Hasanpapaj: Rrëzimi i Qeverisë Hoti nuk duhet të përdoret kundër Sejdiut

Ish-kandidati për deputet nga LDK-ja, Bardhyl Hasanpapaj, ka kritikuar qasjen e disa deputetëve që kanë kundërshtuar kandidaturën për president të ish-gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, Bekim Sejdiu.
Hasanpapaj ka thënë se secili deputet ka të drejtë të shprehet pro ose kundër një kandidature, por ka vlerësuar se është e rrezikshme që vendimet e mëparshme të një gjyqtari të përdoren si arsye për të kundërshtuar emërimin e tij.
“Unë një problem e kam me këta që kanë refuzimin. Në qoftë se personalizojnë vendimmarrjen e një ish-gjyqtari, si praktikë kjo është e rrezikshme për Kosovën”, ka thënë Hasanpapaj në Debat Plus.
Sipas tij, deputetët mund të kenë qëndrimet dhe arsyet e tyre politike, të cilat ai tha se i mirëkupton.
“Secili prej deputetëve kanë të drejtën e tyre politike me u shpreh pro apo kundër. Nuk i gjykoj, i mirëkuptoj, i kanë arsyet e tyre”, është shprehur ai.
Megjithatë, Hasanpapaj ka kundërshtuar përdorimin e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2020 si argument politik kundër Sejdiut.
“Por, të përdoret një vendim të një gjyqtari nga e kaluara, duke thënë se e ka rrezuar Qeverinë Hoti dhe prandaj nuk do ta pranomë është diskurs që po bëhet gabim. Se pse ne pastaj në nivel politik qendror po e themelojmë një standard, ku gjyqtarët po i mbajmë peng në karrierën e tyre për shkak të vendimeve invaduale që i kanë marrë”, ka deklaruar ai.
Gjatë mandatit në Gjykatën Kushtetuese, Bekim Sejdiu ka qenë gjyqtar raportues në vendimin e vitit 2020 që çoi në rrëzimin e Qeverisë së Avdullah Hotit.






































