KQZ në pritje të datës së zgjedhjeve, Elezi: Organizimi do të bëhet në afate të shkurtra

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në pritje të vendimit për caktimin zyrtar të datës së zgjedhjeve, ka bërë të ditur zëdhënësi i këtij institucioni, Valmir Elezi.
Në një deklarim në emisionin FIVE, Elezi tha se organizimi i procesit zgjedhor do të realizohet brenda afateve të shkurtra kohore, duke theksuar se KQZ do të veprojë menjëherë pas vendimit për shpalljen e datës.
Sipas tij, një nga hapat e parë do të jetë rishikimi dhe përshtatja e afateve të aktiviteteve zgjedhore, në varësi të kohës në dispozicion deri në ditën e votimit.
“Aktualisht jemi në pritje të vendimit për caktimin zyrtar të datës për mbajtjen e zgjedhjeve. Organizimi i tyre do të bëhet në afate të shkurtra kohore dhe një nga vendimet e para që do të ndërmarrë KQZ, pasi të caktohet data, do të jetë ndryshimi i afateve kohore të aktiviteteve zgjedhore dhe përshtatja e tyre sipas nevojës”, tha Elezi.
Ai shtoi se të gjitha përgatitjet do të varen nga periudha në dispozicion nga momenti i shpalljes së zgjedhjeve deri në ditën e votimit.
Ndërkaq, ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, do të zhvillojë të enjten, më 30 prill, takim konsultativ me partitë politike për datën e zgjedhjeve të reja.
Takimi do të mbahet në orën 15:00 dhe janë ftuar të gjitha partitë politike.
Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se kreu i partisë, Bedri Hamza do të marrë pjesë në këtë takim.
Nga Lidhja Demokratike e Kosovës do të marrë pjesë Jehona Lushaku-Sadriu, tha për REL-in zëdhënësi i LDK-së, Besian Mustafa.
Ndërkaq, Kushtrim Xhemajli, zëdhënës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, konfirmoi se Ardian Gjini do të marrë pjesë në takim.
Sipas aktgjykimit të Kushtetueses, Kuvendi u shpërnda dhe tani Kosova duhet të mbajë zgjedhje brenda 45 ditësh.
Haxhiu ka afat që brenda dhjetë ditësh të caktojë datën e zgjedhjeve. Dy datat për mbajtjen e zgjedhjeve janë 31 maji dhe 7 qershori.
Ndërkaq, pas një takimi me u.d. të presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, kreu i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, tha të mërkurën se ky institucion preferon 7 qershorin si datë të zgjedhjeve, pasi KQZ-së i duhet sa më shumë kohë për të organizuar votimet.




















































