PDK paralajmëron masa nëse LVV procedon zgjedhjen e presidentit në mënyrë antikushtetuese

Partia Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar reagim politik, institucional dhe qytetar nëse sonte procedohet me zgjedhjen e presidentit, të cilën e cilëson në kundërshtim me Kushtetutën.
Pas mbledhjes së Kryesisë, PDK njoftoi se ka zhvilluar takim edhe me kryetarët e degëve të partisë, ku është diskutuar situata politike dhe hapat e mëtejmë.
Sipas njoftimit për media, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, ka deklaruar se partia do të kundërshtojë çdo veprim të pushtetit që, sipas tij, bie ndesh me rendin kushtetues dhe juridik.
“PDK rithekson se do të kundërshtojë çdo veprim të pushtetit që bie ndesh me Kushtetutën dhe rendin juridik, duke u angazhuar në të gjitha format demokratike dhe institucionale për mbrojtjen e tyre. Nëse sonte procedohet me këtë zgjedhje antikushtetuese, do të ketë reagim të organizuar politik, institucional dhe qytetar”, thuhet në deklaratë.
PDK ka bërë të ditur se do të përdorë, siç thekson, të gjitha mjetet demokratike dhe institucionale për të kundërshtuar çdo proces që e konsideron cenim të rendit kushtetues.





















































