi për zgjedhjen e Presidentit është i paqartë dhe pa rregull.

Ai gjithashtu ka kritikuar ashpër mënyrën e funksionimit të procesit dhe u shpreh se nuk ka votë për Vjosa Osmanin.

Lajmi i plotë>>>

28/04/2026 10:27- LDK nuk merr pjesë në seancën për presidentin

Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se nuk do të merr pjesë në seancën për presidentin që do të mbahet të martën.

Kështu ka bërë të ditur nga LDK për Telegrafin.

“Jo nuk do të marrim pjesë”, thanë shkurt nga LDK.

28/04/2026 09:56- Çitaku kritikon procesin për presidentin: Dy gra huazuan emrin për një maskaradë antikushtetuese

Deputetja e PDK-së, njëherit nënkryetarja e Kuvendit, Vlora Çitaku ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit lidhur me procesin e zgjedhjes së presidentit, duke akuzuar për shkelje të Kushtetutës dhe qasje të papërgjegjshme institucionale.

Në një reagim publik, ajo ka kritikuar mënyrën se si po zhvillohet procesi.

“Vetë ideja që, me vetëdije, i hyjnë një procesi për të zgjedhur personin që do të udhëheqë institucionin më të lartë në vend, duke shkelur me të dyja këmbët Kushtetutën, flet shumë për mentalitetin e Albin Kurti”, ka shkruar Çitaku.

Lajmi i plotë>>>

28/04/2026 09:50- GLPS: Votimi i presidentit pa kuorumin e nevojshëm është “shkelje flagrante” e Kushtetutës

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) ka reaguar pas seancës së mbrëmshme të Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit/es, duke shprehur “shqetësim serioz” për mënyrën si është zhvilluar procesi dhe duke vlerësuar se është vepruar në kundërshtim me Kushtetutën.

Lajmi i plotë>>>

28/04/2026 09:45- Jepni mendimin nëpërmjet votës

28/04/2026 08:53- IKD: Procesi për zgjedhjen e Presidentit po cenon rendin kushtetues


Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar sot lidhur me seancën e së hënës për presidentin, duke thënë se situata e krijuar në Kuvendin e Kosovës në përpjekjen për zgjedhjen e Presidentit përbën një cenim serioz të rendit kushtetues dhe të rregullave parlamentare.

IKD thekson se një proces që duhet të reflektojë standardet më të larta të ligjshmërisë dhe përgjegjësisë institucionale është karakterizuar nga një improvizim procedural dhe interpretim i gabuar i normave juridike, duke ngritur shqetësime të drejtpërdrejta për funksionimin e demokracisë.

“Së pari, mungesa e kuorumit për mbajtjen e seancës së jashtëzakonshme e bën të pavlefshëm vetë zhvillimin e procedurës. Kushtetuta kërkon praninë e së paku 80 deputetëve për nisjen e seancës dhe zhvillimin e dy raundeve të para të votimit, ndërkohë që në sallë kanë qenë vetëm 64 deputetë”, thuhet në reagim.

Lexoni lajmin e plotë këtu:

28/04/2026 07:27- Vazhdon sot seanca për Presidentin

Sot në ora 10:00 pritet të vazhdojë seanca për presidentin, seancë kjo që u ndërpre mbrëmë.

Lëvizja Vetëvendosje propozoi mbrëmë dy kandidate për presidente, Feride Rushitin dhe Hatixhe Hoxhën.

Në raundin e parë të votimit morën pjesë 64 deputetë, gjersa kandidatja Feride Rushiti mori 63 vota, ndërsa një votë rezultoi e pavlefshme.

Në seancë nuk morën pjesë partitë opozitare.

E marta shënon afatin e fundit për zgjedhjen e presidentit.

27/04/2026 23:26- “Grusht kushtetues” dhe shkelje ligjore, reagime pas zhvillimeve në Kuvend

Reagime të ashpra kanë pasuar pas tentativës së Lëvizjes Vetëvendosje për të proceduar me zgjedhjen e presidentit të vendit me vetëm 64 deputetë në sallën e Kuvendit, duke nxitur akuza për shkelje kushtetuese dhe cenim të rendit juridik.

Lajmi i plotë>>>>>

27/04/2026 23:24- “Është derdhur shumë gjak për Kushtetutën”, Hamza: Shkelja ndodhi sonte

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, e ka cilësuar si “puç kushtetues” atë që ndodhi sonte në seancën për zgjedhjen e presidentit, duke thënë se shkelja e Kushtetutës “veçse ka ndodhur”.

Hamza deklaroi se Kushtetuta është e qartë dhe se për konsumimin e raundit të parë duhet të jenë të pranishëm në sallë dhe të votojnë 80 deputetë.

Lajmi i plotë>>>

27/04/2026 23:07- Abdixhiku prezanton 15 nënshkrimet e LDK-së për Vjosa Osmanin

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka treguar nënshkrimet e tyre për kandidaten për presidente, Vjosa Osmani.

Lajmi i plotë>>>

27/04/2026 22:53- Seanca për Presidentin, LDK: LVV sonte inicoi përmbysjen e rendit kushtetues

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se “ka inicuar përmbysjen e rendit kushtetues” gjatë seancës së thirrur sonte për zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.

Në një komunikatë për media, LDK-ja ka thënë se nisja e procesit të votimit pa kuorum kushtetues “përbën sabotim të drejtpërdrejtë të Kushtetutës dhe vetë shtetit”.

Lajmi i plotë>>>

27/04/2026 22:30- Tahiri: Sonte në Kuvendin e Kosovës ndodhi puç kushtetues

Shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri, ka deklaruar se ajo që ka ndodhur sot është një “puç kushtetues”.

“Ajo që bëri Haxhi është një goditje e rëndë ndaj rendit kushtetues duke nisur një seancë me rregulla të përcaktuara, ku duhet 2/3 e votave për nisje të seancës së Kuvendit”, u shpreh Tahiri.

Lajmi i plotë >>>>

27/04/2026 22:00- Dështon seanca për zgjedhjen e presidentit

Në Kuvendin e Kosovës u mbajt raundi i parë i votimit për President, ndonëse në sallë nuk janë të pranishëm dy të tretat e deputetëve.

Në mesin e dy kandidateve të propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje, Feride Rushiti mori 63 vota ndërsa një votë u shpall e pavlefshme.

Në sallë të pranishëm janë 64 deputetë ndërsa opozita e ka bojkotuar seancën.

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu e mbylli seancën ndërsa tha se e njëjta do të vazhdojë nesër (e martë) e cila është edhe dita e fundit sipas aktgjykimi të Kushtetueses.

27/04/2026 21:51- Nis votimi për president, opozita nuk është prezente në sallë

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, njoftoi për nisjen e votimit për dy kandidatet për presidente të Kosovës: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.

Megjithatë, në sallë janë të pranishëm vetëm deputetët e shumicës parlamentare dhe ato të opozitës po i bojkotojnë punimet.

Në të tri rundet duhet të marrin pjesë 80 deputetë dhe me po dy të tretën e votave bëhet zgjedhja e presidentit në dy rundet e para. Në rundin e tretë kërkohen vetëm 61 vota – apo shumica e thjeshtë – që një kandidat të zgjidhet president.

27/04/2026 21:43-Gola: Vota ime shkon për Feride Rushitin, ajo ishte propozim i Kurtit

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e LVV-së, Ardian Gola, pak para nisjes së seancës, ka deklaruar se emri i Feride Rushitit për Presidente, ka qenë propozim i kryeministrit Albin Kurti.

Sipas Golës, Rushiti është favorite për t’u përkrahur në garën me Hatixhe Hoxhën.

Gola ka deklaruar se edhe vota e tij do të shkon për Feride Rushitin.

Lajmi i plotë>>>>

27/04/2026 21:08- Nis seanca, Haxhiu fton opozitën të vijë në sallën plenare

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ftoi deputetët opozitarë që të vijnë në sallë për seancën e zgjedhjes së presidentit.

Sipas saj, ata janë "nëpër zyrat e tyre" në Kuvendin e Kosovës.

27/04/2026 20:52- Çitaku: Ftesa për seancë na erdhi në 20:26, ndërsa seanca duhej të niste në 20:30 – kaq seriozë janë për Presidentin

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka reaguar lidhur me thirrjen e seancës për zgjedhjen e Presidentit, duke e quajtur të papërgjegjshëm mënyrën e organizimit.

Sipas saj, ftesa për seancë ka ardhur vetëm katër minuta para kohës së paraparë për fillimin e saj.

Lajmi i plotë>>>>

27/04/2026 20:45- Këto janë dy kandidatet e Vetëvendosjes për president

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar zyrtarisht se Grupi Parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje ka proceduar kërkesën për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Seanca është caktuar të mbahet sonte në orën 20:30, ndërsa në këtë proces janë propozuar dy kandidate nga radhët e grave për postin e presidentes.

Lëvizja Vetëvendosje ka bërë të ditur se për këtë pozitë janë zyrtarizuar Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha si dy kandidatura.


Hatixhe Hoxha është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje që nga viti 2010.

Ajo ka shërbyer si anëtare e Kryesisë dhe si anëtare e Kuvendit Komunal të Prishtinës në vitin 2017, si dhe ka qenë kandidate për deputete në zgjedhjet parlamentare të vitit 2017.

Aktualisht, ajo është anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të këtij subjekti politik.

Hoxha ka përfunduar studimet bazë dhe magjistraturën në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës, ndërsa është në përfundim të studimeve të doktoratës.

Ajo ka përvojë si ligjëruese në Universitetin e Prishtinës, si dhe ka punuar si mësimdhënëse, gazetare dhe lektore.

Feride Rushiti është një nga figurat më të njohura të shoqërisë civile në Kosovë dhe drejtoreshë ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT).

Që nga viti 1999, ajo ka udhëhequr punën për rehabilitimin e viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe për njohjen e statusit të tyre ligjor dhe institucional.

Rushiti është nderuar në vitin 2018 nga Departamenti Amerikan i Shtetit me çmimin “International Women of Courage”, për kontributin e saj në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe guximin në angazhimin e saj shumëvjeçar.

Feride Rushiti dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT) ishin nominuar për Çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025.

Ndërkohë, Haxhiu u ka bërë thirrje të gjithë deputetëve të Kuvendit që të marrin pjesë në seancë, duke theksuar se pjesëmarrja e tyre është obligim kushtetues.

27/04/2026 20:05- Vetëvendosje propozon dy kandidate për presidente: Rushiti dhe Hoxha

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka pranuar kërkesën e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për thirrjen e një seance të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit të vendit.

Sipas njoftimit, seanca e jashtëzakonshme do të mbahet sot në orën 20:30.

Në kuadër të kësaj kërkese, janë propozuar dy kandidatura për president: Feride Rushiti dhe Hatixhe Hoxha.

Haxhiu ka ftuar të gjithë deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës që të marrin pjesë në seancë, duke theksuar se pjesëmarrja e tyre është në përputhje me obligimet kushtetuese.

27/04/2026 19:50- Lushaku - LVV-së: A i keni 66 vota për propozimin tonë?

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Jehona Lushaku, ka kritikuar seancën e thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje për çështjen e presidentit, duke e cilësuar atë më shumë si një platformë partiake sesa një proces institucional.

Sipas saj, në këtë seancë nuk është trajtuar fare propozimi i LDK-së për zgjidhjen e çështjes së presidentit.

“Dy orë diskutime në një seancë që i ngjante më shumë një platforme partiake sesa një procesi institucional. Asnjë trajtim, asnjë fjalë, asnjë qëndrim për propozimin tonë: çështjen e vetme thelbësore, pra zgjidhjen konkrete për president”, ka thënë Lushaku.

Ajo ka ngritur pyetjen nëse Vetëvendosje i ka votat e nevojshme për propozimin e LDK-së.

“A i keni 66 vota për propozimin tonë?”, ka deklaruar ajo.

Lushaku theksoi se pa një përgjigje të qartë për këtë çështje, çdo diskutim tjetër, sipas saj, mbetet i paplotë dhe i pamjaftueshëm për zgjidhjen e situatës institucionale.

Ajo e ka cilësuar debatin në Kuvend si “shou propagandistik”.

27/04/2026 19:10- Konjufca dhe Mulhaxha tërheqin kandidaturën për president

Glauk Konjufca, Zëvendëskryeministër aktual dhe i propozuar aktual për president është tërhequr zyrtarisht nga kandidatura.

Tërheqjen e bëri publike edhe deputetja e LVV-së, Fatmire Kollçaku, kandidatja e dytë e propozuar për presidente nga LVV-ja.

Pas tërheqjes së dy kandidaturave, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e mbylli seancën e jashtëzakonshme.

27/04/2026 19:06- Cakolli: Afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit përfundon nesër në mesnatë

Hulumtuesi i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Eugen Cakolli, ka sqaruar se afati kushtetues për zgjedhjen e presidentit nuk përfundon sonte, por nesër në mesnatë.

Sipas tij, afati 34-ditor i përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese përfundon të nesërmen, duke u bazuar në mënyrën e llogaritjes së afateve kushtetuese dhe rregullave të punës së Gjykatës.

Cakolli ka theksuar se, sipas Rregullës 29(1b), kur afatet shprehen në ditë, ato fillojnë të llogariten nga dita pasuese e ngjarjes përkatëse.

Ai ka shpjeguar se meqë aktgjykimi ka hyrë në fuqi më 25 mars, afati ka nisur të rrjedhë nga 26 marsi, ndërsa dita e 34-të përmbyllet nesër në mesnatë.

Sipas këtij interpretimi, hapësira kushtetuese për përmbylljen e procesit të zgjedhjes së presidentit mbetet e hapur edhe për një ditë.

27/04/2026 19:04- Konjufca akuzon opozitën se përmes presidentit dëshiron ta rrëzojë Qeverinë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Glauk Konjufca, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit ka deklaruar se përmes çështjes së presidentit, opozita po synon rrëzimin e Qeverisë.

Ai tha se partitë opozitare janë të vetëdijshme se nuk mund ta përmbysin rezultatin e zgjedhjeve të 28 dhjetorit dhe as të sigurojnë shumicën prej 50 për qind në zgjedhje të parakohshme.

Sipas Konjufcës, situata aktuale tregon se opozita, siç u shpreh ai, mund të ketë mundësi për të zgjedhur presidentin, por nuk po dëshiron ta bëjë këtë.

“Kjo Qeveri po synon të rrëzohet më president. Në çdo fazë që po kalojmë, përshkrimet e sakta janë ato që më së shumti na ndihmojnë. Tash jemi në situatën kur munden të kenë president dhe nuk duan të kenë president”, tha Konjufca.

Ai shtoi se, sipas tij, partitë opozitare nuk besojnë në mundësinë e ndryshimit të rezultatit zgjedhor në zgjedhje të reja.

“Pyetja është a presin që LVV-ja të ketë 13 apo 17 për qind dhe ata 50 për qind? Unë nuk besoj që ata vetë e besojnë këtë. Ata e dinë saktë se çka ndodh”, deklaroi ai.

Konjufca theksoi se, sipas tij, arsyeja e vetme e kësaj qasjeje është “hizlizmi politik”, duke shtuar se pasojat e tij për shtetin e Kosovës, siç tha ai, nuk mund të parashikohen me saktësi.

27/04/2026 19:02- Haxhiu: Bojkoti i opozitës e shtyn vendin drejt krizës, deputetët janë të obliguar të votojnë

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar në seancën e thirrur për zgjedhjen e presidentit se mungesa e opozitës po prodhon pasoja direkte dhe po e shtyn vendin drejt një krize të panevojshme politike.

Seanca po zhvillohet pa pjesëmarrjen e partive opozitare, të cilat e kanë bojkotuar procesin.

“Mungesa e opozitës është një veprim që prodhon pasoja direkte, bllokimin e një procedure kushtetuese dhe shtyrjen e vendit drejt një krize të panevojshme”, tha Haxhiu.

Ajo iu referua edhe aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se sipas tij deputetët janë të obliguar të jenë të pranishëm dhe të votojnë, përveç rasteve kur kanë leje të rregullt paraprake.

“Deputetët janë të obliguar që të jenë të pranishëm dhe të votojnë, përveç rasteve kur kanë marrë leje të rregullt paraprake”, shtoi ajo.

27/04/2026 19:00- Kurti në Kuvend: Afati kushtetues për presidentin po përfundon, dështimi çon në zgjedhje të reja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar në seancën e Kuvendit të thirrur për zgjedhjen e presidentit se ka pasur gatishmëri dhe interesim për gjetjen e një zgjidhjeje për këtë proces.

Ai ka folur për konceptin e kompromisit në demokraci, duke theksuar se ai duhet të bazohet në parime demokratike dhe jo në pazare politike për, siç u shpreh, “rehatimin e figurave politike”.

“Marrëveshja politike dhe kompromisi mes partive për koalicion qeverisës është gjëja më normale në demokraci. Por kompromisi duhet të jetë demokratik. Nuk është pazar që lidhet për të rehatuar figura politike”, tha Kurti.

Sipas tij, kompromisi i vërtetë ndërtohet mbi respektimin e vullnetit të qytetarëve dhe përgjegjësinë institucionale të partive politike.

“Kompro­misi i vërtetë ndërtohet mbi dy shtylla të panegociueshme: respektin për rezultatin e zgjedhjeve dhe përgjegjësinë institucionale që rrjedh nga mandati i marrë nga qytetarët”, u shpreh ai.

Kurti theksoi se rezultati i zgjedhjeve duhet të respektohet dhe jo të interpretohet si nënshtrim.

Sipas tij, termi “nënshtrim” është keqpërdorur nga opozita, e cila, siç tha ai, kompromisin e paraqet si nënshtrim të fituesit të zgjedhjeve.

“Rezultati i zgjedhjeve duhet të respektohet dhe respektimi i tij nuk është nënshtrim. Nëse ka nënshtrim, ai është ndaj verdiktit të qytetarëve”, tha Kurti.

Ai shtoi se kompromisi nënkupton marrëveshje që reflekton peshën elektorale të secilit subjekt politik dhe jo imponim politik.

27/04/2026 18:59- LVV insiston që opozita të bëjë të propozojë emra për president

Shefja e Grupit Parlamentar të LVV-së, Arbërie Nagavci, tha se partia e saj është e gatshme të japë nënshkrimet e nevojshme për tre kandidatë për president, sapo që emrat të propozohen nga PDK-ja dhe LDK-ja.

“Arsyeja e tre kandidatëve është që PDK dhe LDK të bëhen pjesë e procesit. Dhe, do të shmangeshin zgjedhjet e reja sepse do të merrnin pjesë në votim 80 deputetë”, tha ajo.

Nagavci tha se LVV tërheqë kandidatët e saj për president, por opozita duhet që paraprakisht të propozojë të paktën dy emra për president.

Ajo tha se pranuar asnjë nënshkrim nga LDK-ja për të propozuar ish-presidenten Vjosa Osmani për presidente.

E pyetur që të konfirmojë raportimet se LVV po bisedon me Bashkim Jasharin që ai të kandidohet për president, Nagavci tha:

“Nuk mund të konfirmoj informacionin që po qarkullon në media. Ajo që mund të konfirmoj është që si LVV kemi bërë propozime të njëpasnjëshme dhe i fundit ishte propozimi i tre kandidatëve”.

27/04/2026 18:58- PDK nuk merr pjesë në seancë, Hamza: Çështja e presidentit është temë e mbyllur

Kreu i PDK-së, Bedri Hamza, përsëriti qëndrimin se partia e tij ka përmbyllur kontributin për çështjen e presidentit.

Ai tha se të gjitha propozimet e bëra nga partia e tij “nuk janë marrë në konsideratë” nga LVV-ja.

“Ju uroj sukses në zgjedhjen e presidentit me 90 deputetët” e tjerë të Kuvendit, tha Hamza pas përfundimit të seancës së rregullt plenare.

I pyetur nëse do të votonte dikë nga familja e heroit të Kosovës, Adem Jashari, Hamza tha se në këtë drejtim qëndrimi i partisë nuk ka ndryshuar – teksa paraprakisht kishte shprehur mbështetje për ndonjë kandidat nga kjo familje.

E nëse LDK-ja e propozon ish-presidenten Vjosa Osmani, Hamza tha se ajo mund të zgjidhet me votat e LDK-së dhe LVV-së.

Hamza tha se me LVV-në diskutimet asnjëherë nuk kanë arritur deri te emrat e përveçëm.

Ai nuk tregoi nëse deputetët e partisë së tij do të marrin pjesë në seancën për presidentin.

27/04/2026 18:57- As AAK nuk merr pjesë në seancën për presidentin

Besnik Tahiri, shef i grupit parlamentar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se nuk do të marrin pjesë në seancën e Kuvendit të Kosovës për diskutim lidhur me zgjedhjen e presidentit.

Tahiri tha se diskutime serioze për presidentin ishin dashur të bëhen tash e tre muaj.

“AAK nuk ka qenë e ftuar në këto diskutime, nuk ka marrë pjesë dhe rrjedhimisht ne nuk marrim pjesë në një diskutim që sërish është një performancë publike”, tha Tahiri.

Ai shtoi se diskutimi i sotëm pritet të jetë "diskutim për të folur vetmëvete”, duke iu referuar partisë në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje.

27/04/2026 18:55- LDK nuk merr pjesë në seancën e Kuvendit për diskutim në lidhje me Presidentin

Abdixhiku, kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, u ka thënë mediave që si parti nuk do të marrin pjesë në seancën e thirrur të Kuvendit të Kosovës për “diskutim lidhur me zgjedhjen e Presidentit.

Seancën e paralajmëruar, Abdixhiku e ka quajtur “show propagandues i Vetëvendosjes ”.

Seanca është paralajmëruar se do të fillojë sot në orën 17, gjersa afati i fundit për zgjedhjen e një presidenti është nesër më 28 prill.

Në të kundërtën, Kosova do të shkojë në zgjedhje.

Edhe deputetja e LDK-së, Doarsa Kica Xhelili e ka quajtur këtë seancë "show", në një postim në Facebook duke thënë se për Presidentin "votohet e nuk diskutohet".