KQZ propozon 7 qershorin për zgjedhjet e parakohshme

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se përgatitjet për zgjedhje kërkojnë kohë dhe se procesi nuk është i lehtë, duke theksuar se data më e mundshme për mbajtjen e tyre është 7 qershori.
Pas takimit me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, Radoniqi tha se ende nuk është diskutuar çështja e buxhetit për zgjedhjet në KQZ.
“Sa më vonë. Çështje e buxhetit ende nuk është diskutuar në KQZ, po besoj do të jetë përafërsisht si zgjedhjet e kaluara. Na nevojitet përgatitje, nuk është proces i lehtë… Dy data 31 maj ose 7 qershor, kështu që për mendimin tonë është 7 qershori, por prapë le t’i mbetet presidentes”, tha Radoniqi.
Sipas tij, procesi zgjedhor kërkon organizim të plotë dhe vendimi përfundimtar për datën e zgjedhjeve i takon ushtrueses së detyrës së presidentes.
Zgjedhjet e reja vijnë pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë një president të ri brenda afatit, duke e zhytur vendin në një krizë të re politike.
Kuvendi kishte afat deri në mesnatën e së martës për ta zgjedhur kreun e shtetit, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit.
Por, kryeministri Albin Kurti dhe partitë opozitare nuk arritën marrëveshje për zgjedhjen e presidentit të ri./Telegrafi/



















































