Dështimi për zgjedhjen e presidentit, vjen reagimi i Osmanit: Natë e rëndë për Kosovën

Pasi vendi po shkon sërish në zgjedhje të parakohshme, ka reaguar ish presidentja e vendit, Vjosa Osmani, përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetin social Facebook.
Në mesazhin e saj, Osmani e ka cilësuar situatën politike si një moment të vështirë për vendin, duke theksuar se nata e kaluar ka qenë e rëndë për Kosovën.
Ajo ka bërë thirrje për unitet dhe reflektim.
“Mbrëmë ka qenë një natë e rëndë për Kosovën, por ky popull ka ditur të ngritet edhe nga momentet shumë më të rënda. Prandaj ka ardh momenti që ta japim dashni dhe vetëm dashni për vendin tonë. Mjaft më me propagandë, mjaft më me urrejtje, mjaft më me përçarje, mjaft më me ndjellje të frikës, mjaft më. Aty ku ka urrejtje duhet të sjellim vetëm dashni për njëri tjetrin dhe për vendin tonë. Aty ku ka frikë duhet të sjellim shpresë, e aty ku ka propagandë e shpifje duhet ta mbrojmë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Ju ftoj që të bashkoheni në këtë mision sepse rrugët që mbyllen nga padrejtësitë gjithmonë hapen nga populli”, ka thënë Osmani. /Telegrafi/





















































