eksperti-banner

Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, ku është diskutuar rezultati i zgjedhjeve të fundit dhe hapat e ardhshëm politikë e organizativë të partisë.

Në vlerësimin e Kryesisë, pjesëmarrja më e ulët në procesin zgjedhor, krahasuar me ciklet e kaluara me rreth 200 mijë votues më pak, përbën një sinjal serioz që reflekton, sipas tyre, lodhjen e qytetarëve nga krizat e njëpasnjëshme politike, polarizimi i thellë shoqëror dhe zhgënjimi i akumuluar gjatë viteve të fundit.


Po ashtu, në mbledhje u diskutua edhe ndikimi i rrethanave politike dhe ekonomike në rezultatin zgjedhor. Sipas vlerësimeve të Kryesisë, masat financiare dhe subvencionet e shpërndara nga Qeveria në prag të zgjedhjeve kanë ndikuar në perceptimin e një pjese të elektoratit opozitar se rezultati mund të ketë qenë i paracaktuar, gjë që, sipas tyre, ka ndikuar në uljen e pjesëmarrjes në votime.

Megjithatë, PDK thekson se mbetet subjekti më i madh opozitar në vend, duke ruajtur nivelin e përfaqësimit politik dhe duke lënë të hapur mundësinë për rritje të lehtë të numrit të deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, u shpreh se partia gjatë periudhës së fundit është përballur me një sërë procesesh zgjedhore të njëpasnjëshme, duke mos pasur hapësirë të mjaftueshme për riorganizim dhe konsolidim të brendshëm.

Në mbledhje u diskutuan edhe proceset e ardhshme të brendshme, përfshirë zgjedhjet në parti, të cilat pritet të jenë të hapura, fer dhe gjithëpërfshirëse. Sipas Kryesisë, synimi është krijimi i hapësirës për ide dhe energji të reja, si dhe përfshirja më e madhe e gjeneratave të reja në strukturat drejtuese të partisë.

Po ashtu, u shqyrtua mundësia që procesi i brendshëm zgjedhor në PDK të nisë në shtator të vitit 2026.

Në takim u ritheksua edhe rëndësia e përmbylljes së procesit gjyqësor në Hagë ndaj ish-liderëve të PDK-së dhe bashkëluftëtarëve të tyre, të cilin partia e konsideron me rëndësi për të ardhmen politike dhe shtetërore të Kosovës.

PDK deklaron se do të vazhdojë reflektimin mbi rezultatin zgjedhor dhe angazhimin në shërbim të qytetarëve dhe interesit të shtetit të Kosovës.