Drejtori i Sekretariatit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve KQZ-së, Besnik Buzhala, bëri të ditur të martën se që nga 6 maji deri më datë 17 të këtij muaji, KQZ-ja ka pranuar 11 mijë e 840 kërkesa për ndërrim të qendrave të votimit, nga të cilat janë aprovuar 11 mijë e 276 sosh, ndërsa janë refuzuar 564 prej tyre.

“Periudha e shërbimit të votuesve për ndërrimin e qendrave të votimit ka filluar më 6 maj dhe ka përfunduar më 17 maj. Gjatë kësaj periudhe janë pranuar 11 mijë e 840 kërkesa për ndërrimin e qendrës së votimit, ndërsa janë aprovuar 11 mijë e 276 kërkesa, ndërsa 564 janë refuzuar”, tha Buzhala.


Po ashtu, në kuadër të procesit përgatitor, në këtë mbledhje KQZ mori vendim për miratimin e planit operacional të sigurisë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Qëllimi i këtij plani është bashkëpunimi ndërinstitucional për sigurinë e zgjedhjeve, koordinimin me organet e rendit dhe menaxhimin e situatave eventuale, teksa u vendos edhe për miratimin e programit të trajnimeve dhe kurrikulës së trajnimit për zgjedhjet e parakohshme.

Po ashtu, në mbledhjen e sotme KQZ-ja miratoi dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimit por edhe të broshurës për zgjedhjet e parakohshme.

Fletëvotimi përmban 21 subjektet politike të renditura sipas tërheqjes së numrave rendorë dhe do të përdoret për votimin në përfaqësi diplomatike më 6 qershor dhe në vendvotime në Kosovë më 7 qershor, teksa në frymën e Ligjit për Përdorimin e Gjuhëve në Kosovë, përveç gjuhës shqipe dhe serbe, në fletëvotimet e disa komunave do të përdoren edhe gjuhët e komuniteteve tjera.

Kështu, në Komunën e Prizrenit, fletëvotimi do të përmbajë udhëzime në gjuhën turke dhe boshnjake; në Komunën e Mamushës në gjuhën turke; në Komunën e Obiliqit në gjuhën rome; ndërsa në Komunën e Dragashit në gjuhën boshnjake./kp/